Majlinda nga Londra përmes një lidhje Skype rrëfeu për rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan, tragjedinë dhe dhimbjen që familja e saj po përjeton prej 25 vitesh.

2 vëllezërit e saj u nisën në vitin 1995 në drejtim të Italisë, por që nga ai moment nuk kanë më asnjë lajm prej tyre. Nëna e saj nuk e përballoi dot dhimbjen dhe pas 5 vitesh ndërroi jetë. Motra e madhe u bë nëna për të gjithë familjen dhe përkrahje për babain e saj, por edhe ajo para 9 vitesh ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Plagët e kësaj familje janë shumë të mëdha, por ende ata shpresojnë për një mrekulli, ende presin lajmin e mirë që dy djemtë do të kthehen.  

Ardit Gjebrea: Mamaja nuk rezistoi dot?

Majlinda: Pa bërë 5 vjet iku dhe kam qenë pranë asaj kur ka vdekur në Tiranë. Me lot në sy, motra e madhe i fshinte lotët, ajo ishte drejt vdekjes.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë keni humbur edhe një motër tjetër?

Majlinda: Mbasi na vdiq mami, motra e madhe u bë nënë për ne dhe babait i ka ndenjur afër shumë, e ka ndihmuar në çdo gjë. Edhe ishte bërë krahu i djathtë i babit, i të gjithëve ne, por edhe i nuses së vëllait, mbesës, i të gjithë familjes. Edhe ajo para 9 vitesh, i bie një sëmundje e rëndë, se përballoi, 7 muaj nëpër spitale, ishte e pamundur për ta mbajtur në jetë. Sëmundja e keqe e mori në moshën 48 vjeç. Babai u përkeqësua shumë, iu shtuan tragjeditë, gjithçka iu përmbys.

Ardit Gjebrea: Babi yt akoma shpreson dhe sot t’i gjejë dy vëllezërit e tu?

Majlinda: Babi shpreson, edhe ne… Unë për vete jam shumë optimiste dhe shpresoj se një ditë do të dalin. Nuk e di, kam dëgjuar lloj-lloj ngjarjesh, situatash, në internet kam lexuar që mbas 25 vjetësh kanë gjetur fëmijët e humbur, nuk dihet problemi. Ndoshta jam edhe gabim dhe nuk duam ta pranojmë fatkeqësinë, por derisa të vdesim shpresojmë. Edhe babai e ka shprehur dhe thotë, me gojë mund ta flas, por me zemër se them dot që ata kanë vdekur, ose nuk janë gjallë./tvklan.al

Mirënjohja e Agiolës!

Agiola jeton në New York dhe përmes rubrikës “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan u bëri një surprizë dy prindërve të saj.

Ajo dhe vëllai i saj jetojnë larg familjes dhe në lidhjen Skype, ajo tregoi sakrificat që prindërit e saj kanë bërë, që ata të mund të arsimoheshin.

Ardit Gjebrea: Si ka qenë jeta juaj në Pogradec?

Agiola: Prindërit kanë sakrifikuar shumë. I kanë hequr vetes atë dëshirën për të patur diçka më të shtrenjtë, që mund t’i plotësonin vetes dhe na i kanë plotësuar neve, duke na shkolluar në shkollat më të mira.

Ardit Gjebrea: Çfarë kanë bërë ekzaktësisht? Na trego pak për sakrificat e tyre?

Agiola: Prindërit e mi asnjëherë nuk kanë ditur të mobilojnë shtëpinë, ta kenë si gjithë lagjja ose si gjithë njerëzit e tjerë. Nuk kanë patur atë idenë të vishemi bukur, të dukemi bukur. Më shumë janë fokusuar të punojmë sa më fort, të punojnë me orare të zgjatura. Prindërit e mi kanë dyqane me lule natyrale.

Ardit Gjebrea: Ata kanë bërë gjithçka për ju?

Agiola: Shumë e vërtetë! Madje dhe tani mundohen që të vazhdojnë të punojnë atje. Ata nuk i kanë kushtet që i kemi ne këtu, nuk kanë për shembull kushtet e ngrohjes, nuk kanë një makinë, gjithmonë marrin një furgon për të shkuar për të marrë mallin në Tiranë ose Maqedoni. Vetëm e vetëm për të kursyer dhe për të na plotësuar ne dëshirat.

Ardit Gjebrea: Me kë jetojnë ata tani?

Agiola: Ata janë vetëm të dy!

