#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Nëna shiste gjakun e saj që të na rriste”, një histori mbijetese: Çaja dru për dymijë lekë

Anxhela nuk di as shkrim, as këndim, por gjeti një mënyrë për të kontaktuar “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe të rrëfejë historinë e saj. “E diela shqiptare” në Tv Klan kësaj here është zhvendosur jashtë studios dhe ka shkuar drejt Teatrit të Operas dhe Baletit për ta takuar. Me një qese në dorë, Ardit Gjebrea takon Anxhelën, e cila nis të tregojë se si është të mbijetosh çdo ditë me lëmoshën e njerëzve, duar që zgjaten për ca monedha apo për të rrëmuar në koshat e mbeturinave.

Ardit Gjebrea: Ti ke lindur në Korçë, apo jo? Sa fëmijë keni qenë në shtëpi?

Anxhela: Po. 8 fëmijë.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote?

Anxhela: Babi më ka vdekur kur isha 6-7 vjeçe. Mamaja detyrohej të shiste gjakun e trupit që na rriti ne 8 fëmijët, gjysmë kile gjak, dyzetmijë lekë.

Ardit Gjebrea: Të vjetra?

Anxhela: Po. Në momentin që ne u rritëm një çikë, dilnim, lypnim, lanim, pastronim.

Ardit Gjebrea: Në Korçë?

Anxhela: Po, në Korçë, në fëmijëri. Pastaj kur dilte zonja që i thoshte mamasë “hajde Moza të japësh gjak”, ne nuk arritëm ta linim më sepse arriti në një fazë ekstreme mamaja, sëmundjet filluan radhë ato gjëra.

Ardit Gjebrea: Ngaqë jepte gjak pa ndalur?

Anxhela: Po, një ditë po, një ditë jo. Pastaj u detyruam të çaja dru, ngjitesha në kat të pestë për dymijë lekë, i stivonim, që i jepnim një ndihmë nënës. Arrita në moshën 16-vjeçare, u martova që t’i jepja një ndihmë familjes.

Në moshën 18-vjeçare, Anxhela u bë nënë e një djali dhe më pas erdhën 4 fëmijë të tjerë, prej të cilëve vetëm një vajzë. Ndërkohë, jeta ishte edhe më e vështirë.

Anxhela: Burri ishte i sëmurë. Ka që në fëmijëri që vuan nga astma, qëkur ka lindur. Nga peshat e rënda iu shkëputën 4 rruaza të kurrizit dhe jam detyruar pastaj vetë burrë, vetë grua. Ata fëmijë donin të hanin, me të lypur, me plehra, me kanaçe, me të gjitha. I falënderoj të gjithë ata njerëz që kush ka pasur mundësi, me 50 lekë, me 100 lekë se për familjen time ishte shumë e madhe. Edhe për plehrat që gjeja e haja dhe akoma ashtu trajtohem përsëri./tvklan.al

“Nuk ia fal vetes që nxora në dritë 5 fëmijë”, Anxhela: Më është mërzitur jeta

Marsi dhe Ledioni, dy njerëz që panë vuajtjen e Anxhelës, vendosën t’i zgjasin dorën dhe ta ndihmojnë për ta  nxjerrë nga rruga, për ta larguar nga lypja, kërkimi në koshat e mbeturinave apo kanaçet. Sic tregon Anxhela gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty”, por jo në studion në Tv Klan të  ”E diela shqiptare”,por nga shtëpia e saj e dikurshme në lagjen “Bregu i Lumit”, ata shkuan deri atje. Një vend i improvizuar me mushama për t’u mbrojtur nga shiu dhe me një dollap për të bllokuar të ftohtin nga dritarja që nuk ndodhet aty.

Çifti bamirës shkoi herën e parë me disa gjëra të vogla për Anxhelën dhe familjen e saj, ndërsa kishin në mendje një plan më të madh. Nga ana tjetër, Anxhela rrëfen se është lodhur nga një jetë vetëm në luftë, por ka edhe një brengë të madhe që nuk ia fal vetes.

Anxhela: Më ka ardhur në datën 24 për Krishtlindje më kanë sjellë ushqime pafund.

Ardit Gjebrea: Kushedi sa u gëzuan fëmijët!

