#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.#tvklan

E vërteta e Elgës

Burri refuzoi ftesën për të ardhur në program, Elga dorëzohet: Ky ishte hapi im, ndoshta i fundit drejt tij

Elga erdhi në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të treguar të vërtetën e saj dhe për të shpëtuar një dashuri të madhe. Prej 3 muajsh ajo ka humbur kontaktet  me bashkëshortin, të cilin u detyrua që ta gënjente për identitetin e dikujt që fshihej pas telefonatave shqetësuese që i bënin shantazh për një akt naiv të së kaluarës.

Kjo gënjeshtër, e konsideruar e pafalshme nga Irakliu dhe familja e tij, e solli Elgën në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan ku ajo rrëfeu të gjitha arsyet . Irakliu e refuzoi ftesën për të ardhur duke u shprehur i prerë se nuk tërhiqet nga vendimi i tij ndaj nëpërmjet ekranit, Elga ka një mesazh të fundit për të.

Elga: Unë, që ky gabim i imi, nuk më bën njeri më të keq, siç më sheh ai tani mua, si një gënjeshtare, si një manipuluese, nuk e di. Ky ishte hapi im drejt tij, ai mund ta shohë si të dojë ardhjen time këtu, edhe familja e tij. Ky ishte hap, hapi im, ndoshta edhe i fundit drejt tij.

“E kam mendjen të mbledhur, nuk jam më i lëkundur”, reagimi i bashkëshortit të Elgës

Me shpresën se dashuria e saj me Irakliun e ka ende një mundësi, Elga trokiti në derën e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan për të gjetur një urë komunikimi  me të. Mesazherja e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” u nis menjëherë drejt Vlorës për të ftuar Irakliun në program, por nuk gjeti askënd në shtëpi. Rexhina priti dhe askush nuk u shfaq. Atëherë, telefonoi Irakliun për t’i përcjellë ftesën dhe përgjigjja nuk ishte aspak ngushëlluese për Elgën që e sheh nëpërmjet ekranit.

Irakli: Ohoo lëre, e mora me mend kush e ka… jo, jo s’jam dakord , jo. Unë e marr me mend kush e ka bërë këtë tashi. Unë i kam sqaruar muhabetet me atë njeri. Ai s’duhet të… të vazhdojë deri këtu, ku di unë çfarë e mendon, nëpër mendje. I duket zgjidhje kjo, nuk e di çfarë i duket, por nuk është zgjidhje.

Rexhina: Nuk keni mundësi që të vini, të takohemi, të flasim?

Irakli: Unë jam në Vlorë.

Rexhina: Po në Vlorë jemi edhe ne se për ju kemi ardhur posaçërisht.

Irakli: Çfarë thua? Jo moj?!

Rexhina: Jemi përballë derës së shtëpisë, prandaj.

Irakli: Nuk kam interes dhe kot sa t’ju mundoj dhe kot sa të… e kam mendjen të  mbledhur për të gjitha, prandaj. Nuk jam më i lëkundur apo… se e di kush e bën.

Prishi një martesë, Gjebrea-shantazhuesit: Çfarë do të bësh nëse unë publikisht do të të demaskoj ty?

Një fotografi e dërguar drejt njeriut që pëlqente kur ishin ende adoleshentë, i solli Elgës prishjen e martesës së saj të lumtur me Irakliun. Në historinë e ndarë në “Ka Një  Mesazh Për Ty”, ajo tregoi se si ky njeri i së shkuarës i shkruante vazhdimisht, e kërcënonte që të hiqte të gjitha bllokimet virtuale ndaj tij dhe i bënte shantazh se fotoja do të përfundonte në rrjetet sociale.

Nisur nga kjo ngjarje, moderatori i programit  “E diela shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea ka një përgjigje të fortë publike jo vetëm ndaj këtij njeriu që me një telefonatë mundi të shkatërronte një çift, por edhe kundrejt të tjerëve në kategorinë e tij që veprojnë njësoj.