Ardit Gjebrea: Po ju andej do jeni?

Agiola: Dëshira është shumë e madhe për t’u kthyer me thënë të drejtën. Por me profesionin që unë kam, nuk mundem të gjej një punë aty.

Ardit Gjebrea: Më trego pak për profesionin tënd!

Agiola: Kur erdha këtu vazhdova shkollën për terapist frymëmarrje. Punoj në një spital këtu afër.

Ardit Gjebrea: Çfarë do t’i thuash mamit dhe babit? Pse po më çon atje?

Agiola: Në fakt kam dashur ta bëj këtë surprizë përmes jush që më përpara, por gjithmonë nuk isha e sigurt çfarë do ju thoja. Kemi parë shumë mesazhe falenderuese dhe ky i imi do jetë prapë një mesazh falenderues, shumë i thjeshtë. Ata janë më të mirët për mua dhe jam shumë krenare që jam vajza e tyre. (Qan). Më fal dhe shpresoj që të bashkohemi sa më shpejt. Më falni se jam shumë emocionuese.

Ardit Gjebrea: Ajo buzëqëshja jote e shoqëruar me lot është si ato ditët e bukura me diell kur bie shi./tvklan.al

Dikur i varfër, sot biznesmen: Gjithçka ia dedikoj nënës!

Naimi përmes  rubrikës “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan i bëri një surprizë nënës së tij. Ai e uroi atë për ditëlindje, por gjithashtu e falenderoi për gjithë sakrtificat që ajo ka bërë për familjen.

Nëna e përlotur e falenderon për surprizën e bukur, por me lot në sy i thotë se i vjen keq që nuk ka mundur dot të plotësojë dëshirat e tyre, pavarësisht përpjekjeve të saj.

Naim: Nëna ime e dashur, unë jam sot këtu për ty. Në radhë të parë jam për të të uruar ditëlindjen. Edhe 100 të lumtura mes nesh, mes gjirit tënd të ngrohtë familjar dhe mes familjes tënde të mrekulueshme. E dyta jam për të të falenderuar, për të gjitha sakrificat që t’i ke bërë ndaj neve, ndaj familjes në përgjithësi, si një nënë shumë e dashur për të gjithë dhe si nëna më e mirë në botë. E theksova edhe më parë që të gjitha nënat janë të mira, të gjitha nënat tona janë të sakrificave, sidomos ato që kanë kaluar vite të vështira, por për mua ti je më e mirë. Më e mirë se ti ke dhënë shumë për në, ke sakrifikuar edhe veten që ne sot të jemi këtu ku jemi. Ndaj dhe ne jemi shumë të lumtur nga ty dhe të urojmë gjithçka të mirë në jetë, të falenderojmë shumë dhe të jemi mirënjohës dhe borxhli për gjithë jetën. Ti je nëna ime më e mirë në botë.

Fatime: Faleminderit, por unë nuk ua kam plotësuar dëshirat!

Ardit Gjebrea: Po pse nuk ua ke plotësuar dëshirat?

Fatime: S’kam patur mundësi!

Ardit Gjebrea: A i ke rritur!

Fatime: Ashtu ishte koha!

Ardit Gjebrea: A ke sakrifikuar për ta!

Fatime: Kam sakrifikuar në atë timen, por…

Ardit Gjebrea: A ke shkuar në bjeshkë lart për të mbledhur dru!

Fatime: Po!

Ardit Gjebrea: A je ngritur orë e pa orë, në mes të natës!

Fatime: Në orën 4 të mëngjesit e kam marrë me vete në mal!

Ardit Gjebrea:  Po atëherë si nuk ka bërë asgjë?

Fatime: Jo se nuk u kam plotësuar dëshirat, se s’kishim.

Ardit Gjebrea: Ti ke plotësuar gjithçka, i ke dhënë gjithë botën Naimit!

Fatime: Kanë vuajtur shumë, i kam rritur me zor.

Naim: Nëna ime, ti sot duhet të jesh e lumtur, se sot jemi shumë mirë!

Fatime: Sot po që u bëtë ju, por përpara jo.

Naim: Sot kemi arritur aty ku ti ke synuar dhe atje ku kemi synuar ne. Ndaj dhe jemi të gjithë të kënaqur dhe të gëzuar dhe nuk dua për asnjë arsye dhe për asnjë rast të të shoh lot në sy, dua të të shoh vetëm lot gëzimi./tvklan.al