Kur djali 11-vjeçar i Kay Mitchel vijoi të hante thonjtë, ajo mendoi se bëhej fjalë thjeshtë në një ves të keq. Por pasi Dylan nisi të thoshte se nuk ndihej mirë, ajo nisi t’i frikësohej faktit se ky ves mund t’i kishte shkaktuar ndonjë infeksion të rëndë.

Nëna nga Sheffield, South Yorks, e çoi të birin tek mjeku i familjes, i cili i dha antibiotikë, por gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë. Kishte dhimbje të tmerrshme dhe nisi të vuante nga haluçinacionet.

Në këtë pikë, nëna 37-vjeçare e çoi me urgjencë në spital. Familja shtangu kur analizat zbuluan se problemet shëndetësore të të birit vinin për shkak të diabetit tip 1.

“Isha e frikësuar se mund të ishte sepsis, nuk më kishte kaluar kurrë nëpërmend që mund të ishte diabet. Ai ulërinte nga dhimbja, ishte e tmerrshme. Kur e çuan në spital ishte pa ndjenja“, tregoi nëna e 11-vjeçarit.

Dylan u dërgua në Spitalin e Fëmijëve Sheffield dhe analizat zbuluan se sheqeri në gjak ishte në nivele të rrezikshme. Ai vuante nga Ketoacidoza diabetike (DKA), gjendje që ndodh kur trupi ka mungesë insuline. Nëse nuk trajtohet në kohë, është e rrezikshme për jetën.

Familja e tij nuk ia kishte idenë që vuante nga diabeti i tipit 1, një sëmundje serioze që e shoqëron personin gjatë gjithë jetës dhe për shkak të së cilës nivelet e glukozës në gjak janë tepër të larta, pasi trupi nuk mund të prodhojë hormonin e quajtur insulinë.

Ndryshon nga diabeti i tipit 2, që lidhet me stilin e jetesës, dhe shpesh shfaqet edhe tek fëmijët në moshë fare të re. Megjithatë, në disa raste nuk diagnostikohet deri në momentin që ata zhvillojnë DKA.

“Apeli jonë për prindërit e tjerë është që të mos i neglizhojnë shenjat, sepse mund t’i ndodhë kujtdo. Dylan ishte një djalë i shëndetshëm dhe mjekët thanë se mund t’i ndodhë një atleti, por një personi që nuk bën asnjëlloj aktiviteti fizik. Nëse nuk trajtohet, mund të jetë fatal. Mjekët dhe infermierët i shpëtuan atij jetën dhe unë nuk gjej dot fjalë për t’i falenderuar”, tha nëna e 11-vjeçarit për The Sun.

Pas 5 ditësh, Dylan u rikuperua dhe la spitalin./tvklan.al