#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Një kunatë si Natasha

Kujdeset prej 13 vitesh për burrin e sëmurë dhe nuk ka takuar dot nënën, lutja e kunatës për Natashën

Servetja ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për një falenderim publik për kunatën e saj, Natashën. Gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Servetja rrëfeu se vëllai i saj, Vathi vuan nga skleroza e shumëfishtë e cila e ka lidhur pas krevatit. Në këto 13 vjet, gruaja e tij, Natasha vijon të kujdeset për të dhe i jep zemër anëtarëve të tjerë të familjes.

Jo vetëm kaq, por për shkak të përgjegjësisë dhe dashurisë ndaj bashkëshortit, Natasha nuk ka shkuar dot të shohë as nënën e saj të sëmurë. Ajo ndodhet në Itali dhe pavarësisht se kunatat i kanë kërkuar ta lërë vëllain e tyre dhe të shkojë ta takojë, Natasha nuk largohet asnjë çast prej Vathit.

Servete: Natasha të kam shpirt, të kam zemër dhe të kam sjellë këtu më tepër, mirë që  ke shërbyer vëllait tim dhe po i shërben sa nuk ka më, edhe kur kemi dalë ne të mërzitur, ti na bie në supe e thua “shyqyr që e kam ashtu, nuk i dua më gjë Zotit”. Ty ta shpërbleftë Zoti te ty e te fëmijët e tu këtë që po bën.

Natasha: Është detyra ime.

Servete: Ky është një falenderim nga shpirti im. Po të them edhe një gjë tjetër, të kërkoj këtë gjënë tjetër, që ti ke mamin tënd të sëmurë, ka kaq kohë. Ne si motra, të dyja bashkë, edhe unë, edhe Dea, kemi thënë që “vijmë ne sa të duash ti, dy ditë, tre, një javë, ne vijmë natë e ditë non stop te vëllai jonë, vetëm ti shko shih nënën tënde”.

Natasha: Faleminderit.

Ardit Gjebrea: Kjo ishte edhe pjesa më delikate e mesazhit në fakt që donte të të jepte sepse ti edhe këtë e ke dëgjuar, besoj ta ka thënë apo jo?

Natasha: Po, disa herë. Faleminderit! S’di, ç’të them…

Ardit Gjebrea: Ti ke mamin pa qejf, po?

Natasha: E kam në Itali, te vëllezërit. Është pa qejf, shumë, por nuk e lë dot tim shoq se ai ka një natyrë të tillë që nuk do njeri dhe kur vijnë fëmijët që thotë “të ndihmoj unë”, nuk pranon kujdesin e askujt.

Ardit Gjebrea: Vathi me siguri është duke na ndjekur tani dhe po e dëgjoj këtë mesazh, po e sheh.

Natasha: Patjetër. Nuk më ndalon, sa herë më ka thënë që “shko” por unë e shikoj vetë që ai e ka shumë të vështirë që dikush tjetër të shkojë të kujdeset për të.

Ardit Gjebrea: Si e përballon ti gjithë këtë vështirësi? Janë 13 vite.

Natasha: Në fillim ka qenë shumë e vështirë si për mua, si për tim shoq sepse ai ka patur një jetë shumë aktive, ka qenë njeri shumë i dalë, nuk rritne dot në një vend, donte gjithë kohës vetëm të lëvizte dhe na erdhi si bombë kjo gjendje, kjo sëmundje e tij. Është njeri me shumë kurajë, pastaj me kalimin e kohës më duket diçka normale, rutinë e përditshme.

Ardit Gjebrea: Në momentinq që ju po tregonit pikërisht këtë gjë, me thjeshtësinë më të madhe, por unë e imagjinoj me çfarë dhimbjeje në radhë të parë dhe me çfarë fuqie për ta përballuar, por po imagjinoj ato çiftet e reja që zihen dhe ndahen për hiçgjë.

