Një nënë rrëfeu në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në TV Klan historinë e dhimbshme të jetës së saj. Pas vdekjes së bashkëshortit, Gita mbeti e vetme me djalin dhe vendosi të kthehej tek familja e saj. Por nuk kaloi shumë kohë dhe familja e bashkëshortit të ndjerë i merr djalin, dhe që prej vitit 2005 ajo nuk ka asnjë lloj komunikimi me të.

Sot djali i saj është 25 vjeç dhe nga të tjerët ajo ka mësuar se Aristidi është martuar dhe shumë shpejt do të bëhet baba.

Gita ka provuar çdo mënyrë për të kontaktuar me djalin, por nuk ia ka dalë, prandaj ajo iu drejtua programit dhe ka ftuar ditën e sotme ndërmjetësen Eni Çobani.

Ajo kërkon prej saj që ta ndihmojë në situatën në të cilën ndodhet. Eni Çobani i premton Gitës që do bëjë makismimin e saj dhe i bën edhe një thirrje djalit të saj, Arsitidit për të komunikuar me nënën, pasi ai është tashmë në moshë madhore dhe vetëm ai mund të vendosë për jetën e tij.

Ardit Gjebrea: Përse ke ardhur sot në studio?

Gita: Kam ardhur se nuk kisha rrugë tjetër. Edhe tek Eni Çobani më shkon mendja shpesh, madje dhe për natë. A t’i shkruaj zonjës Eni, a mund të bëjë diçka për të më ndihmuar? Prandaj erdha këtu që ti them djalit tim nëse më dëgjon që e dua shumë, ai është zemra ime, jeta ime.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është djali sot?

Gita: 25 vjeç!

Ardit Gjebrea: Ai dhe u martua?

Gita: Po ka marrë një vajzë shumë të mirë, por nuk e njoh. Kam dëshirë ta njoh dhe atë.

Ardit Gjebrea: Ti di që do bëhesh gjyshe?

Gita: Po, çfarë marrë vesh nëpër të tjerët!

Ardit Gjebrea: Personi që do të ndihmojë, person zemre jo vetëm për ty por për të gjithë, e ka dëgjuar tashmë të gjithë historinë tënde.

Eni Çobani: Kënaqësi sigurisht dhe emocion. Të falenderoj e para që më bëre pjese të këtij programi. Unë si çdo shqiptar që e ndjek, emocionin e jashtëm që e ndjekim nga televizioni nuk qenka njësoj me këtë të brendshmin. Unë sot jam ndryshe, me një emocion të jashtëzakonshëm sepse e para nuk e dija se kush më ka ftuar dhe e dyta tani që dëgjova historinë tënde vërtet më ke mallëngjyer shumë. Unë dëgjoj shumë histori, por histori si tuajat, të them të drejtën janë histori që të godasin shumë. Nuk ka fëmijë që të dëgjojë nënën siç fole ti dhe të mos i vijë një përqafim prej tij. Unë besoj shumë që Aristidi po na ndjek dhe besoj që do kemi një thirrje jo vetëm telefonike, por pse jo në një mesazh tjetër për ty me Arditin sëbashku, këtu të kesh Aristidin dhe unë te jem andej me ty, për të parë një përqafim të ngrohtë.

Gita: Faleminderit zonja Eni, jam shumë e stresuar. Çfarë të them, nuk e bëj një orë gjumë natën. Por e ndjej që djali më do, ai ështe origjinal i babait të vet. Djalin ma kanë larguar padrejtësisht, me mashtrim të madh.

Eni Çobani: Ti nuk do rreshtësh asnjëherë së kërkuari!

Gita: Nuk do të pushoj!

Ardit Gjebrea: Zonja Eni përtej dëshirës së nënës tashmë ligjërisht, Aristidi është maxhoren dhe kështu që i vendos gjërat vetë, cila mund të ishte ndihma juaj?

Eni Çobani: Unë iu drejtova atij, se jemi në një moshë të atillë, që Aristidi pavarësisht historisë se si ka vajtur sot është vetëm ai që vendos, që kështu duhet bindur ai. Nuk mundet dhe s’ka asnjë rrugë tjetër përveç faktit që ne të gjejmë një rrugë për të komunikuar me të, ndoshta edhe për të kuptuar pse ai qëndron larg Gitës. Unë i them Gitës që do bëj maksimumin tim padiskutim dhe i bëj një thirrje Aristidit nëpërmjet këtij emisioni, por edhe nëpërmjet atij që kemi rubrikën më vonë, por edhe në vazhdimësi. Nëna është nënë, kushdo që mund t’i ketë qëndruar në krah, nënë nuk i bëhet asnjëherë./tvklan.al