Gjatë takimit të tij elektoral me gratë në kryeqytet, kryeministri Edi Rama është shprehur se kanë dalë lajme që ai ka bërë botoks në fytyrë.

Rama nuk i kurseu ironitë për mediat, ndërsa theksoi se këto media i bëjnë botoks edhe sondazheve të Bashës dhe fushatës elektorale të kryedemokratit.

“Përshëndetje të gjithave. Lajmi i fundit është që unë kam bërë botoks. Është lajm në mediat që i bëjnë gjithë kohës botoks sondazheve të Lulit, i bëjnë gjithë kohës botoks fushatës së Lulit, i bëjnë gjithë kohës botoks partisë së Lulit dhe nuk lënë laps pa përdorur, për t’i shtuar çdo ditë rrudha imazhit të Shqipërisë. Për t’ia zhgarravitur çdo ditë fytyrën këtij vendi. Për t’ia zhgarravitur çdo ditë faqen këtij vendi dhe për t’ia ekspozuar çdo ditë karikaturën e shpirtit të tyre njerëzve të këtij vendi. Unë botoks? E pse kam bërë botoks? Sepse u jam dukur prapritur i qeshur dhe lëkura ime papritur u është dukur si lëkura e Fevziut, me shkëlqim”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri u shpreh se ka një arsye përse fytyra e tij është më e buzëqeshur. Ai tha se kjo arsye nuk është botoksi, por dielli që ka filluar të shkëlqejë përsëri mbi Shqipërinë.

“Ka një arsye në fakt përse unë jam më i qeshur se ç’isha. Ka një arsye përse unë nuk jam aq i ngrysur sa isha. Ka një arsye në fakt përse lodhja dhe stresi shihen më pak në fytyrën time. Kjo arsye nuk është botoksi. Kjo arsye është dielli që ka filluar të shkëlqejë përsëri mbi Shqipërinë, dielli që shkëlqen në sytë e qindra mijëra gjyshërve që marrin vaksinën dhe marrin frymë thellë, që marrin vaksinën dhe vrapojnë të takojnë nipat e mbesat, hapin derën për fëmijët e tyre, që marrin vaksinën dhe kanë rifilluar të gatuajnë për nuset dhe djemtë e tyre pa pasur frikë ti hapin derën. Si nuk e bënka efektin shumë më të mirë se sa të botoksit e gjithë kjo? E bën që ç’ke me atë punë sepse unë nuk jam në këtë detyrë për të bërë sikur, nuk jam për të dalë në TV dhe të jem ai që s’jam, nuk jam për të menduar se si ju dukem të tjerëve kur ngrysem, kur nxehem, apo kur qesh, jam për të qenë deri në fund me mish e shpirt me të gjithë ata që më kanë dhënë këtë detyre dhe natyrisht nëse të gjithë ata janë në stres. Si nuk reflektoka kjo në fytyrën time, është pasqyra e shpirtit dhe natyrisht ka mjeshtra që dinë ta bëjnë fytyrën pasqyrë të boshllëkut të tyre apo që e kanë pasqyrë të boshllëkut të tyre. Kush e ka shpirtin gjallë të angazhuar, kush e ka derë të hapur e të lënë të hyjnë të gjithë ankthet, pasiguritë, e lëre më pastaj kush është në këtë detyrë dhe e ka shpirtin të gatshëm për ti thithur të gjitha këtu, sigurisht që fytyrën e tij e ka pasqyrë të atij stresi dhe lodhje. Si mund të jetë ndryshe?”, u shpreh Rama./tvklan.al.