Natasha: Ajo as që çohet nëpër mend, e para e punës sepse ne jemi edukuar mbi të gjitha me këtë lloj edukate që familja është gjithçka dhe nuk diskutohet, por e meriton burri im një shërbim të tillë, sepse i tillë ka qenë.

Ardit Gjebrea: E meriton edhe nëna jote.

Natasha: Tani e kam në Itali, larg.

Ardit Gjebrea: Sa kohë u bë?

Natasha: U bë një vit.

Ardit Gjebrea: Ti nuk ke shkuar ta shohësh për një vit?

Natasha: Nuk kam shkuar, u bëra gati, por u shtrua në spital, pati shumë peripecira dhe ngela.

Ardit Gjebrea: Nuk është momenti që të shkosh ta shohësh?

Natasha: Me kismet, me kismet.

Ardit Gjebrea: Epo ky është edhe mesazhi që ka ardhur sot kunata për të ta dhënë.

Natasha: Do t’ia plotësoj dëshirën

Vëllai vuan nga skleroza e shumëfishtë, rrëfimi i Servetes për kunatën heroinë: Nuk ka të dytë si ajo

Servetja është më e madhja nga 5 fëmijët e një familjeje tiranase. Që në fëmijëri, rrëfen ajo për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, lidhjen më të fortë e ka patur me njërin prej vëllezërve, Vathin.  Ata ndanin gjithçka bashkë, çdo sekret dhe kur Vathi ra në dashuri i kërkoi një mendim Servetes.

‘Problemi’ ishte se Natasha, vajza që ai isthe dashuruar ishte nga Vlora dhe mendonin se ndoshta nuk do të arrinin të kuptoheshin për shkak të ndryshimit të dialektit. Servetja foli me nënën e tyre, u takuan dhe prezantuan me vajzën e familjen e saj dhe gjithçka shkoi mirë. Çifti kaloi vite shumë të lumtura derisa Vathi u sëmur nga skleroza e shumëfishtë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Servete: Pothuajse po i humbte një këmbë, e hidhte por e hidhte pa vetëdije. Vizitohet e më the, të thashë, në neurologji e ku nuk e çuam, unë me Natashën më tepër dhe më thotë “e ka hernie diskale”.

Ardit Gjebrea: Mirëpo sëmundja vazhdoi.

Servete: Sëmundja vazhdoi…

Ardit Gjebrea: Dhe u përkeqësua.

Servete: Filloi edhe këmba tjetër.

Ardit Gjebrea: Ai nuk e kuroi gjatë kësaj kohe, jo?

Servete: Vetëm që…

Ardit Gjebrea: Sepse mendonit hernie diskale dhe nuk u kurua.

Servete: Jo, nuk u kurua se “s’ka derman” i tha, “o do të operohet ose vetëm me brez leshi e mos të lodhet” se ai ka punuar gjithë jetën shofer.

Ardit Gjebrea: Por në fund çfarë i thanë mjekët?

Servete: Për sklerozë multiple.

Ardit Gjebrea: Çfarë shkakton skleroza multiple?

Servete: Ishte aq e keqe more Ardit sa mos i raftë as hasmit. Vëllai zuri krevatin. Natasha është gjendur natë, ditë mirë për të, por aq sa na sajdis, buzëqesh, ne dalim duke qarë, ajo na jep kurajë. S’besoj them të ketë njeri të dytë.

Ardit Gjebrea: Natasha i ka shërbyer non stop. Për sa vite?

Servete: 13 vjet, non stop.

Ardit Gjebrea: Dhe vazhdon akoma?

Servete: Dhe vazhdon akoma. I kemi thënë se ajo ka edhe nënën e vet sëmurë, e ka operuar në Itali, “të vijmë ne këtu te vëllai, po rrimë ne non stop”.

Ardit Gjebrea: Ajo nuk ka shkuar ta shohë?

Servete: “Jo”, thotë, “nuk e lë”.

Ardit Gjebrea: Dhe ti për këtë e ke thirrur sot në program.