Anxhela: Po, lloj-lloj gjërash, banane, gjalpë, çdo gjë më sollën. Nuk më thanë  sërish që do më hiqnin që këtu, fare. Kur më thanë “Anxhela, çfarë do dëshiroje të kishe dhe të shikoj, vetëm loton?” I thashë, “ç’të dëshiroja?  Do i lutesha Zotit të kisha vetëm një banesë se nuk kam çati mbi kokë. Edhe të vdisja, t’i lija fëmijët me një  çati mbi kokë, sado e pabanueshme, vetëm si vend ta kisha timen, mos t’i lija kështu fëmijët, në mes të katër rrugëve” sepse kam bërë një gabim më të madh që nuk ia fal vetes, që kam bërë 5 fëmijë që i nxora në dritë. Dhe këtë nuk ia fal vetes që i nxora në dritë sepse jeta është shumë e vështirë për t’i rritur. Nuk mbahet gjithmonë familja vetëm me plehra, me kanaçe, duke lypur.

Ardit Gjebrea: Anxhela, nuk ke mundur të bësh diçka tjetër?

Anxhela: Ma gjeti Marsi edhe një punë për mua, pastruese, kam vajtur.

Ardit Gjebrea: Përtej kësaj, ti për vete mendoje, apo nuk shikoje dritë jeshile fare?

Anxhela: Fare, fare. Tërë jeta më ka ikur, ç’të të them, më është mërzitur jeta, po ta them drejtësisht. Fare, më është lodhur edhe truri vetëm nga hallet, vetëm nga problemet. Shoqet e mia s’janë martuar akoma unë i futa vetes gjithë këto strese, gjithë këto halle./tvklan.al

“Djali pësoi hemorragji, lashë punën si pastruese”, Anxhela: U riktheva te plehrat, fitoj më shumë

Tashmë, “Ka Një Mesazh Për Ty” është zhvendosur nga shtëpia e dikurshme e Anxhelës tek “Bregu i Lumit” në lagjen “Ali Demi”. Në këtë lagje, Marsi dhe Ledioni, dy njerëzit që shpëtuan Anxhelën nga gjendja e mëparshme, gjetën një shtëpi për të, bashkëshortin dhe 5 fëmijët e saj, të cilës i paguajnë qeranë dhe faturat. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi dhe Anxhela sot gjendet sërish në vështirësi, por rrethanat i sqaron gjatë rubrikës nga “E diela shqiptare”  në Tv Klan.

Ardit Gjebrea: Të bëra një pyetje dhe të thashë e kishe menduar ndonjëherë që të ikje nga rruga, të ikje nga kazanët, të gjeje një punë dhe Marsi të gjeti një punë.

Anxhela: Më gjeti një punë Marsi, si më solli këtu, si vazhdoi ca jeta.

Ardit Gjebrea: Ajo donte të të fuste në një punë, ty, bashkëshortin, fëmijët nëpër shkolla, një jetë e cila do të të jepte çdo mundësi që ti të realizoje një ëndërr. Madje unë di që të ka bërë edhe pasaportizimin.

Anxhela: Po, më solli pasaportizimin këtu që të mund të fusnim në shkollë kalamajtë. Nuk donin të m’i fusnin në shkollë.

Ardit Gjebrea: I bënë të gjitha?

Anxhela: Po, i bënë të gjitha, mori një gazetë “Çelësi”, kontaktoi me telefonin e saj për punë, më gjeti, jo se nuk isha dakord, vazhdova dy javë në punë. Por më ndodhi fatkeqësia e çunit që m’u sëmur me hemorragji të paparë.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte?

Anxhela: Hemorragji nga goja, nga hundët.

Ardit Gjebrea: Pse?

Anxhela: As unë nuk e kuptoj dhe sot e kësaj dite pse-në nuk e gjeti spitali.

Ardit Gjebrea: Tani, prej shëndetit të fëmijës ti e le punën dhe u riktheve…

Anxhela: Po, përsëri te kjo puna ku isha dhe jam akoma që po vazhdoj në këtë situatë.

Kjo situatë nuk ishte e lehtë për t’u pranuar nga Marsi e Ledioni që kishin bërë çdo përpjekje për ta larguar Anxhelën dhe familjen e saj nga “Bregu i Lumit”  dhe nuk e kuptonin pse duhej të rikthehej. Anxhela shpjegon se nuk mund t’ia dilte vetëm me asistencën apo edhe duke i kërkuar vazhdimisht ndihmë Marsit, ndërsa mbeturinat i sjellin edhe të ardhurat që i duhen.

Ardit Gjebrea: Ku fiton më shumë, me punën që bën tani apo me punën si pastruese? Të vërtetën.

Anxhela: E  vërteta është që më mirë te kjo puna e plehrave, nuk kam pse gënjej, nxjerr, është edhe me risk./tvklan.al