Aksidentet automobilistike përgjakin sërish rrugët në vend dhe nuk po shkëputen dot nga edicionet qendrore të lajmeve. Shifrat e aksidenteve rrugore mbeten një nga problemet kryesore në vend. Dinamika e tyre në rritje është prezente jo vetëm në rastet kur kemi një fluks të shtuar të automjeteve gjatë festave, por edhe në hapësirat rutinë të vitit.

Vetë Kryeministri Berisha ka pohuar se aksidentet shkaktohen nga mungesa e sigurisë rrugore dhe nga mungesa e edukimit të popullatës.

“Është e domosdoshme të shqyrtojmë ligjet që kanë të bëjnë me trafikun. Në qoftë se studioni dhe ndiqni statistikën do të gjeni vendin tonë në nivelet më të larta. Ne si objektivë kemi dhe do të kemi mesataran e BE. Unë kërkoj nga policia që nga kjo fushë të programojë punën në mënyrë që të ketë një rënie më drastike dhe të vazhdueshme të aksidenteve”, tha Berisha gjatë një deklarate.

Sipas ekspertëve, vendi ynë është më problematiku në Europë sa i përket aksidenteve rrugore, madje numri i viktimave të aksiedenteve rrugore është dy herë më i madh se në Europë. Nëse i referohemi shifrave të aksidenteve në Shqipëri ato marrin mbi 300 jetë në vit dhe shkaktojnë mbi 1200 të plagosur të formave të lehta dhe të rënda.

Problematikat janë nga më të ndryshmet, duek filluar që nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë automjetet, nga përgatitja e marrjes së lejeve të drejtimit të automjetit, nga përpjekjet për edukimin e popullatës që janë shpesh minimaliste, ashtu sikurse nuk ka përpjekje serioze për mbajtjen e kaskës, e cila është e domosdoshme për të zbutur në maksimum traumën tek motoçiklistët.

Përdorimi i alkoolit, mungesa e sinjalistikës, por shpesh edhe neglizhenca nga ana e kalimtarëve janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore. Rreth 85% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e pakujdesisë së shoferit dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit. Ndërsa 20% e aksidenteve ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara.

60 aksidente kanë ndodhur nga konsumi i alkoolit nga ana e drejtuesit dhe si pasojë kanë humbur jetën 18 persona. Këto shifra i referohen vitit 2009, pasi ende nuk ka shifra zyrtare dhe publike sa i takon vitit 2010.

Gjatë viteve të fundit shpesh burim aksidentesh me pasojë vdekjen bëhen emigrantët, të cilët vijnë në vend për të festuar me të afërmit, duke përfunduar me pamje dhe përjetime dramatike.

Për të diskutuar mbi sigurinë rrugore në Shqipëri, sonte në studion e emisionit “Opinion” ishin të ftuar zv. Ministri i Transporteve Ernest Noka, gazetarja Edlira Gjoni, drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore Vullnet Topalli, drejtuesi i revistës AutoClub Eno Zeneli, kreyredaktori i gazetës Panorama Robert Rakipllari dhe studiuesi i sigurisë rrugore Arbër Mazniku./tvklan.al