Ka një mesazh për ty/ Arditi: Kam gjetur familjen që nuk pata kurrë

Posta

Ka një mesazh për ty/ Arditi: Kam gjetur familjen që nuk pata kurrë

17:38 15/01/2017

Megjithëse përballja me të vërtetën është e vështirë, së paku kjo të bën të lirë. Në moshën 14 - vjeçare, Arditi mëson se gjyshërit me të cilët ishte rritur nuk ishin prindërit biologjikë. Si nëna dhe babai e kishin braktisur. Tronditja e tij, edhe sot që është 24 - vjeç është e madhe, por së paku mësoi të vërtetën.

foto4

Historia ime nis që kur isha 6 muajsh, kur më braktisën të dy prindërit. Në atë kohë kam qenë i shtruar në spital, pasi kam qenë i sëmurë. Më pas më mori gjyshi me gjyshen. Deri në moshën 13-14 vjeç unë i thërrisja gjyshes “mama” dhe gjyshit “babi”. E mbaj mend që dy muaj përpara se gjyshja të ndërronte jete, një ditë teksa po bënim shaka, i them asaj; “si ka mundësi që më ke lindur në moshë aq të madhe?”. Dhe nga ana tjetër, unë babain tim e kam pasur shumë afër me shtëpinë, por nuk e dija se e kam baba, e dija se e kisha vëlla.

Çfarë ka ndodhur në jetën e babait me mamanë tënde?

Historinë deri tani ende nuk e kam marrë vesh, se përse janë ndarë.

Ata u ndanë, por si vijoi jeta e tyre?

Nëna iku dhe u kthye në familjen e saj, e më vonë u largua drejt Tetovës së Maqedonisë, duke u martuar sërish. Ndërsa babai, pas gjashtë muajsh u martua dhe jetonte shumë afër me mua.

Më pas Arditi tregon në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, se për të ka qenë jashtëzakonisht e vështirë kur e kam mësuar për herë të parë nga gjyshja, që nuk ishte djali, por nipi. Të gjithë xhaxhallarët, që ai mendonte se i kishte vëllezër, i shpjeguan se çfarë kishte ndodhur. Me babain e tij biologjik ishte takuar shumë herë, por kurrë nuk e kishte kuptuar një gjë të tillë, pasi edhe ai vetë i rrinte shumë ftohtë.

foto5

Pasi mësova të vërtetën, jeta ime ndryshoi. Psikologjikisht e kam përjetuar shumë rëndë dhe kisha dëshirë vetëm të largohesha, të ikja sa më larg.

Po me njerëzit e mamasë ke takuar ndonjë?

Fillova të kërkoj të afërmit e saj. Arrita të gjej tezet dhe dajat. U vajta në shtëpi dhe u thashë që dua të di se ku është mamaja ime. Ata nuk pranuan të më jepnin asnjë adresë, as numër telefoni. Vetëm një djalë tezje më ka thënë se ajo jeton në Tetovë dhe ka krijuar familjen e saj. Pas insistimit tim për të patur kontakt me mamanë, dajat më kërcënuan që nëse do i shkoja mbas kësaj historie, do kisha pasoja serioze. I gjithë problemi ishte se mamaja ime nuk i kishte treguar bashkëshortit të dytë në Tetovë se kishte qenë e martuar më parë në Shqipëri, e aq më shumë që kishte lënë dhe një fëmijë. Mesa kam marrë vesh, asaj i ka vdekur bashkëshorti, por sërish nuk pranojnë që unë ta takoj. Do kisha dëshirë që ta takoja të paktën një herë, jo se ndiej dashuri për të, por thjesht të më shohë në sy kur të më japë arsyen se përse më braktisi. Të shoh sytë e një nëne që ka marrë guximin të braktisë foshnjën e saj. Unë nuk kam as një foto të saj, nuk di çfarë fytyre ka. Një herë që kam qenë tek daja, kam dyshuar se e kam parë. Megjithse nuk ma prezantoi njeri, se kush ishte, por pashë një zonjë me shami në kokë që thuajse e kishte mbuluar fytyrën dhe kokën e mbante ulur. Me aq sa pata mundësi arrita të shoh diçka dhe mendoj se ka qenë ajo, por nuk e ka marrë guximin apo nuk ka dashur të më takojë. Për shkak të kësaj tronditje të madhe, unë nuk arrij të flej i qetë që prej kohës që mësova të vërtetën e jetës time.

Po me babain pate ndonjë kontakt më vonë?

Jo! Se unë ia kam bërë pyetjen që mirë mamaja më braktisi, por ti që më kishe kaq afër? Ai më tha që nuk të mbaja dot në atë moshë, ishe shumë i vogël dhe kishe nevojë për kujdesin e nënës. Nusen që mora, më erdhi në shtëpi dhe më tha që nuk kam ardhur për të rritur fëmijën tënd.