Servete: Për këtë e kam thirrur, t’i them të shkosh. Një herë, një falenderim të jashtëzakonshëm për vëllanë që i shërben kaq shumë. Mirë që i shërben vëllait, por na pret e përcjell edhe neve.

Ardit Gjebrea: Ajo që më bën mua më shumë përshtypje nga gjithë historia që di, është që kur ju i thoni të gjitha fjalët e mundshme, ajo thotë “jemi mirë, ka edhe më keq”.

Servete: Po.

Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?

Servete: “Unë”, thotë, “lus Zotin natë, ditë që të ma lërë kështu si e kam. Të paktën flas me të, e kam këtu në sy, ka duar, ha vetë, për mua është… gjë më e mirë sa s’ka më”.


Vëllai vuan nga skleroza e shumëfishtë, rrëfimi i Servetes për kunatën heroinë: Nuk ka të dytë si ajoz

Klodiana dhe Mibleri

Hyri si Shpresë dhe u kthye në nënë, familja e vogël që u lidh nga dashuria

Shpresa, ashtu siç ka edhe emrin, hyri si e tillë në jetën e Klodianës dhe Miblerit të vogël në një çast të vështirë për ta. Klodiana tregoi gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se ajo shkonte në punë, ndërsa Shpresa, fqinja e tyre, kujdesej për Miblerin.

Kur Klodiana sëmurej, Shpresa e gdhinte me të apo priste derisa ajo të dilte nga spitali. Nënë e bir gjetën një familje te Shpresa të cilën nuk e zgjodhën, por jeta ua bëri dhuratë. Po ashtu, edhe Shpresa i konsideron ata si familjen e saj.

Shpresa: Këtë e kam si vajzën time. Unë kam dy vajza. Këtë e kam të tretën. Edhe atë djalin e saj, kam 9 nipër e mbesa dhe ky, këtë e kam të dhjetin.

Ardit Gjebrea: Ka një mesazh për ty, do ta dëgjojmë?

Shpresa: Po.

Ardit Gjebrea: Forca Klodi!

Klodiana: Siç i kam thirrur nënë, për mua ajo është nëna. Derisa të kem jetë, është nëna ime, më zëvendësoi nënën time dhe nuk e ndiej mungesën, s’do ta ndiej asnjëherë mungesën e nënës. Faleminderit shumë nënë që më ke mbështetur dhe për mua je gjithçka dhe do jesh nëna ime derisa të jem.

Shpresa: Edhe ti, ju kam zemër!

Klodiana: Do jemi siç kemi qenë, ti je familja  ime.

Shpresa: Po shpirt! Ju dua shumë të dyve!

“Ajo më mbante kur ikte mami im”, Mibleri i vogël shpreh dashurinë për “nënën”

“Nëna” që Klodiana ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nuk është mamaja e saj biologjike, por njeriu që i dha shpresë. Në momentet më të vështira të jetës së saj të cilat Klodiana i rrëfeu në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo i dha forcë dhe iu gjend pranë duke i dhuruar dashuri të pakushtëzuar asaj dhe Miblerit të vogël.

Ndërkohë ky i fundit ka hyrë në studio dhe po dialogon me moderatorin Ardit Gjebrea. Mibleri ishte 2 vjeç kur e quajti “nënë” gruan që kujdesej për ata të dy e cila ishte fqinja e tyre.

Ardit Gjebrea: Tani mami ka ftuar dikë këtu në program. Kë ka ftuar, e di ti?

Mibler: Ëëë, nënën.

Ardit Gjebrea: Nënën! Çfarë e ke ti atë?

Mibler: Nënë.

Ardit Gjebrea: E do shumë?

Mibler: Po.

Ardit Gjebrea: Pse e do?

Mibler: Se kur isha i vogël, kur ikte mami, ajo më mbante kur ikte mami im.

Ardit Gjebrea: Kujdesej për ty. Dhe si sillej me ty?

