#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Një vlerësim i munguar

“Më mungoi vitin e fundit”, Arjelda merr më në fund vlerësimin e munguar

Çdo fund viti, nxënësit e dalluar nderohen me një çmim të veçantë që njeh arritjet e tyre akademike. Një gabim bëri që Arjelda të mos e merrte dot këtë vlerësim të rëndësishëm për të. Megjithatë, surprizat më të mëdha ndodhin vetëm në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Dikush ka organizuar gjithçka që certifikata e vlerësimit të mbërrijë në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Arjelda: Është një dhuratë që e bëjnë gjithmonë, çdo fund viti për nxënësit e dalluar dhe këtë vitin e fundit ishte kjo që më mungoi.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Arjelda: Nuk e di, ndodhi një gabim dhe unë shkova atje në eventin që u bë dhe pastaj nuk mora dhuratën.

Ardit Gjebrea: U mërzite?

Arjelda: Shumë. Tani po qesh, por atë ditë u bëra vërtet shumë keq.

Ardit Gjebrea: Pse?

Arjelda: Ishte një zhgënjim shumë i madh për mua se është diçka që punoj tërë vitin, jo vetëm për këtë, por thjesht si motivim dhe të shkoja atje dhe të mos merrja dhuratën që kisha pritur për kaq kohë… vërtet lëndoi shumë.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë bëre më pas?

Arjelda: Më pas, normalisht qava me orë të tëra  dhe ishte babi pastaj ai që filloi të kërkonte më tepër, çfarë kishte ndodhur dhe…

Ardit Gjebrea: Po pse nuk e kërkove ti vetë, ti je e rritur.

Arjelda: Epo babi im është pak… si ta them, pak natyrë protektive dhe kërkon gjithmonë që të jetë aty për mua.

Ardit Gjebrea: Po kur mos ta kesh babin nesër?

Arjelda: Jo do ta kem. Nuk dua ta mendoj.

Ardit Gjebrea: Mendoje, do kesh princin.

Arjelda: Jo, jo babi do jetë gjithmonë.

Ardit Gjebrea: Epo ty të lumtë goja! Ti nuk e ke idenë sa krenar duhet të ndihet babi yt nëse është duke i dëgjuar këto fjalë tani.

“Tani fillon jeta e vërtetë”, Arjelda mëson nga e papritura

Fëmijët janë krenaria më e madhe e prindërve dhe rasti i Edmondit na e kujton më së miri këtë. Ai ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për vajzën e tij, Arjeldën e cila është 17 vjeçe. Arjelda është nxënëse e shkëlqyer, por për shkak të një gabimi nuk arriti që këtë vit të merrte certifikatën e vlerësimit.

Ajo u mërzit tej mase dhe Edmondi bëri çmos që të zgjidhte situatën në mënyrë që vajza e tij të merrte çfarë i takon. Por përveç certifikatës që e priste Arjeldën në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ishte edhe një mesazh nga i ati për t’i dhënë një mësim të madh për jetën.

Edmond: Ti je krenaria ime, por jo vetëm krenaria ime, e të gjithë njerëzve që të njohin ty. Ti je një vajzë e mrekullueshme…

Ardit Gjebrea: Që më ke ngjarë mua, do thotë babi në këtë rast.

Edmond: Babi sot ty të ka thirrur këtu për të vetmen arsye që të të jap një mesazh, ty dhe gjithë fëmijëve të tjerë, motrës dhe vëllait tënd. Jeta ka të papritura. Siç të ndodhi, mund të ndodhë diçka më e madhe, mund të bëhet padrejtësi në çdo vend por ti nuk duhet të strukesh në padrejtësinë tënde, por duhet të ringrihesh, të ecësh më tutje, të luftosh për atë që ti ëndërron, por ti duhet të jesh më e fortë, më e guximshme sepse tani fillon jeta e vërtetë prandaj mos u struk, ti dhe të gjithë fëmijët.


Aida lë Francën për nënën

E mposhti vetminë vrasëse me gjestin fisnik, Aida: Për 10 vite, nëna u kujdes për vajzat e jetimores

Aida, e cila ndan sot historinë e saj me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”në Tv Klan jeton në Francë që prej vitit 1991. Asokohe kishte vetëm 3 muaj që ishte martuar dhe bashkëshorti i saj shkoi i pari, ndërsa Aida qëndroi me nënën e cila i kërkonte të qëndronte. Pak javë pas ikjes së bashkëshortit, Aida mësoi se ishte shtatzënë. Ajo arriti të shkonte në Francë, solli në jetë edhe një djalë në vitin 1994, por xhelozia e tepërt e bashkëshortit i dha fund martesës.

