E kthyer tashmë në muze, shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare u vizitua edhe nga vete gjeniu i letrave shqipe.  së bashku me bashkëshorten e tij, shkrimtari u rikthye në apartamentin e mbushur me kujtime.

Ismail Kadare, shkrimtar: Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit.

Projekti i bashkisë së Tiranës, shtëpia muze, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e shkrimtarit  u vlerësua edhe  nga bashkëshortja, Helena Kadare.

Helena Kadare, shkrimtare: Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike. Është shumë e papritur për mua personalisht ta shikoj këtë gjë dhe për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë arkitektja Elisabeta, me të cilën kam pasur disa takime.

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë botërore. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe.

Tv Klan