Ardit Gjebrea: Pra Elga ky është motivi përse unë insistova që ti ta thoje këtë histori sepse mund të ndodhë dhe ka shumë të rinj apo të reja  që në një moment mund të bëjnë një foto dhe ia dërgojnë dikujt dhe ky person e merr dhe e shantazhin dhe thotë që nëse ti nuk bën këtë gjë që dua unë, unë këtë  foto do ta publikoj. Po publikojini ato foto, e çfarë pastaj? Po sikur unë tani të kërkoj emrin tënd, o njeri, që ke shantazhuar këtë vajzë dhe i ke prishur jetën me bashkëshortin e saj, çfarë do të bësh ti, në qoftë se unë  publikisht, tani do të të demaskoj ty?

“Do përfundonte në Facebook me etiketimin tim”, shantazhi që i shkatërroi martesën Elgës

Një telefonatë nga djali  që pëlqente në moshën 16-vjeçare shkaktoi një krisje të madhe në marrëdhënien e Elgës dhe Irakliut. Kjo është edhe arsyeja pse ajo ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, për të ndarë të vërtetën e saj mbi këtë histori që e ka bërë Irakliun që prej 3 muajsh të ndërpresë kontaktet me bashkëshorten.

Një djalë që Elga pëlqente kur ishe 16 vjeçe, e telefonoi në një orë të vonë të natës edhe pse e dinte se ajo bënte një jetë të lumtur me  bashkëshortin e saj. E shqetësuar dhe e frikësuar nga reagimi i Irakliut, Elga vendosi të mos i tregonte të vërtetën rreth telefonatës, por pas kësaj qëndronte diçka më e  madhe. Një fotografi, të cilën ky njeri pa emër e mbante ende në celularin e tij për të shantazhuar Eglën dhe ajo përpiqej të gjente një zgjidhje për të gjitha bezdisjet e shkaktuara.

Ardit Gjebrea: Të shantazhonte me diçka?

Elga: Po.

Ardit Gjebrea: Do doja që ta tregoje, të pyeta sepse unë e di, por do doja që ta tregoje të vërtetën deri në fund.

Elga: Po, kjo është edhe një nga arsyet pse kam ardhur, të tregoj të vërtetën time. Po, me një foton time që unë me shumë mendjelehtësi, naivitet ia kisha dërguar në atë kohë.

Ardit Gjebrea: E qartë dhe kjo foto, ishte akoma në celularin e tij.

Elga: E tij, në timin jo.

Ardit Gjebrea: Dhe ai çfarë bëri?

Elga: Ne, pas disa muajsh, atëherë kur isha 16 vjeç nuk  folëm më, u ndanë rrugët tona se ne u zhvendosëm dhe ai u zhvendos me familjen e tij. Deri para 3 vitesh ishte hera e parë që më foli, por unë për foton nuk dija gjë, mendoja se e kishte fshirë a nuk  e di.

Ardit Gjebrea: Dhe ai ta rishfaq këtë foto.

Elga: Ma rishfaqi tani, po.

Ardit Gjebrea: Me cilin motiv?

Elga: Që unë t’i hapja telefonin, mos ta bllokoja më sepse e kisha bllokuar në disa rrjete sociale.

Ardit Gjebrea: Sepse përndryshe ai çfarë do  bënte?

Elga: Sepse përndryshe ai më tha që fotoja ime do përfundonte në Facebook me etiketimin tim, ta shikonin të gjithë dhe sigurisht që mua më erdhi turp.

‘E shkuara’ i telefonoi në mes të natës, prej 3 muajsh nuk flet me burrin: Vendosa ta gënjeja

Një dashuri e madhe dhe e vërtetë e ka sjellë Elgën nga Gjermania në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan. Në moshën 17-vjeçare, teksa kurorëzohej një martesë, Elga përjetoi dashurinë me shikim të parë me Irakliun. Një vit më vonë, nisi një lidhje mes tyre sepse ndihej njësoj si ta kishte njohur prej kohësh, shpjegoi më herët në  “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Për të nuk ishte pengesë fakti që Irakliu është 15 vite më i madh dhe as distanca fizike ndërmjet tyre. Pas pandemisë dhe celebrimit, të dy morën vendimin që të bashkëjetonin në Gjermani dhe Irakliu të largohej nga Shqipëria. Elga gjeti folezën e tyre të re, u kujdes të mos mungonte asgjë por e gjithë qetësia e çiftit u prish nga një telefonatë në një orë të vonë të natës dhe prej afro 3 muajsh, nuk janë më bashkë.