Megjithatë, shqetësimi kryesor i Aidës mbetej nëna e saj. Ajo kishte emigruar me vajzat në Greqi, por vendosi të kthehej në atdhe. Vetmia ishte vrasëse për të, por arriti të gjente një zgjidhje.

Aida: Mami pas një viti e gjysmë, dy vjet më mbrapa ikën në Greqi, jetuan atje, motrat i kam akoma atje. Mami ndenji nja 10 vjet. Motra e vogël bëri dy çuna edhe ajo, i rriti ato dy çuna dhe pastaj tha “vendi im është aty ku më bëri koka bam, po kthehem”.

Ardit Gjebrea: Dhe mami u kthye.

Aida: U kthye, vetëm. Aty ishte shumë e vështirë, shumë e vështirë, vetmia, filloi ta vriste vetmia shumë.

Ardit Gjebrea: Gjeti një rrugëzgjidhje më duket.

Aida: Po. Ishte para Vitit të Ri, po shihte televizor, pa jetimoren, që tregonin që njerëzit shkonin të merrnin fëmijë për Vit të Ri dhe tha “ja, e gjeta. S’kam fëmijë, mbesa e nipër këtu, do kem më tepër”. Edhe shkoi, foli me drejtoreshën, i tha “a ka mundësi, dua të marr nja 3-4 vajza?” Drejtoresha u habit,  i tha “3-4?! Pse, çfarë ka? Po jo, njerëzit në përgjithësi marrin nga një”. Kur shkoi për të marrë 3-4 fëmijë, me një vajzë drejtoresha kishte probleme, donte të dilte dhe mami e mori më vete duke i folur, “mos ki merak”, i tha, “javës tjetër do të të marr vetëm ty”. Edhe u qetësua dhe në atë kohë drejtoresha i tha  “ua, faleminderit shumë”, “s’ka asgjë, s’bëra gjë”, tha. Kur shkoi të shtunën tjetër dhe me gjithë mend, e mbajti premtimin, e mori dhe pastaj i tha drejtoreshës “a ka mundësi të vij një orë në ditë a si e keni ju që të merrem me vajzat, t’u mësoj si të gatuajnë, si të qepin se do rriten një ditë, do bëhen gra, do bëhen nëna” dhe drejtoresha përnjëherë pranoi, i tha “ua ç’është kjo ide shumë e bukur, me gjithë qejf, me gjithë zemër” dhe pastaj çdo të shtunë mami shkonte merrte 8 vajza, i mbante për drekë, kalonin pasditen, shëtisnin, çdo të shtunë. Për 10 vjet më duket e bëri këtë. U mësonte për të ardhmen, u thoshte “ do bëheni nëna një ditë, mendoni”.

Jeton prej 33 vjetësh në Francë, Aida përgatitet të lërë gjithçka për njeriun më të shtrenjtë

Jeta e Aidës është ndërtuar në Francë që prej vitit 1991. Atje është bërë nënë, ka arritur t’ia dalë mbanë e vetme edhe pas divorcit, të rrisë fëmijët, është rimartuar dhe është bërë gjyshe. Por në këtë panoramë të jetës së saj mbetet vetëm një shqetësim i përhershëm: nëna.

Aida rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” se vetë ajo dhe motrat janë në emigrim, ndërsa nëna nuk pranon të jetojë larg atdheut. Ajo qëndron e vetme dhe Aida ka menduar një zgjidhje që rrallëherë e kemi dëgjuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Aida: Mamit do t’i them që… ngaqë e shoh që vetmia e vret shumë…

Ardit Gjebrea: Do ta marrësh në Francë?

Aida: Nuk vjen, mirë ishte por nuk vjen. Edhe vendosa po të gjej një punë këtu, për aq kohë sa do jetojë, do vij.

Ardit Gjebrea: Pra do vish ti në Shqipëri?

Aida: Po.

Ardit Gjebrea: Ke vendosur të jetosh ti në Shqipëri derisa të marrë frymë mami.

Aida: Po.

Ardit Gjebrea: Po burri?

Aida: Do shkojë, do vijë.

Ardit Gjebrea: Po merre edhe burrin këtu, Shqipëria e bukur është.

Aida: Po por gjithsesi asaj s’i dihet, edhe mundet, edhe mund të vijë se ai s’punon më.

“Heroina ime!”, Aida shpërthen në lot kur sheh imazhin e nënës: Ka dhënë gjakun e trupit për ne

Menjëherë pas transmetimit të dërgimit të ftesës së “Ka Një Mesazh Për Ty” për nënën e saj, Aida përlotet. Ajo na njohu me historinë e saj të emigrimit, të nënës së mbetur vetëm dhe të dëshirës së madhe që e ka sjellë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Nuk është vetëm largësia ajo që e motivon Aidën të lërë Francën për t’i ndenjur pranë nënës, por edhe sakrificat që ajo ka bërë për t’i rritur pa bashkëshortin në krah.

