Donald Trump i tërhoqi për arsye personale Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015, sipas opinionit të ish-ambasadori britanik në Washington, Sir Kim Darroch. E përjavshmja Mail on Sunday ka publikuar një tjetër memo, që Darroch i dërgonte Ministrisë së Jashtme në Londër, që daton në Maj të 2018, pak ditë para se Trump të zyrtarizonte tërheqjen nga kjo marrëveshje.

“Administrata Tramp është e vendosur për të kryer një akt vandalizmi diplomatik, që ka arsye ideologjike dhe personale, sepse marrëveshja është nënshkruar nga Obama”.

Në letër, Darroch thotë po ashtu se Boris Johnson, në atë kohë Ministër i Jashtëm, bëri një udhëtim fatkeq në Shtëpinë e Bardhë për të bindur presidentin amerikan për të ndryshuar mendje. Siç shkruan ish-ambasadori, Johnson dhe këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kishin bërë një mbledhje 26 orëshe me Presidentin, por Trump ishte i vendosur për tërheqjen.

Darroch akuzonte presidentin se nuk kishte marrë parasysh asnjë pasojë nga vendimi i tij që mund ta rikthente Iranin në rrugën e pasurimit të uraniumit. Kim Darroch dha dorëheqjen të mërkurën si ambasador i Britanisë së Madhe në Washington, pas publikimit në media të letrave sekrete ku ai e konsideronte presidentin Trump si të paaftë.

Tv Klan