Mibler: Mirë.

Ardit Gjebrea: Sillej mirë?  Po ti e do shumë?

Mibler: Ëhë. Gjyshi, ka vdekur gjyshi i vet dhe jeton.. nuk e di ku jeton, por gjyshi i vet ka vdekur.

Ardit Gjebrea: Domethënë kur thua gjyshi ka vdekur po flet për burrin e nënës. Të ka ardhur keq apo jo?

Mibler: Po.

Ardit Gjebrea: Ai tani jeton në qiell.

Mibler: Po dhe pastaj nëna jeton në Greqi.

Ardit Gjebrea: Nëna jeton në Greiq?

Mibler: Po.

Ardit Gjebrea: Po nuk të merr malli për nënën ty?

Mibler: Erdhi një ditë.

Ardit Gjebrea: Erdhi një ditë edhe?

 Mibler: Dhe e takova.

“Peshoj 34 kile”, pas rrëfimit të nënës dëshira e djalit emocionon studion

Pa një bashkëshort në krah, pa përkrahjen e familjes dhe me një fëmijë të vogël në duar, jeta e Kodianës nuk ka qenë aspak e lehtë. Historia e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kalon mes dhunës, vështirësive, vetmisë dhe sakrificave.

Pas ardhjes së djalit në jetë Klodiana tregoi se fillimisht ishin kolegët e punës që iu kthyen në një familje duke e ndihmuar me qiranë e shtëpisë. Por kur Mibleri ishte 2 vjeç, në jetën e tyre hyri një shpresë që u kthye në nënë për të dy që kujdesej edhe për Klodianën e sëmurë.

Klodiana: Unë sot kam ftuar një person që më ka mbështetur pasi çuni ka qenë 2 vjeç, ka ardhur, ka ndenjur aty me qira  dhe unë i them “nënë” se “nënë” i thirri çuni që kur erdhi dhe unë i them “nënë” se për mua u bë një nënë.

Ardit Gjebrea: Për çfarë të ndihmoi?

Klodiana: Për gjithçka. Më mbante fëmijën, qëndronim bashkë, u bë familje, ajo ka qenë nënë për mua. E gdhinte me mua sa herë që sëmuresha unë, ajo e gdhinte. Më mbante çunin kur kisha nevojë që unë rrija në spital dy ditë, e mbante ajo përgjigjej. Shumë, për të gjitha drejtimet kemi qenë një familje.

Ardit Gjebrea: Po ti pse rrije në spital, ndonjë problem shëndetësor?

Klodiana: Unë kam anemi dhe shqetësimi, ankthi, edhe kequshqyerja  që gjithmonë aq financë sa kisha doja që t’i përkushtohesha fëmijës, mos të arrinte fëmija në gjendjen time. Unë kam qenë 52 kile kur jam martuar.

Ardit Gjebrea: Po sot?

Klodiana: Sot unë jam 34 kile.

Në prapaskenën e studios ndodhet edhe djali 6-vjeçar i Klodianës, Mibleri. Pas dakordësimit me Klodianën, moderatori Ardit Gjebrea e fton në studio dhe menjëherë vihet re energjia e jashtëzakonshme e Miblerit. Pas rrëfimit të nënës së tij, përgjigjja e vogël për profesionin e së ardhmes merr edhe më shumë kuptim sepse dëshira është që të bëhet doktor.

E vetme dhe shtatzënë, Klodiana gjeti familjen e munguar: Hiqnin rrogën e tyre për të më paguar qiranë

E vetme, pa asnjë mbështetje, e dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, Klodiana vendosi ta mbante fëmijën që priste të vinte në jetë pavarësisht se babai i tij nuk e donte dhe e kërcënonte vazhdimisht. Agresiviteti i tij shkoi deri në atë pikë sa ta shkelmonte pa pikë mëshire krijesën që ndodhej brenda barkut të saj.

