Takimi me kryeministrat e Finlandës dhe Suedisë vjen në një kohë që të dyja shtetet kërkojnë anëtarësimin në NATO

Kabineti i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrat e Finlandës dhe Suedisë u takuan për të diskutuar sigurinë e Europës në një kështjellë në veri të Berlinit. Scholz u tha gazetarëve përpara takimit se Finlanda dhe Suedia ishin aleatë të ngushtë të Gjermanisë dhe partnerë të ngushtë në Bashkimin Europian. 

“Është një traditë e mirë që ne vazhdojmë të mblidhemi këtu. Do të kishim dashur ta bënim më herët, por pandemia nuk ishte në anën tonë. Por tani ka ardhur koha për t’u takuar, për të diskutuar këto çështje. Kështu që kam besim se do të kemi konsultime shumë të mira për çështjet më të rëndësishme që duhet të na shqetësojnë sot”. 

Që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, Finlanda dhe Suedia kanë marrë në konsideratë aplikimin për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, e cila do të shënonte një ndryshim të madh politik për rajonin nordik.

Scholz tha gjithashtu se takimi me dyer të mbyllura do të trajtojë sfidat ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, si dhe çështjet e ndryshimeve klimatike.

Klan News