Pas barazimit me Romë, Juventusi u rikthye te fitorja, pasi mposhti 2-1 në shtëpi Lecce-n. Një ndeshje e vuajtur për bardhezinjtë që në fund rrezikuan të barazoheshin.
Golat e torinezëve u shënuan nga Koopmeiners dhe Yildiz në pjesën e parë, ndërsa për miqtë realizoi Baschirotto në fraksionin e dytë.
Në prononcimin pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Igor Tudor deklaroi se skuadra e tij duhet ta kishte mbyllur ndeshjen më herët, ndërsa shprehu pakënaqësi ndaj zëvendësuesve.
“Duhet ta kishim mbyllur më herët ndeshjen. Në e mbyllëm keq. Megjithatë mendoj se bëmë një lojë të mirë për 70-80 minuta. Ne jemi të lumtur për fitoren dhe ecim përpara. Nuk më pëlqyen paraqitjet e lojtarëve të futur nga stoli. Ia kam thënë skuadrës që të gjithë duhet të jenë gati.
Koopmeiners kishte nevojë për këtë gol. Ai bëri një ndeshje shumë të mirë dhe e shikoj ndryshe nga më parë. Është në rrugën e duhur. Vlahovic sakrifikoi shumë, por i mungoi vetëm goli.
Motta? Nuk më pëlqejnë krahasimet me askënd, veçanërisht me trajnerët që kanë qenë këtu, sepse nuk mendoj se është e sjellshme”, deklaroi Tudor.
Juventusi është ngjitur përkohësisht në vendin e tretë me 59 pikë, në pritje të rezultatit në Atalanta-Bologna. /tvklan.al