Juventusi triumfoi minimalisht ndaj Interit, në derbin e Italisë, falë një goli të shënuar nga Francisco Conceicao në pjesë e dytë.

Zikaltërit krijuan raste të shumta, por ishin të pafat, pasi u ndalën dy herë nga shtylla me Dumfries. Lautaro Martinez shpërdoroi gjithashtu disa raste të pastra shënimi.

Pas ndeshjes, trajneri i Interit Simone Inzaghi, deklaroi se nuk mund të fajësojë lojtarët, por shtoi se ekipi i tij meritonte më shumë nga kjo përballje. Tekniku zikaltër u shpreh se skuadra e tij bëri ndeshje të shkëlqyer.

“Nuk mund të fajësoj djemtë. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer, por duhej të kalonim në avantazh në pjesën e parë. Në pjesën e dytë nuk u paraqitëm mirë dhe pësuam golin. Duhet të punojmë më shumë. Duhet të bëjmë zgjidhje më të mira. Nuk shoh se çfarë ndodh me rivalët për titull, jam i fokusuar vetëm tek ekipi im. Me një paraqitje si ajo në Torino, mendoj se meritonim më shumë. Duhet të ishim vrasës para portës. Me ato raste që kishim, pjesa e parë nuk duhej të përfundonte pa gola”, deklaroi Inzaghi.

Me këtë humbje, Interi mbetet në vendin e dytë me 54 pikë, 2 pikë më pak se Napoli kryesues. /tvklan.al