Mes këtij rrëfimi tronditës që Klodiana ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo tregon edhe si gjeti një familje. Siç u shpreh gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, motrat e vëllezërit nuk e përkrahën në vendimin e saj. Ngushëllimin dhe kurajën Klodiana i gjeti te njerëzit që nuk e lanë të vetme në momentin më të vështirë.

Klodiana: Unë kam punuar në restorant peshku dhe ata kanë qenë që unë merrja forcë, kurajë, gjithçka. Ata për mua kanë qenë gjithçka.

Ardit Gjebrea: T’u bënë ata familje?

Klodiana: Shumë. jo një familje, por një familje shumë e fortë, një familje që… dua t’i falenderoj se ata s’ndodhen këtu, ata ndodhen jashtë shtetit.

Ardit Gjebrea: Çfarë bënë ata për ty?

Klodiana: Ata më kanë ndihmuar që në muajin e shtatzënisë derisa fëmija lindi dhe pas lindjes më kanë paguar qiranë 6 muaj, stafi i punës.

Ardit Gjebrea: Pra nga rrogat e tyre hiqnin një shumë secili dhe të paguanin ty qiranë.

Klodiana: Po.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë, emrin e çunit, si e vure?

Klodiana: Unë kam punuar deri në ditën e fundit të shtatzënisë time dhe kam ikur me rroba e kuzhinës në sallën e operacionit. Gjatë 9 muajve unë s’e kisha menduar nga stresi, nga shqetësimi ose nga paniku që kisha të përditshëm, vetëm ajo puna më ishte gjithçka dhe për të më hequr atë frikën se jam futur e vetme në sallën e operacionit, pa asnjë, doktori bënte si me shaka për të më hequr atë ankthin. “Jo i blerë, jo i shitur” dhe emri ka ngelur Mibler.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është Mibleri sot?

Klodiana: Mibleri është 6 vjeç, në klasë të parë.

Ardit Gjebrea: Ta kesh me jetë!

Mes lotësh, Klodiana rrëfen edhe sakrificat për rritjen e fëmijës si një nënë e vetme. E frikësuar në çdo moment se mos ish-bashkëshorti rikthehej dhe ia merrte, e shqetësuar për të ardhmen dhe për sigurinë e të dyve, ajo nuk arrinte as të mbyllte sy.

Klodiana: E bëra për në kopsht. Vazhdonte frika, gjthçka. Kushedi sa net e kam gdhirë e vetme. Sëmurej me temperaturë, e vetme pa asnjë lloj mbështetjeje. Kushedi sa herë më zinte gjumi poshtë, në tokë, në pllakë. Shumë herë.

Refuzoi të abortonte, ish-burri e ndëshkoi barbarisht: Më shkelmoi në bark

Klodiana është lindur në një familje të madhe në Berat, me 8 motra e 4 vëllezër. Prindërit e saj kanë rreth 20 vjet që kanë ndërruar jetë. Në moshën 35-vjeçare, u martua me mblesëri me dikë që e takoi vetëm tre herë dhe më pas, emigruan në Greqi.

Nga ai moment, rrëfen Klodiana në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, sjellja e ish-bashkëshortit ndryshoi rrënjësisht. Ai ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj saj, me kërkesa absurde dhe kur Klodiana mbeti shtatzënë, refuzoi që ajo ta mbante fëmijën.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta me të?

Klodiana: 15 ditët kanë qenë me sjellje të mirë, unë pak a shumë e kisha një çikë të vështirë, gjuhën s’e dija. Ish-bashkëshorti filloi ktheu komplet atë sjelljen, u bë agresiv, abuzonte.

Ardit Gjebrea: Ç’do të thotë?

Klodiana: Ngrihesha që në 4 t’i bëja për të ngrënë.

Ardit Gjebrea: Që në 4 të mëngjesit?

Klodiana: Që në 4 të mëngjesit.

Ardit Gjebrea: Po çfarë gatuaje që në 4?

Klodiana: Njëherë bëja makarona, por mishin e donte të përditshëm.

