Mosrrethimi i rrugëve me rrjetë teli, shkak për aksidente vdekjeprurëse

Si ky banor i Lushnjes, që e lidh gomarin mbi shinat e hekurudhës, pa u shqetësuar se mund të bëhet burim për aksident, ka në çdo cep të vendit, duke i bërë kështu rrugët e hekurudhat tona më të pasigurtat në Europë.

Ky bari i kullot bagëtitë çdo ditë përgjatë autostradës Lushnje-Fier. Kafshët e tij bllokojnë rrugën, detyrojnë drejtuesit e automjeteve që lëvizin me shpejtësi të frenojnë befas dhe manovrojnë rrezikshëm, duke shkaktuar aksidente edhe me pasojë vdekjen.

Ai e di rrezikun që mund të sjellë, por është i qetë për aq kohë sa nuk i ka ndodhur ndonjë problem, siç shprehet vetë.

“Kështu i nxjerr përditë unë”.

Po a mendon se është e rrezikshme?!

“Po e rrezikshme është, por nuk i shkelin”.

Por a mund të jetë fati i qytetarëve që përdorin këto rrugë në dorë të këtyre individëve?

Për të mos e lënë në dëshirë të bariut sigurinë rrugore, autoritetet do të duhet ta kishin mbyllur autostradën Lushnje-Fier në të gjithë gjatësinë e saj me rrjetë teli.

“Pa guardiela për bllokimin e hyrje-daljeve të automjeteve vend e pa vend dhe pa rrjeta teli për të mos lejuar kafshët të hyjnë në rrugët e shpejtësisë së lartë, Shqipëria është hapa prapa edhe me Kosovën, për sa i përket sigurisë rrugore”

Kështu, si askund tjetër në Europë, ndodh edhe në Tiranë. Në Unazën e Madhe, aksin më të ri dhe më të rëndësishëm, sheh çdo ditë lopë e dele, në mes të korsive.

“Duket që vetëm pak metra nga rruga kullosin bagëtitë, të cilat në mungesë të rrethimit mund të dalin në rrugë duke rrezikuar jo vetëm të përplasen nga automjetet, por edhe të kthehen në burim aksidenti”.

Këtu u desh që të merrej Policia Rrugore me kafshët që kishin hyrë në mes të korsive.

Por a është zgjidhja përdorimi i policisë, edhe për të ruajtur rrugët nga kafshët?

Ekspertët thonë se pa guardriela për bllokimin e hyrje-daljeve të automjeteve vende e pa vend dhe pa rrjetë teli në të gjithë gjatësinë për të mos lejuar kafshët të hyjnë në rrugët e shpejtësisë së lartë, nuk mund të ketë rrugë të sigurta.

Sipas tyre, Shqipëria do të mbetet e fundit në rajon për sigurinë rrugore, disa hapa pas edhe në krahasim me Kosovën.

Rruga e Kombit në anën tjetër të kufirit i ka të gjithë parametrat për të garantuar një lëvizje të sigurtë të automjeteve. Është e rrethuar në të gjithë gjatësinë e saj.

Në Shqipëri, asnjëra nga rrugët nuk garanton këtë standard. Edhe Rruga e Kombit është e mbrojtur vetëm në disa pjesë të saj.

Televizioni Klan u interesua pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, nëse kishte ndonjë plan për vendosjen e rrjetave të telit në akset e shpejtësisë së lartë, por prej disa ditësh nuk ka asnjë përgjigje. 

Dhe deri kur autoritetet të ndërgjegjësohen, se mosmbyllja me rrjetë teli e këtyre rrugëve është shkak për aksidente vdekjeprurëse, çdonjeri prej nesh mbetet i rrezikuar.

Sepse ky banor i Lushnjes dhe të tjerë si ai, mund të vendosin ndonjë ditë, që ta lidhin gomarin edhe në mes të trafikndarëseve në autostradë.

Tv Klan