Bardhezinjtë mundin Lazio në çerekfinalen e kupës së Italisë dhe do të përballen me Interin

Juventusi është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë pas fitores minimale ndaj Lacios.

Sfidës në stadiumin “Allianz” i munguan shkëndijat, por bardhezinjtë arritën që të menaxhonin avantazhin dhe të siguronin kualifikimin.

Pas humbjes në kampionat ndaj Monzës, “Zonja e Vjetër” u tregua e kujdesshme në mbrojtje.

Juven gjeti golin në fund të pjesës së parë pasi iu afrua me Kostiç dhe Rabiot.

Portieri i bardhekaltërve Maksimiano gabon në dalje dhe nga kjo përfiton Bremer që me kokë shënoi golin që vendosi ndeshjen.

Lacio tentoi që të reagonte me Marusiç e pastaj me Milinkoviç-Saviç, por bardhezinjtë ruajtën rezultatin pa shumë problem.  

Kupa e Italisë do të dhurojë një gjysmëfinale luksi midis “Zonjës së Vjetër” dhe Interit, që u përballën në finale sezonin e shkuar.

Klan News