Juventus në telashe me drejtësinë italiane. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, klubi torinez ka përfunduar nën hetim për transferime të parregullta të parave dhe tani rrezikon gjobë apo heqje të pikëve nëse shpallet fajtore. Mbrëmjen e së premtes, “Guarda di Finanza’ arriti në qendrën stërvitore ku ndodhen edhe zyrat e klubit, Continasa, teksa ka konfiskuar dokumente sa u përket transfertave të kryera në tre vitet e fundit, ku dyshohet se janë bërë bilance të rreme financiare duke marrë për bazë transferime fiktive për të siguruar plusvalenca ekonomike.

Dyshohet për lëvizje që kapin shumën 50 milionë euro, të gjitha lëvizje fiktive duke fryrë vlerat e tyre në merkato për të rregulluar bilancet e në teori duke krijuar mashtrim financiar pasi Juventusi është shoqëri aksionere. Nga kjo, besohet se klubi bardhezi ka përfituar rreth 281 milionë euro. Nën hetime janë presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli dhe zëvendëspresidenti i klubit, Pavel Nedved, si dhe ish-drejtori Fabio Paratici, tani te Tottenhami.

Kjo nuk është hera e parë që klubi bardhezi vihet përballë hetimeve për plusvalenca, por në rastet e mëparshme, prokuroria e kishte pasur shumë të vështirë të ngrinte akuza pasi nuk mund të vërtetonte koston reale të futbollistëve të transferuar me shifra shumë shpesh jashtë normales edhe për emra të panjohur apo lojtarë akademie.

Të tilla hetime u hapën edhe për ekipe si Interi, Milani dhe Chievo në të kaluarën. Skuadrat nga Milano nuk u shpallën fajtore në vitin 2008, ndërsa Chievos iu hoqën tre pikë 10 vjet më vonë.

Klan News