Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan vjen historia e një vajze 25-vjeçare, Romilda Ndoj nga Rubiku. Romilda është një nënë e re, ka një vajzë 3 vjeç. Historia e saj nis me të atin e larguar para 18 vitesh në emigrim në Greqi, për të cilin sot nuk di asgjë, as adresën e saktë.

Arsyeja e ardhjes së saj në studio është e ëma, zonja Martina, e cila që pas ikjes së bashkëshortit të saj, vendosi të punonte në dy turne për të përballuar jetesën. Kështu ishte Romilda që u bë shtylla e shtëpisë për të ndihmuar atë dhe të vëllain, ndërsa shpresa e tyre nuk është zbehur ende. Për shkak të një operacioni, nëna e Romildës nuk punon, ndërsa vëllai i saj është larguar për në emigrim. Sot, vajza e saj kërkon ta falënderojë dhe t’i shprehë mirënjohjen për çdo sakrificë që ajo ka bërë gjatë këtyre viteve.

Romilda: Mami nuk dua të të shikoj lot në sy. Arsyeja që unë të kam sjellë sot këtu është të të falënderoj publikisht për të gjitha gjërat që ti ke bërë për ne, je mami më e mirë në botë. Ne të kemi shumë xhan, do të të jemi pranë gjithmonë.

Ardit Gjebrea: Martina, ti i ke rritur fëmijët me shumë sakrifica. Vajza jote na tregoi historinë edhe pak të çuditshme të familjes, të bashkëshortit tënd. Akoma e pret?

Martina: Kam dy fëmijë me të.

Ardit Gjebrea: E di. Ke shpresa që ai do të kthehet?

Martina: S’e di.

Ardit Gjebrea: Nëse ai është duke na parë në këto momente, do të kishe ndonjë mesazh për t’i dhënë? Qoftë edhe një fjalë.

Martina: Deri në momentin që gocën e kam martuar, për çdo pjesë të familjes që kam bërë në shtëpi, i kam treguar, kam folur me të, më ka thënë se nuk do të vijë, nuk erdhi, ç’të bëjmë.

Ardit Gjebrea: Ke folur me të? Ke folur shpesh apo rrallë?

Martina: Rrallë.

Ardit Gjebrea: I ke treguar për sakrificat që ke bërë për fëmijët?

Martina: Për të gjitha.

Ardit Gjebrea:Si ka reaguar? E quan bashkëshorti apo ish-bashkëshorti? Çfarë është për ty?

Martina: S’di çfarë të them.

Ardit Gjebrea: Mirë, unë po them burri se në qoftë se do ishte ish-burri, do ta kishe thënë me gojën plot, por edhe pse i ke rritur e vetme dy fëmijët, prapë nuk ta bën zemra ta thuash dhe të kuptoj shumë mirë. E pashë që në sy që të thashë kush mendon që të jetë dhe e kuptova shumë mirë, por unë shpresoj që një ditë të ndodhë ajo që ti dëshiron brenda zemrës tënde dhe nëse do të ndodhë, të lutem na e thuaj sepse ne tashmë jemi një familje dhe jetojmë me njëri-tjetrin./tvklan.al

Ka nje mesazh per ty – “Me fal bir”, nena i jep kursimet e fshehura (17 Tetor 2021)

Një tjetër histori që preku studion e “E Diela Shqiptare” në Tv Klan gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” ishte ajo e Stolisë, e cila vjen me një mesazh për djalin e saj të madh. Siç ajo rrëfen, ai ka qenë gjithnjë i lidhur pas familjes, ka vuajtur nga problemet me shëndetin e gjithashtu edhe ka vuajtur vështirësitë ekonomike të familjes.

Ajo kërkon t’i kërkojë falje të birit sepse ndihet fajtore për fëmijërinë e humbur të djalit të saj e rritjen që nuk ishte njësoj si moshatarët e tij. Ndihet fajtore sepse për shkak të pamundësisë ekonomike ka gënjyer të birin për shkollimin e tij duke i thënë se po interesohej për të ditur kriteret, por ndërkohë nuk bënte asnjë hap.

Sot, duke qenë në një gjendje më të mirë ekonomike pasi Stolia, djali i madh dhe bashkëshorti ndodhen në punë. Stolia madje bën një punë të dytë që pagesën mujore të të birit mos ta prekë e t’ia kursejë, ndërsa ai nuk është në dijeni të kësaj.

Stolia: Unë të kërkoj falje sepse nuk t’i kam plotësuar të gjitha kushtet që ti ke dashur. Të kërkoj falje që ti ke pasur një fëmijëri shumë të vështirë. Të kërkoj falje që gjithë kohën ti nuk ke pasur turp që të rrije të punoje me ne në rrugë, shisje me mua dhe me babin. Të kërkoj falje që nuk të kam futur në stërvitje futbolli dhe në shkollë të lartë, por të kam gënjyer gjithë kohën duke thënë “do të të çoj këtë vit, do të të coj vitin tjetër”. Unë të dua shumë, më shumë se jetën time, si unë dhe babi. Ne të dy e diskutojmë dhe themi që “le të shikoj Ervinin të rregulluar dhe të vdes” sepse ai tjetri i janë plotësuar më mirë kushtet sepse ka qenë më ndryshe. Mami lekët që ke punuar ti nuk të ka prishur asnjë lek, prandaj edhe bëj punë të dytë që më thua ti “mos puno, pse punon kaq shumë”. Unë ato lekë që ke punuar ti, t’i kam mbyllur në një llogari bankare. Unë nuk dua që ti të mërzitesh, unë do të punoj sepse jam e re sot, unë dua që ti të jesh i pavarur, të krijosh familjen tënde, të shikosh jetën tënde. Unë, babi dhe vëllai do të ecim përpara vetë, vetëm ti të rregullohesh. Unë këtë dua nga ti, nuk dua të të shikoj të stresuar. Kur të shoh ty të stresuar, nuk di si bëhem sepse nuk kam pasur asgjë mundësi dhe kjo më bën fajtore karshi teje.

Ardit Gjebrea: Çfarë do t’i thuash mamit tënd?

Ervin: Unë do t’i thoja mamasë që është gjëja më e shtrenjtë në botë, bashkë me babin dhe me vëllain. Edhe pse ka qenë një fëmijëri e vuajtur për mua, unë prapë jam krenar për ata prindër, vuajtja dhe stresi e nxjerrin njeriun në jetë sepse po nuk vuajte që fëmijë nuk di për jetën, si të ecësh më tutje. Nuk jam lakmitar që vëllai është më i mirë se unë, një ditë me shpresën e Zotit do të rregullohem./tvklan.al