Veton Podujeva tregon se është shtetas kosovar, por edhe shqiptar me dekret Presidenti. Ai jeton në Shqipëri dhe ka 3 fëmijë, por Zyra e Emigracionit dhe Zyrat e Gjendjeve Civile në Paskuqan dhe zonën e Freskut e kanë bërë pa fëmijë dhe i kanë ndryshuar vitin e lindjes.

Vetoni ka ardhur në Shqipëri në vitin 1998 dhe në 2005-ën është regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile Paskuqan. Më vonë është transferuar në Njësinë 12, tek zona e Freskut.

Në Paskuqan figuron i ditëlindjes 1984, ndërkohë që është i vitit 1988 dhe me fëmijë. Ndërsa në zyrën e Freskut viti i lindjes është 1988 dhe rezulton pa fëmijë.

Është interesuar në të dyja zyrat, por asnjë zgjidhje nuk ka mundur të gjejë.

Specialistja e zyrës së gjendjes civile Fresk, thotë se gabimi me vitet e lindjes, është bërë nga Zyra e Emigracionit, e që të zgjidhet rasti Vetoni duhet të marrë dosjen me atë gabim në zyrën e emigracionit.

Të njëjtën përgjigje na dha edhe specialistja e zyrës së gjendjes civile Paskuqan. 

Në këto kushte iu drejtuam Zyrës së Emigracionit, ku na thanë se dosja është në arkivë dhe Vetonit do t’i jepet një vërtetim me të dhënat e sakta, që do të bëjë që gjendja civile të fshijë nga sistemi personin e gabuar.

Gazetarja- Qytetari kërkon dosjen e vet, ka sjellë dokumentacionin tek zyra e emigracionit. Është i ditëlindjes 1988 dhe këtu figuron si i datëlindjes 1984.

Punonjësi- Gabimisht në pikën e kalim-kufirit, kur është hedhur në sistem, mund t’i kenë vënë gabim 8 e kanë shkruar me 4 dhe leja e qëndrimit del e tillë. Ky ka sjellë pasaportën, që vërteton, që është ashtu dhe është bërë ndryshim në TIMS.

Gazetarja- Nuk e duam me ndryshim. Duam atë gabimin, që ta korrigjojmë.  

Punonjësi-Po pra!

Gazetarja- Tek Zyra e gjendjes civile dalin dy vetona, 1 i vitit 1984, një i vitit 1988. Ky është i vitit 1988.

Punonjësi-Po!

Gazetarja- Duhet ta heqim atë të vitit 1984. Çfarë i ka thënë zyra e gjendjes civile? I kanë thënë që shko tek zyra e emigracionit, merr dosjen e parë jo të korrigjuar, sepse ju edhe ia keni korrigjuar gabimin…të flasim me drejtorinë e përgjithshme, ta ndryshojnë dhe kaq.

Punonjësi- Dosja nuk jepet, se është arkivë, por…

Gazetarja- Me një kërkesë mund ta bëjmë?

Punonjësi-Personi të bëjë një kërkesë, dhe do t’i lëshohet një vërtetim, që do t’i themi, personi, filan-fisteku me ditëlindje të kësaj date, është i njëjti person me këtë, pasi është korrigjuar ditëlindja, e cila ka qenë gabim përpara.

Gazetarja- Po mirë, merret për bazë kjo?

Punonjësi- Ne, ne jemi institucion shtetëror. Vërtetimi ynë do t’i mbushi mendjen atyre, (gjendjeve civile) që Vetoni është i ‘88-ës.

Gazetarja- Jo për t’ia mbush, a ka kompetenca vërtetimi juaj?

Punonjësi-Atëherë, për ta hequr ’84-ën, e heqim me bashkim rekordesh. E heq Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gazetarja- Ju do të komunikoni me siguri, edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile?

Punonjësi-Komunikohet zyrtarisht me të gjithë!

Gazetarja- Mund të futet personi që ta orientoni içik, se nuk di?

Punonjësi- Po patjetër! Patjetër!

Gazetarja- Një specialiste, ky ta thotë dhe ajo ta shkruajë…

Punonjësi-Nesër merr vërtetimin e firmosur!

Gazetarja- Unë po e marr si zgjidhje këtë…

Punonjësi- Është zgjidhur!

Gazetarja- Është zgjidhur, dakord! /tvklan.al