Elga: Unë kam dy muaj e gjysmë që nuk kam më kontakt prej një zënke që ndodhi në fund të Tetorit. Ai vendosi që për një gabim timin, e quajti të pafalshëm…

Ardit Gjebrea: Më trego pak për këtë gabim tëndin.

Elga: Do ta tregoj, patjetër. Ishte një gënjeshtër, e gënjeva dhe ai si burrë nga Vlora, me atë krenarinë e tij, e quajti të pafalshëm gabimin tim dhe në atë moment vendosi të mbyllte çdo gjë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ishte kjo gënjeshtër, mund të ma tregosh?

Elga: Gënjeshtra ishte një telefonatë, një bezdisje nga dikush i kohës time të shkuar në një orë të vonë të natës.

Ardit Gjebrea: Prit pak. The për Irakliun që ishte dashuria e parë, ndërkohë the nga dikush i kohës time të shkuar.

Elga: Po, nga një pëlqim i imi fëminor.

Ardit Gjebrea: Nuk ka qenë një marrëdhënie?

Elga: Jo, nuk ka qenë një marrëdhënie.

Ardit Gjebrea: Ka qenë një pëlqim fëminor i yti?

Elga: Po, sigurisht, 16 vjeçe dhe e pëlqeja këtë djalin.

Ardit Gjebrea: Në Gjermani ishte edhe ky?

Elga: Po, në Gjermani.

Ardit Gjebrea: Ky djali që ti e pëlqeje?

Elga: Po, që e pëlqeja, e kisha shokun tim të ngushtë.

Ardit Gjebrea: Ah e kishe shok të ngushtë këtë djalin?

Elga: Po, kjo ishte marrëdhënia jonë, një pëlqim dhe një shoqëri shumë e sinqertë.

Ardit Gjebrea: Ai të merrte në telefon?

Elga: Ai nuk është hera e parë që më bezdisi tani, edhe para 3 vitesh më shkruante, më thoshte, unë i thosha që unë jam shumë e lumtur, jam me dikë tjetër, duket edhe në rrjetet e mia sociale, fotot tona bashkë dhe ai dorëzohej, nuk shkruante më derisa më shkruajti prapë para 3 muajsh, më mori në telefon dhe në atë moment, kur Irakliu më pyet që “kush po të merr”, unë vendosa që të gënjeja./tvklan.al

Gjergji kërkon vajzën

Pas më shumë se 20 vitesh, “Ka Një Mesazh Për Ty” gjen vajzën e humbur të Gjergjit

Gjergji, babai i cili erdhi në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të gjetur vajzën nga martesa e dytë që nuk e ka parë prej 20 vitesh, nuk e kishte idenë se pas ekranit e priste edhe vajza e tij e madhe. Siç iu rrëfye moderatorit  të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, ai ndihej tejet i vetmuar në azilin në Shkodër ku qëndron.

Por Jetmira, vajza që ka nga martesa e parë me të cilën është ribashkuar pas 33 vjetësh, nuk e  ka lënë vetëm në këtë ditë. Ajo ndau pjesën e saj të historisë përpara se Gjergji të hynte në studio dhe shprehu dëshirën për të njohur motrën e saj, Lilianën.

“Ka Një Mesazh Për Ty” ka mundur të bjerë në gjurmët e Lilianës dhe ta gjejë duke realizuar dëshirën e dy të pranishmëve.

Pas një përqafimi, babë e bijë pritën me padurim ardhjen e Lilianës, e cila e ka pranuar ftesën e programit. Në çastin kur në ekranin përballë saj shfaqen imazhet e dy njerëzve që mezi presin ta takojnë, Liliana njeh vetëm të atin.

Ardit Gjebrea e vuri në dijeni për Jetmirën dhe lidhjen e saj me të. Më pas, duke i cituar dëshirën e Gjergjit për ta përqafuar, Liliana refuzoi. Megjithatë, refuzimi i saj u pasua nga kërkesa për t’i takuar babanë dhe motrën pa praninë e kamerave, e cila u mirëprit menjëherë.

