Prokuroria e Gjirokastrës ka reaguar pas lajmit të publikuar lidhur me hetimet për vrasjen e Kostandino Kaçifas më 28 Tetor 2018 në fshatin Bularat.

Në dosjen hetimore të organit të akuzës, evidentohet se 35-vjeçari Kaçifas është vetëvrarë dhe nuk ka humbur jetën si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA.

Por Prokuroria e Gjirokastrës, në reagimin e saj thotë se hetimet për këtë procedim penal janë ende duke vazhduar dhe nuk është arritur në një konkluzion.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, duke u nisur nga transmetimi në media i disa informacioneve ditën e sotme, çmon të nevojshme që nëpërmjet kësaj deklarate, të sqarojë publikun si më poshtë:

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, është regjistruar proçedimi penal nr.824  në datën 24.12.2019, pas  transferimit të akteve nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Ky proçedim penal bën fjalë për ngjarjen ku ka humbur jetën shtetasi Kostandinos Kaçifas. Ky proçedim penal vazhdon të ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe nga ana jonë nuk është arritur në asnjë konkluzion në lidhje me zgjidhjen e çështjes. Kjo çështje penale është regjistruar për veprat e parashikuara nga nenet 79/dhe 22, 278/1 e 76 tëK.Penal.

Çdo informacioni publikuar në media, pa ju referuar burimeve zyrtare, dëmton rëndë hetimet dhe nuk kontribuon në zgjidhjen e drejtë të çështjes. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së pare Gjirokastër siguron publikun se do të kryejë hetimin me objektivitet e paanësi dhe do të parashtrojë zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjirokastrës. /tvklan.al