Sarri: Suksesi me Lazio na krijoi bindjen se mbyllëm llogaritë

Juventus e kishte siguruar trofeun 2 javë përpara, por gjithsesi festa ishte e përligjur mes lojtarëve. Hera e nëntë radhazi dhe trofeu i 36 i kampionit të Italisë, 2 herë më shumë se kundërshtarët. Edhe pse humbi 3 – 1 takimin e fundit me Roma nuk ndikoi në humorin e lojtarëve.

Trajneri Maurizio Sarri zbuloi se bindja se gjithçka ishte mbyllur u krijua që pas fitores me Lazio në javën e 34.

“Pas ndeshjes me Lazio brenda vetes ishim të gjithë të bindur se e kishim fituar kampionatin. Kjo na kushtoi në këtë fazë të fundit të sezonit dhe pikët e grumbulluara na jepnin mundësinë të ngadalësonim pak. Do të ishte edhe e drejtë  që mos ta bënim, por kjo është njerëzore”.

Tani vëmendja është përqendruar te ndeshja e kthimit me Lyon që do të luhet të premten në Torino dhe vlen një vend në çerekfinalet e Champions League. Sfida e parë u mbyll me fitoren 1 – 0 të skuadrës franceze.

 Tv Klan