“Vdes me merak ta shoh njëherë”, me lot në sy babai kërkon bijën që nuk e ka parë prej 20 vjetësh

Gjergji, babai i Jetmirës ka ardhur në rubrikën e “Ka Një Mesazh Për  Ty” të “E diela shqiptare” në Tv  Klan për të kërkuar vajzën nga martesa e dytë me të cilën ka humbur kontaktet. Prej vitesh, ai qëndron në një azil në Shkodër me një dëshirë shumë të fortë që veç Jetmirës, vajzës që ka nga martesa e parë dhe ka mundur ta njohë, të takojë Lilianën, vajzën nga martesa e dytë. Për më shumë se 20 vjet, ai nuk e ka takuar dot Lilianën.

Gjergji: Jam me shumë vuajtje tash e disa vjet, rri në azil pleqsh në Shkodër, dal para këtij populli se kam 20 e ca vjet që nuk shoh një fëmijë. Brenda Shqipërisë është, e ka privatizuar e ëma. Është e sëmurë me epilepsi, kam vuajtur shumë në spitale me të.

Ardit Gjebrea: Më trego pak, kjo vajzë është e vetmja që ti ke?

Gjergji: Jo, kjo është e dyta. Edhe me të parën kështu kam vuajtur. 11 Prill ’85 datëlindja, më 12 Qershor e ka marrë e ëma, Kristina. Nga kushtet e vështira, ajo ishte shumë e re, nuk kishte mundësi për të jetuar në Orosh të Mirditës.

Gjergji tregon se ai ishte 37 vjeç kur e ka njohur Kristinën, ndërsa ajo 17 dhe shkas janë bërë  prindërit e tyre. Ai konfirmon  tregimin e Kristinës se jetesa me prindërit e tij ishte shumë e vështirë për një vajzë të re ndaj dhe ajo mori Jetmirën  e u largua. Ai u rimartua me një grua tjetër dhe në jetë erdhi Liliana, vajza tjetër që është arsyeja  pse ai ka ardhur.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin vajza?

Gjergji: Liliana.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin vajza  e parë?

Gjergji: Jetmira.

Ardit Gjebrea: Ti ke Jetmirën dhe Lilianën.

Gjergji: Po.

Ardit Gjebrea: Këto dy vajza ke?

Gjergji: Këto dy vajza kam.

Ardit Gjebrea: Jetmirën e ke takuar, Lilianën nuk e ke takuar. E ke kërkuar?

Gjergji: Për ta kërkuar, e kam kërkuar boll. Por ma ka mbyllur derën njëherë e mirë dhe nuk e gjej më. Vdes me merak që ta shoh atë fëmijë njëherë, nuk ia prish jetesën në botë, nuk dua asgjë prej gjëje, veç ta shoh, të kem një fotografi, kur të jem te azili ta shoh. Nuk i prish qetësinë askujt në botë.

Ardit Gjebrea: Ti vetëm do që ta takosh njëherë në jetë?

Gjergji: Unë dua vetëm që ta takoj njëherë në jetë.

Babai kërkon bijën nga martesa e dytë, vajza e parë vjen ta mbështesë

Jetmira ka ardhur në “Ka Një  Mesazh Për Ty” për të takuar babain e saj, Gjergjin. Në  këtë rubrikë të  “E diela shqiptare”  në Tv Klan, ajo shoqërohet edhe nga nëna e saj, Kristina dhe vëllai, të cilët janë të pranishëm në studio, në një pozicion nga ku Gjergji nuk mund t’i dallojë.

Martesa mes Gjergjit dhe Kristinës ka përfunduar vite më parë dhe fryt i saj është Jetmira. Më pas, ai u martua me një grua tjetër dhe lindi një vajzë nga ky kurorëzim. Gjergji nuk ka kontakte me vajzën e tij të dytë dhe  ka ardhur ta kërkojë, ndërsa nga ana tjetër e ekranit e pret Jetmira.

Kjo e fundit,  bën të ditura disa detaje të historisë nga takimi i parë me të atin. Ajo është në dijeni se ka një motër tjetër dhe se ajo është arsyeja pse Gjergji ka ardhur në studio.

