E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan. Këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri u ndal edhe tek eksperienca e saj në Kënga Magjike, jo si konkurrente për të fituar çmimin e madh, por tashmë nën kostumin e anëtares së jurisë.

Peristeri duke mos humbur rastin të falenderonte përzemërsisht për ftesën moderatorin Ardit Gjebrea, tha se nuk ishte e sigurt nëse do e bënte sërish këtë “rol”. E ulur në kolltukun e jurisë, këngëtarja thotë se ishte një eksperiencë e bukur, por shumë e vështirë për të dhënë kritika për artistët e rinj mjaft të talentuar, por dhe për kolegët e saj, të cilëve mesa duket u paska ngelur hatri.

“Kam vënë re që në Shqipëri është shumë e vështirë që të pranohen kritikat sidomos nga artistët”, u shpreh ajo duke shtuar se në të tilla kompeticione madhështore “miqësia prishet për 5 pikë”.

Rudina Magjistari: Si ishte për ty që të kritikoje kolegët e tu?

Anxhela Peristeri: Shumë e vështirë duke qenë se gjysmën e kolegëve unë aty i njihja, por dhe për artistët e rinj ka qenë shumë e vështirë sepse ka pasur talente të jashtëzakonshme vitin që kaloi. Megjithatë ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua. Falenderoj Ardit Gjebrean për këtë ftesë dhe për atë eksperiencë të bukur që kalova, megjithatë ishte vërtetë e vështirë. Nuk e di nëse do ta bëja dot më.

Rudina Magjistari: Sa i pranojmë ne kritikat, si e ke ndjerë ti këtë? Sa të hapur jemi ndaj kritikave?

Anxhela Peristeri: Kam vënë re që në Shqipëri është shumë e vështirë që të pranohen kritikat sidomos nga artistët, kështu që nuk dua që të jem unë ajo që të kritikojë artistët e tjerë. Ka pasur dhe hatërmbetje nga artistë të ndryshëm, sepse e di se cili është problemi në Këngë Magjike, por edhe në çdo konkurs muzikor ose jo, të gjithë që shkojnë, shkojnë me mendimin që unë do fitoj. Nuk e kuptojnë që është dikush tjetër që mund të jetë më mirë se ata, ose një këngë që nuk është aq e mirë sa mendon ti. Kjo më ka ndodhur edhe mua që kam menduar se kam pasur këngën më të bukur, por që realisht nuk ka qenë më e bukura.

Rudina Magjistari: Janë hatërmbetje që vazhdojnë ende në këto momente që flasim?

Anxhela Peristeri: Nuk është se jam marrë shumë, thjesht kam dëgjuar fjalë vërdallë, por nuk është e mirë që të ketë hatërmbetje të tilla. Unë përshembull jam konkurrente për më shumë se 8 vite në Kënga Magjike dhe nuk ka pasur asnjë moment që t’i jem kthyer e t’i kem thënë një kolegut tim, apo një shoqes sime që “pse ti mua më votove kaq unë doja më shumë”. Nuk do ta bëja kurrë sepse vota është personale dhe mendimi është personal. Përveç hatërmbetjes dhe kërkesa e llogarisë nuk duhet të jetë. Në Kënga Magjike janë provuar e sprovuar shumë shoqëri. Ke menduar që ke një shok ose shoqe shumë të mirë dhe përfundon duke u prishur për 5 pikë./tvklan.al