Rubrika “Ka një mesazh për ty” në puntatën e parë të “E Diela Shqiptare” për këtë sezon të ri në Tv Klan, u çel me një histori të bukur shqiptaro-amerikane. Në studio erdhi Ariana, për të cilën ishte vetë moderatori Ardit Gjebrea që nisi rrëfimin. Ata u takuan rastësisht në Korçë gjatë pushimeve dhe kur Ariana i shpjegoi se kishte ardhur nga SHBA për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri, historia e saj duhej të rrëfehej.

Ajo vetë tregon se babai i saj është shqiptar e është shpërngulur në SHBA para shumë vitesh, më 1991 dhe atje njohu mamanë e saj, një amerikane. Ariana lindi në vitin 1995, ka edhe dy vëllezër të tjerë. Në 2019, ajo erdhi për herë të parë në Shqipëri me një mision kishtar për t’i mësuar gjuhën angleze fëmijëve në fshatin Sheqeras të Korçës dhe aty kuptoi se e dashuronte këtë vend.

Rikthimi i saj në Shqipëri nuk ishte i paqëllimshëm. Ajo ra në kontakt me një shtëpi ku qëndronin vajza të abuzuara, të trafikuara dhe ndjeu se ky ishte misioni i saj në jetë: të ndihmonte më të dobëtit. Partneri i saj i jetës, Tom, ndonëse e pati të vështirë të linte vendlindjen dhe familjen e tij, iu bashkua Arianës në vizionin e saj. Arsyeja e ardhjes së Arianës në studio është pikërisht ai, një falenderim për njeriun që i ka besuar asaj verbërisht.

Ariana: “Tomi, të dua kaq shumë dhe doja të të jepja mesazhin që shpresoj se ta jap çdo ditë që të dua e të respektoj kaq shumë që ke ndërmarrë këtë hap të madh besimi, që erdhe këtu në Shqipëri duke besuar se Zoti do të na drejtonte te njerëzit e duhur, mundësitë e duhura dhe e dua mënyrën se si ti do njerëzit e Shqipërisë. Unë e di që vajza jonë do ta respektojë po ashtu një ditë këtë”./tvklan.al

Silvana i lutet babait: Hajde në Amerikë (12 Shtator 2021)

Historia tjetër në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, është po ashtu nga Amerika. Silvana nga Shëngjini i Lezhës ka 5 vite që ka emigruar përtej oqeanit. Ajo rrëfen se si fëmija më i vogël mes shtatë fëmijësh, deri në moshën 25-vjeçare ka patur një jetë të lumtur familjare e për të, familja është gjithçka. Në atë moshë, një fejesë nuk arriti të kurorëzohej në hapin e madh për shkak të tradhtisë, të cilën ajo nuk e fal. Kur u njoh me djalin që e mori në SHBA, ky ishte kushti i vetëm i Silvanës për të, por historia u përsërit.

Ajo vendosi t’i jepte një mundësi të dytë për të mos prishur familjen pasi zbuloi që ishte shtatzënë dhe i tha të shpërnguleshin nga Bostoni në Nju Jork. Silvana shkoi në Nju Jork, por pa partnerin e saj dhe atje gjeti mbështetje nga motrat. Prindërit iu bashkuan për ta ndihmuar të rriste vajzën, por babai i Silvanës, zoti Musa, nuk qëndron më shumë se 2-3 muaj në SHBA, pasi nuk mësohet dot me jetesën në atë vend. Ndryshe nga bashkëshortja e tij, e cila jeton atje për shkak se ka kryer bashkim familjar, ai përdor vizën. Kërkesa e Silvanës ndaj të atit është t’i bashkohet familjes në atë vend, pasi janë vazhdimisht të shqetësuar për të, me trup në Amerikë e mendjen në Shëngjin.

Silvana: Me gjithë dëshirën më të madhe, ju kam thirrur te zoti Ardit Gjebrea për të gjithë sakrificat që keni bërë për të shtatë ne fëmijët, që na keni dhënë dashuri, respekt, na keni falur mirësi gjithë jetën dhe të më falni që ka 5 vite që ju kam ndarë ju të dyve tani që ju keni më shumë nevojë për njëri-tjetrin dhe ftesa ime sot është, përpos gjithë falënderimeve, kam ardhur t’i bëj ftesë babit që të vijë në Amerikë e mos të rrijë këtu vetëm.

Ne jemi vetëm me trup në Amerikë dhe me mendje jemi në Shëngjin. Babi e di se çdo ditë na bie telefoni në mëngjes ose i biem ne për ta ditur si je ti, apo si është mami, që ti pyet çdo ditë. Kështu që dua që ti babi, të më premtosh, se ke shtatë fëmijë e ti e di që të gjithë të lusim çdo ditë, duke filluar nga vëllezërit në Greqi, motrat atje e motra në Lezhë, ti nuk dëgjon të rrish me asnjërin. Te vajzat me dhëndrat nuk ndihesh mirë, ndërsa te unë mendoj që jemi unë, ti, mami e Xhensila (vajza e Silvanës).

Ti e di se unë e kam të nevojshme të rri atje, nuk mund të vij këtu, i di arsyet, s’mund ta marr vajzën këtu, kështu që me gjithë zemër, që ti ta kalosh sa më bukur pleqërinë dh këto ditë që të kanë mbetur, të vish me mua e mamin sapo të hapen ambasadat, jo vetëm me vizë, por të vish e të bësh bashkim familjar, se kështu nuk rrihet. Nuk iki pa më premtuar sot, këtë ta kesh të qartë.

Musa: Edhe unë do të të jap besën që do të vij edhe unë atje./tvklan.al