Fatbardh Kadilli është kandidati tjetër për kryetar i Partisë Demokratike, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin Opinion. Pjesë e kësaj force politike që prej themelimit të saj, Kadilli arsyetoi përse ai mund ta çojë Partinë Demokratike drejt një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme.  

“Ne nuk kemi prodhuar dot një ofertë serioze në këto 8 vjet e fundit, kemi ripërtypur të njëjtin program që kemi pasur në 2013-n, taksa 9 %, taksa 9 %, taksa 9 %. Domethënë sikur të dalë dikush të thotë 8 %, Lul Bashën e nxjerr nga loja dhe e bën të pavlerë nëse ne e kufizojmë tek një ofertë materiale, që Rama sot i jep 5 lekë dikujt në xhep duke i blerë votën dhe ne i themi do t’i marrësh këto 5 lekë në formën e rritjes së rrogës nesër-pasnesër, ne i kemi folur njeriut materialisht, njeriut biologjik, unë flas për njeriun politik. Në 91-in ne i folëm njeriut politik. Edhe atëherë ishte një njeri i izoluar, pa asnjë lloj informacioni”.

Kadilli është i bindur se është i zoti të bëjë atë që nuk ka mundur të bëjë Basha, të mundë kundërshtarin politik, Edi Ramën.

“Jam më i zoti sepse kuptoj shumë më mirë, kam ndjeshmëri më të lartë për ato që janë kauzat e qytetari. Kam vërtetësinë më të madhe si person përballë Bashës, shumë më tepër të vërteta”.

Kur i përmendin mungesën e një kulmi të madh në karrierë në radhët e PD, Kadilli thotë: “Nuk më është dhënë ndonjë investim, nuk jam emëruar asnjëherë në politikë. Basha është një i emëruar në politikë. Të sjellin nga Kosova dhe të bëjnë ministër pas 6 muajsh, e ka marrë me ndonjë fitore? Kulmet e mia janë mbijetesa politike 30 vjet në këtë parti. Ky është kulmi”./tvklan.al