Aida: Heroina ime. Nuk tregova shumë aspekte por… ka dhënë gjakun e trupit për të na rritur.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Aida: Në moshën 17 vjeçe fillova punë, aty ia grisa kartën, kishte një kartë që jepnin gjak. Është boll. Kisha dëshirë të vazhdoja shkollën. Ëndrra ime ishte të isha aktore, por e lashë gjimnazin dhe fillova punë. Ia grisa kartën, i thashë stop. Mamaja ime është ndarë me babin tim kur isha 10 vjeçe. Isha 10 vjeçe.  Motrën e madhe e kisha 15, të voglën 5. Pa… domethënë që të them me veten time unë jam tani, por sikur më lindi vetë, vetë vinte natyrisht, gjëmoja prapa motrën e madhe mos ta ngacmonin çunat, motrën e vogël, mora vendin e babait dhe prandaj u detyrova pastaj të ndaloj shkollën, gjimnazin, thashë të filloj punë.

Rriti e vetme 3 vajza, Aleksandra: Nuk i thosha as nënës nëse flinin pa bukë, këpucët ua sajoja vetë

Aleksandra e ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e “Ka Një  Mesazh Për Ty”. Shtangia e saj më e madhe ishte momenti kur zbuloi se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, qëndronte vajza, Aida për të cilën mendonte  se ishte rikthyer në Francë.

Vetmia e ka lodhur Aleksandrën, por nga ana tjetër ajo tregon se edhe në këtë formë, ia ka dalë të rrisë tre vajza, pa ndihmën e askujt.

Aida: Ke qenë shoqja, mikja, si i thonë…besimtarja ime që ia thoja të gjitha se goca të reja, kur jemi të reja dalim me shoqe. Sa vija sikur rrëfehesha, i dije të gjitha.

Aleksandra: I kam trajtuar si shoqe, pastaj nënë, pastaj babë. Kështu ishte fati, isha nënë dhe babë për to. I falenderoj shumë dhe u jam shumë mirënjohëse se s’më kanë kundërshtuar një herë, normale për të mirë që u flisja. Por ato ishin të reja, donin plazhin, donin të dilnin, unë s’i lejoja. Vinte vajza e madhe me të shoqin, unë s’i lejoja këto të dyja, kur të fejohen të shkojnë me të zotët e punës. Tani, ngaqë jeta më vrau thosha që t’i kisha sa më të rregullta, sa më të mira. Por asnjëherë qortim, vetëm shoqe dhe mendoja po sillem shoqe që çfarëdo t’u ndodhë në shoqëri, të vijë të ma tregojë.

Ardit Gjebrea: Epo sot ka ardhur se të ka gjetur një shok në Francë.

Aleksandra: Uuu, Ardit nga ajo anë më kanë lodhur, edhe në Greqi kur isha e ma punonin, shkonim pinim kafe të më prezantonin…Ardit, e kam stakuar trurin që 35 vjeçe. Mbaroi ai muhabet! Kur s’të ngroh dielli i themi ne andej në mëngjes, s’më ngrohu edhe i drekës, Ardit në darkë perëndon dielli, nuk të ngroh.

Publiku: Bravo!

Ardit Gjebrea: “Bravo” thonë zonjat.

Aleksandra: Bravo, tamam. Vajzat m’u rritën…

Ardit Gjebrea: Jo, me këtë “bravo” u trishtova se kuptova që paska edhe këtej që nuk i ngroh dielli.

Aleksandra: Dëgjo Ardit, përgjithësisht ne gratë shqiptare duhet ta pranojmë këtë sidomos brezi im njëherë po e po, por që më pëlqen. Se çfarë bën tjetri, nuk më intereson, unë jam unë dhe mua më pëlqen ky ritëm i jetës time.

Ardit Gjebrea: Vetmia të mërzit?

Aleksandra: Më mërzit se kam edhe shumë diagnoza se Ardit, mua më ka lodhur shumë jeta se kam qenë një natyrë që nuk doja që edhe mamaja të dinte nëse unë i vija fëmijët pa bukë. Ngrihesha herët, shkoja te kazanët, mblidhja gomat që i merrja në punë e i pastroja që u bëja sandale e këpucë. Vetë, në shtëpi. Kështu që ajo lodhje tani do dalë, normale plus edhe mosha se s’jam e vogël, jam goxha.

Aida nuk do t’i kërkojë nënës të vijë me të në Francë sepse ajo është e vendosur për mos t’u larguar nga Shqipëria, edhe pse jeton krejt e vetme. Ajo dëshiron që për pjesën e mbetur të jetës së nënës së saj të kthehet në Shqipëri për t’i qëndruar pranë, një kërkesë që pranohet me shumë dëshirë nga Aleksandra.

/tvkla.al