Si ke jetuar gjithë këto vite?

Vetëm. Kur gjyshja ndërroi jetë, gjyshi u largua drejt Greqisë. Unë ngela rrugëve. Jetoja sa tek një xhaxha apo tek ndonja nga hallat e mia. Më vinte zor të jetoja gjatë dhe ndaj endesha sa tek njëri pastaj tek tjetri. Nuk kisha çfarë të bëja. Sa më shumë që rritesha, aq më shumë fillova të ndiej peshën e përgjegjësisë që duhej të merrja mbi vete.

Deri në çfarë moshe jetove kështu?

Deri në moshën 20 - vjeçare.

Tentove të ikësh jashtë shtetit?

Po ika si azilant në Hollandë. Pastaj u ktheva se nuk fitova gjë.

Po tani ku je sistemuar?

Tani rri tek njerëzit e nuses, sepse shtëpinë time nuk e kam blerë akoma.

Si u njohe?

Në një moment kur unë realisht kisha mbetur rrugëve, pata fatin të njihesha me një vajzë shumë të mirë, e cila banonte në një lagje me hallën time.

E shikoja kur ajo shkonte në punë dhe i mora numrin e telefonit dhe filluam të njiheshim.

Si e ka emrin?

Merita.

Sa kohë ke me Meritën?

Që njihemi ka një vit, por para një muaj e ca vendosëm që të fejoheshim e të martoheshim njëkohësisht. Si gjithë shqiptarët që janë me halle, probleme ekonomike edhe ata nuk janë të pasur. Vërtetë kanë një ekonomi të dobët, por kanë zemrën e madhe. Mbahemi vetëm me ato që mund të punojë vjehrri me ditë në ndërtim, pasi as unë e as nusja ime Merita nuk punojmë.

Ti ke studiuar?

Jo, unë kam mbaruar vetëm 4 klasë shkollë.

Çfarë ndjen sot për prindërit e tu biologjikë?

Asgjë nuk ndjej. Fillova t’i urrej prindërit e mi që më kishin braktisur në atë mënyrë. Që atëherë e deri më sot unë ndihem jetim, megjithëse prindërit i kam gjallë. Me babain e kam edhe më shumë inatin, pasi e kam pasur shumë afër dhe kurrë nuk më ka thënë gjë. As ai, as mamaja ime nuk kishin shlyer detyrimet ndaj meje. Ajo nuk erdhi kurrë të interesohej për mua, më la 6 muajsh jetim, sikur të vinte njëherë dhe të më kërkonte falje. Nuk dua të më thonë shkaqet pse janë ndarë, kjo është çështje që i përket vetëm atyre.

Ti kë ke thirrur sot?

Kam thirrur nusen time Meritën. Sepse më ka pyetur shumë herë dhe unë nuk i kam treguar historinë. Ajo e dinte pak a shumë, por nga goja ime se ka dëgjuar kurrë.

foto1

Merita vjen në studion e “E Diela Shqiptare” dhe dëgjon mesazhin që ka bashkëshorti për të.

Merita të kam sjellë këtu sot për të të shprehur dashurinë dhe mirënjohjen time. Megjithëse nuk kemi shumë kohë bashkë, por unë e ndiej se të dua dhe mbi të gjitha të respektoj. Dua të të kërkoj falje për arsye se kur u fejuam bashkë, kur të erdha në shtëpi të erdha vetëm. Ti e di që unë jam rritur si një jetim, megjithëse prindërit i kam gjallë. Ti më ke pranuar kështu siç jam unë: vërtetë pa një punë dhe i varfër, por me shpresë dhe optimizëm për të ecur përpara. Dua të të falenderoj për këtë, sepse ti dhe familja jote më pranuat. Derisa takova ty unë isha i pa shpresë, tani e shoh jetën ndryshe, jam më optimist. Nuk pata prindër, por tashmë kam prindërit e tu. Si një familje e re, le ta mbështesim njëri – tjetrin fort që të ecim përpara. Të mos i lemë problemet të na ndryshojnë rrjedhën e fatit tonë por të jemi ne ata që e përcaktojmë rrugën nga do ecim.

Ti e ke merituar, me aq sa të njoh e meriton.

foto2Moderatori Ardit Gjebrea i tregon të vërtetën e hidhur Meritës, që bashkëshorti i saj nuk pati guximin t’ia thotë deri më sot. Ky djalë tashmë, edhe pse i rritur jetim, e ka familjen e tij, ka familjen e Meritës dhe ndihet i bekuar nga Zoti, që e ka njohur këtë vajzë të mrekullueshme, ku dashuria e saj është pa kushte./ tvklan.al

OTP
Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
AZHBR
UKT
Grupi
UKT