Juventus nuk përfitoi nga humbja e Romës për t’u shkëputur më shumë. Skuadra e Allegrit barazoi 1 – 1 në fushën e Udineses dhe tani diferenca me vendin e dytë është 8 pikë.

Vendasit treguan shpirt gare duke shënuar të parët me Zapata në fundin e pjesës së parë. Juventusin e shpëtoi Bonucci, i cili pati një pjesë të përgjegjësisë në golin e parë. Mbrojtësi realizoi golin e barazimit gjatë pjesës së dytë.

Interi u kthye të fitorja pas disfatës së javës së kaluar me Romën. Zi-kaltërit mundën thellë 5 – 1 Cagliarin. Një sukses i rëndësishëm në fushë kundërshtare ku spikati Perisiç, autor i 2 prej golave. Me këtë fitore Interi qëndron në garë për një vend në kupat e Europës.

Atalanta barazoi 0 – 0 sfidën e javës së 27-të me Fiorentinën. Në portë për bergamaskët si zakonisht ishte Etrit Berisha, i cili ndali disa goditje të kundërshtarëve. Të shtunën Napoli mundi Romën me rezultatin 2 – 1 në stadiumin “Olimpico”, ndërsa Milani ia doli të fitojë 3 – 1 me Chievon./Tv Klan