Dështimi i shtatzënisë së parë solli një hendek të madh te Albana që mundi të gjente ngushëllim vetëm pas marrjes së lajmit se brenda saj po rritej një qenie e re. Por siç tregoi më herët në “Ka Një Mesazh Për Ty” nuk ishte e lehtë kjo shtatzëni e dytë pasi iu desh të qëndronte 8 muaj në shtratin e spitalit. Arsyeja pse Albana nuk u dorëzua ishte Teuta, mjekja që hynte çdo ditë në dhomën 4 pa bërë asnjë ditë pushim. Ndaj, ajo ka thirrur mjeken e saj në këtë pjesë të “E diela shqiptare” në Tv Klan për ta falënderuar që e shtyu përpara në periudhën e vështirë.

Albana: Doktoreshë Teuta, të duam pa kushte, familjarisht. Të jemi shumë mirënjohës. Jo vetëm unë dhe bashkëshorti, por gjithë familja ime. Brenda meje vërtet u rrit një fëmijë, por nuk e rrita unë, atë e rrite ti dhe falë teje unë sot jam nënë. Ti shpëtove jo një fëmijë, por tre jetë, fëmijën tonë, mua dhe bashkëshortin. Të falënderoj shumë. Unë kam kuptuar që nuk ka të tillë mjekë, jam gabuar, të kërkoj falje, njëmijë herë të kërkoj falje. Të dua shumë, faleminderit për gjithçka.

Mes emocioneve, doktoresha rrëfen episodin e lindjes së vajzës së Albanës, momentin më drithërues për të gjithë ekipin.

Teuta: Moment tjetër shumë kulminant ishte dita e lindjes së Bukuries, që ishte me emocione shumë të forta.  Natyrisht ne me të gjitha ekzaminimet tona, kujdesin tonë përpiqemi që punët të ecin mirë, të kontrollohet gjithçka. Por pasi lind bebi shihet gjithçka. Në sallën e operacionit atë ditë që ishte plot emocione për Albanën, familjen dhe ne, kirurgu pasi e nxjerr bebin dhe e shoh që është i shëndetshëm,  bukurosh etj, pa e prerë kordonin mamia ia tregoj Albanës “shihe sa të bukur e kemi bërë”. Ishte një moment magjepsës, shumë i bukur që nuk e harroj kurrë. Dhe ja ku jemi këtu në këto momente që janë shumë të bukura për të dyja ne, Albana të falënderoj shumë./tvklan.al

Ka një mesazh për ty – Shpetoi nga depresioni, mesazh bashkëshortit (13 Mars 2022)

Në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan, në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, Sonila rrëfeu përballjen e saj me depresionin për 8 muaj të tërë. Në këtë luftë, përkrah saj pati shokun e jetës, Gazmendin i cili e surprizoi çdo ditë, jo vetëm duke qenë aty moralisht për të, por edhe duke kryer detyrat e shtëpisë.

Ndryshe nga karakteri i tij, ai kujdesej që të pinte ilaçet, t’i gatuante, të bënte punët e shtëpisë, t’i bënte kafenë dhe të tregonte durim. Ndaj, ajo e ka thirrur për ta falënderuar që vetëm falë tij mundi të mposhtte zbrazëtinë. 

Sonila: Shpirt, edhe pse ti nuk e prisje këtë gjë nga mua, ja që gjërat ndodhin. Të kam thirrur këtu sot, jo se s’të kam falënderuar në shtëpi, por janë ca gjëra që ndonjëherë duhet të bëhen publike, edhe për forcë për të tjerët. Edhe pse ti je nga ata burrat tipikë shqiptarë, jo si këta të sotshmit modernë.

Gazmend: Po sikur jam një çikë lab unë apo s’ka gjë?

Sonila: Të falënderoj për çdo gjë që ke bërë për mua në këto 8 muaj. Të them faleminderit me shpirt, nuk e prisja këtë gjë nga ty, që të më rrije kaq afër, që të kujdeseshe për çdo gjë, që të kujdeseshe dhe nëse unë i kisha pirë ilaçet apo jo, këtë gjë nuk e mendoja duke e ditur tipin tënd që nuk dije të bëjë asgjë. Vije nga puna dhe nëse më shihje ashtu të mërzitur thoje “rri mos gatuaj asgjë se po shkoj të marr ndonjë gjë të gatshme në supermarket, vetëm ti të jesh mirë”. Të falënderoj edhe për kafenë që e bën shumë të mirë të shtunave e të dielave. Këmbëngulja jote më riktheu buzëqeshjen, më riktheu jetën nga e para. Ishe ti që jam unë sot këtu. Pa këmbënguljen tënde dhe përkujdesjen, unë nuk e di a do më kishte ardhur prapë buzëqeshja. Të falënderoj nga zemra. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua përgjithmonë.

Gazmend: Ka qenë një një gjendje shumë kritike. Unë vija nga puna i lodhur dhe mundohesha ta nxirrja xhiro por nuk i hynte asgjë në sy. Më thoshte “më ço në shtëpi shpejt se vdiqa”. Nuk mundja ta shihja në atë gjendje.

Sonila: E vërtetë, edhe botën të ma falje, nuk e doja.

Gazmend: Shyqyr Zotit që e kam si flori./tvklan.al