Emisioni “Stop” shkoi këtë të premte në Fier, pasi gruaja e Desart Malasit, pas orarit policor më 7 Shkurt, aplikoi për leje, sepse duhej të shkonte në spital.

Aplikimi u bë për mjetin e saj, por për shkak të një defekti, Desarti, në rolin e drejtuesit, mori mjetin e vjehrrit. Ata i ndaloi policia dhe nusja e sëmurë zbriti dhe u la pa ndihmë, ndërsa Desartin e shoqëruan në komisariat.

“Kam qenë në shtëpi, kam pasur nusen sëmurë, kam bërë një aplikim në e-Albania në emër të nuses për makinën e saj, por në moment nuk na u ndez makina dhe mora makinën e dikujt tjetër. Hipa në makinë dhe iki për në spital, më ndalon patrulla e policisë në vendin e quajtur Sharra dhe më thotë që ke marrë leje, jam për spital mund të më shoqëroni dhe ju. Më tha “ju lutem shumë zbriteni nusen nga makina dhe ne do të të shoqërojmë në komisariat sepse nuk ke leje me targën që po lëviz. Unë po lëvizja me automjetin e vjehrrit. Më hipën në makinë, të dy. Erdhëm për në komisariat, pa u futur më thanë që mos ta çojmë gjendjen deri atje se po u fute atje nuk del dot më më thanë, do na japësh ndonjë kafe. I thashë çfarë kafeje sepse jam në spital. Më thanë na jep ndonjë 100-she të dyve dhe e mbyllim këtë punë. Unë nuk isha në gjendje ta incizoja, dhe u thashë vazhdoni me procedurat sepse nuk kam me vete dhe realisht nuk kisha sepse isha për spital”.

Veç masës disiplinore me heqje patente dhe leje drejtimi, ai u gjobit me 200 mijë lekë të vjetra për xhamat e zinj dhe 40 mijë lekë gjobë për thyerje të orarit. Por, Malasi tregon, se ka leje për xhamat e errët, për pesë vjet.

“Më shoqëruan, vendosën gjobat dhe pasi u vendos për orarin e këto shikoj letrat dhe më thonë që shikoj që kam marrë gjobë për xhamat e zinj. Jam interesuar tek komisioni për 10 ditë. Jam interesuar dy-tre herë që kur do të dal në komision. Edhe më thanë do të të njoftojmë, nuk më kanë njoftuar. Pas 2-3 ditëve të tjera më japin vendim pa qenë prezent. Të kemi njoftuar tek rajoni i Mallakastrës thanë që ti je njoftuar dhe ke firmosur bashkë me inspektorin që ti e ke marrë njoftimin nga komisioni. Ma treguan, nuk ma dhanë”.

Komisioni i Gjobave në Fier, nuk e thirri dhe mori vendim pa qenë prezent drejtuesi.

Gazetari: Ju keni vënë gjobë për xhamat e zinj, ndërkohë që kemi një certifikatë miratimi me një leje pesë vjeçare. E keni marrë ju këtë, parasysh, kur keni vendosur gjobën? Zotëri, mund të përgjigjeni, se ju jeni të tre pjesëtarë këtu, që merrni vendime dhe janë vendime të rëndësishme. Ju nuk keni marrë parasysh, nëse drejtuesi i mjetit e ka këtë leje ose jo. Keni marrë një vendim të drejtë, apo të padrejtë? Zotëri, po nuk po ju akuzon njeri për vrasje  të njerëzve. Thjesht, për një vendim administrativ, që sipas jush, mesa duket e keni quajtur të drejtë, ndërkohë që është i padrejtë dhe i pabazë, sepse është tjetër procedurë ajo e shkeljes së orarit të karantinës, mbështetur në aktin normativ të marsit të shkuar, mirëpo problemi është për gjobat tani. Përderisa nuk po përgjigjeni, më ngelet të flas vetëm unë. Kjo certifikata është me një leje. Fakti, që ju na përcillni dhe nuk… e di, se si mund t’ju konsideroj unë juve, si një komision, që nuk i përmbush detyrat e veta. Janë vendime absurde dhe të pabazuara në fakte. Drejtuesi i mjetit, çfarë të kanë thënë këtu, janë bërë njoftimet, ku janë bërë njoftimet?

Denoncuesi: Në komisariatin e Mallakastrës. Inspektori i zonës, gjoja ka marrë njoftim për mua, gjë që unë e pyeta inspektorin e zonës dhe më tha se “nuk kam marrë asnjë lloj njoftimi për ty”. Kur kam ardhur ditën e dytë këtu, jam interesuar dhe më kanë treguar fletën, që është marrë njoftimi edhe me firmën time, gjë që unë s’e kam bërë.

Gazetari: Si mund të zgjidhet kjo, zotëri? Ajo është forma, që ju dini më mirë, në fakt, sepse detyrën nuk e bëni siç duhet. Heshtja nënkupton, që ju e keni bërë shkeljen dhe për këtë duhet mbajtur përgjegjësi! Ti ke edhe një numër telefoni në procesverbal.

Denoncuesi: Po, kam! Më kanë thënë, që do njoftohesh dhe nuk jam njoftuar.

Gazetari: Zotëri, ju nuk keni bërë njoftimet përkatëse të drejtuesit të mjetit.

Kryetari i komisionit: Do pres qytetarët e tjerë.

Gazetari: Do i presësh dhe unë do doja, që edhe atyre qytetarëve, për ta, të merrni vendime shumë të drejta dhe jo kështu “kuturu”, sepse në fund të fundit, 240 mijë lekëshin nuk e ka gjetur në rrugë.

Denoncuesi komunikon me inspektorin, i cili ia pohon se nuk është në dijeni të një njoftimi për të për të dalë në komision.

Denoncuesi: Kam marrë një gjobë, këtu në komision, nga Fieri.

Inspektori: Po!

Denoncuesi: Më kanë thënë, se të kanë njoftuar ty, për të më njoftuar mua.

Inspektori: Si e ke emrin ti?

Denoncuesi: Desart Malasi!

Inspektori: Jo, mua jo, nuk më ka thënë njeri, gjë. Në çfarë muaji e ke marrë gjobën?

Denoncuesi: 7 Shkurt!

Inspektori: 7 Shkurt? S’na kanë njoftuar, jo. Nuk kam marrë gjë shkresë për ty.

Denoncuesi: Kanë thënë, që ti e ke marrë njoftimin, ke firmosur, kam firmosur edhe unë dhe më është vënë një gjobë për xhamat e zinj, të cilët unë i kam me certifikatë.

Inspektori: Mos është më përpara, re?

Denoncuesi: Jo pra, kjo datë është, se e kam te gjoba. Është e drejtë kjo gjë, që unë nuk kam qenë prezent?

Inspektori: Ne nuk jemi takuar. Mban mend ti, mirë unë, që jam më i madh?

Denoncuesi: Jo pra, nuk jemi takuar. A është e drejtë kjo, që kanë bërë ata?

Inspektori: E drejtë nuk është, por nuk e di, se kush abuzon atje, jo ka firmosur filani… unë do e mbaja mend.

Denoncuesi: Duhej të isha prezent në komision?

Inspektori: Nga data e marrjes së njoftimit, në qoftë se do të kisha njoftuar unë./tvklan.al