Ardit Gjebrea: Kur e ke zbuluar që ke një motër tjetër?

Jetmira: Në momentin që jam njohur me babin, që në momentin e parë më ka treguar të vërtetën që ka qenë i martuar, kam një vajzë më tha që është, në atë kohë kur unë e kam takuar tim atë, ime motër mund të ketë qenë 21-22 vjeçe sepse për momentin 25-26 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Sot është 25-26 vjeçe?

Jetmira: Po. Dhe që më ka treguar që është edhe me epilepsi dhe është nën kujdesin e të ëmës. I kam thënë që hajde shkojmë të dy ta takojmë, ka pasur pjesën e frikës që të vinte dhe…

Ardit Gjebrea: Ndërkohë babi jeton në azil?

Jetmira: Po.

Ardit Gjebrea: Në Shkodër?

Jetmira: Po.

Ardit Gjebrea: Për çfarë kishte frikë?

Jetmira: Sepse mesa më ka treguar im atë, djali që zonja ka, ka vënë dorë mbi të dhe ai ka pasur frikë që të shkojë dhe ta takojë drejtpërdrejt.

Ish-bashkëshortja sjell vajzën për të takuar babain, kurse i ati kërkon vajzën tjetër nga martesa e dytë

Një histori disi e komplikuar vjen sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga”E diela shqiptare” në Tv Klan. Gjergji dhe Kristina janë prindër të një vajze të quajtur Jetmira dhe janë ndarë me njëri-tjetrin prej disa vitesh.

Sipas zonjës Kristina, shkak u bënë kushtet ku ata jetonin dhe ish-vjehrri. Ajo thotë se pavarësisht se nuk e ka parë kurrë më pas ndarjes Gjergjin, nuk e ka penguar asnjëherë vajzën e saj të mbajë kontaktet me të atin, i cili jeton aktualisht në azil. Sot, Gjergji ka ardhur në studio për të kërkuar vajzën që ai ka me gruan e dytë, pa e ditur se Jetmira do të jetë aty. Surpriza do të jetë e dyfishtë, si për Gjergjin ashtu dhe Jetmirën e cila nuk e ka takuar kurrë motrën e saj nga babai.

Kristina: Para ca viteve isha e martuar me Gjergjin, linda një vajzë Jetmirën në ’85-ën. U ndava se ashtu ishin rrethanat se ishim në një fshat ku nuk mund të jetoja me të. Mora çupën dhe u largova. Prej asaj dite unë nuk e takova më Gjergjin por vajza vijonte ta kërkonte babanë dhe unë nuk e ndalova asnjë ditë, derisa e gjeti një ditë babanë.

Ardit Gjebrea: Sot në studio do vijë Gjergji, ish-bashkëshorti yt, ti komunikon me të?

Kristina: Nëpërmjet telefonit te azili, po edhe e kam takuar me çupën.

Ardit GjebreaNjë marrëdhënie e jashtëzakonshme kjo sepse është shumë e rëndësishme. Shqiptarët kur ndahen, në pjesën më të madhe, ruajnë inate e nuk takohen.

Kristina: Po ato kushte në ato kohë ashtu ishin… Familja nuk ishte shumë e rregullt, babai i tij na sulmonte shumë dhe u detyruam të ndaheshim.

Ardit Gjebrea: Ti nga qyteti ike në fshat. Gjatë publicitetit Kristina më tregoi që nuk e njihte Gjergjin, ia dha familja, e takoi për herë të parë. Dysheku i parë ishte prej kashte dhe nga ajo vajza që ëndërronte princin e kaltër përfundon me dikë që nuk e njeh dhe në fund të ditës nuk iu bë princ. Por u bë babai i një vajze me emrin Jetmira. Ti sot ke ardhur me Jetmirën?

Kristina: Po me Jetmirën.

Ardit GjebreaGjergji nuk e di që ju jeni të dyja këtu. Sepse Gjergji nuk ka ardhur për ju, ai ka ardhur të kërkojë vajzën me gruan e dytë. Dhe që Jetmira nuk e ka takuar motrën asnjëherë. Pra imagjinoni çfarë surprize e dyfishtë do të jetë, edhe për Gjergjin edhe për vajzën tënde Jetmira.