Ardit Gjebrea: Në 4 të mëngjesit mish?

Klodiana: Në 4 të mëngjesit por që duhet ta bëja mishin të thekëruar, të skuqur me makarona, po. Duhet ta hante, të bëja edhe kafen gati. Vinte pronari na merrte dhe na çonte te toka, te puna.

Ardit Gjebrea: Kur the që nuk sillej mirë në shtëpi, edhe fizikisht?

Klodiana: Po. Edhe fizikisht, edhe psikologjikisht ka qenë më e vështirë. Me kërcënime nga më të ndryshmet.

Ardit Gjebrea: Po pse, çfarë ndodhte, çfarë bëje ti?

Klodiana: Asgjë s’kam bërë, thjesht kam qenë shumë e urtë, shumë e qetë, thosha hë se do kthejë, hë se kështu, mbase është hera e parë, s’ia di rëndësinë ç’është burri. E duroja me një fjalë.

Klodiana thotë se nuk e denonconte për disa arsye. Së pari, ndodhej në një shtet të huaj dhe kishte frikë të shkonte në polici. Ajo fajësonte veten për sjelljen e tij, por ndërkohë nuk kishte as mbështetje nga familjarët. Ngulmimi i saj për të mbajtur fëmijën, arriti deri në një sjellje barbare nga ish-bashkëshorti.

Klodiana: Durova shumë aty deri në momentin që unë kam ngelur shtatzënë.

Ardit Gjebrea: A të thoshte “nuk do ta mbash këtë fëmijë?”

Klodiana: Po, “fëmijën nuk do ta mbash, jemi me qira, të stabilizohemi njëherë, nuk e dua, tani është herët”.

Ardit Gjebrea: A të ka gjuajtur me shkelma në bark kur ishe shtatzënë?

Klodiana: Po, më ka gjuajtur kur kemi ardhur në Shqipëri, donte që ta hiqja fëmijën.

Kur Klodiana ishte rreth 3-muajshe e gjysmë shtatzënë, çifti u kthye në Shqipëri. Mes kërcënimeve “mua ose fëmijën” nga ish-bashkëshorti, Klodiana zgjodhi foshnjën që priste dhe ai u largua. Një mëngjes, ende pa aguar dita, ish-bashkëshorti u kthye për ta ndëshkuar.

Klodiana: Kam qenë tre muajshe e gjysmë për 4, kisha kaluar, ka qenë mëngjes herët që unë punoja në një restorant dhe e lija punën në 1 të natës dhe deri në 3 të mëngjesit sa binte trupi në qetësi, qaja nga frika, si do e mbaj këtë fëmijë, si e mora përsipër dhe në 4 të mëngjesit i ka rënë derës. Aty gërthita se e pashë, u tremba më shumë por gjatë kësaj pjese, kur merrte në telefon, bënte kërcënime “o hiqe, po të erdha do të të vras” dhe kur ka ardhur aty ka thyer derën dhe më ka gjuajtur. “A të thashë që do të vij të të gjej dhe ti fëmijën duhet ta kesh hequr?”, tha. Më ka gjuajtur, unë kam rënë pa ndjenja.

Ardit Gjebrea: Të ka gjuajtur edhe në bark.

Klodiana: Po. Më gjuajti 2-3 herë, më gjuajti edhe në bark, ka qenë janar, me një palë këpucë siç vishen, si kambale, kanë ardhur komshinjtë. Unë veten e kam parë në maternitet. Kur jam përmendur pas 48 orësh, kam pyetur vetëm për fëmijën. Doktori më ka thënë “bëhu e fortë, të jesh ti mirë fizikisht, qetësohu. Fëmijën e ke mbarë, shumë mirë e ke”.

Klodiana shton se as familjarët nuk iu gjendën pranë sepse i thanë që nëse këtë fëmijë nuk e donte as i ati, atëherë ajo duhej të vepronte siç i diktohej./tvklan.al