PD, letër të dytë Prokurorisë për Agim Kajmakun

PD, letër të dytë Prokurorisë për Agim Kajmakun

11:05 07/09/2019

“Na vini në dispozicion dosjen e plotë”

Pas kërkesës drejtuar Prokurorisë për nisjen e procedurës së verifikimit të kryebashkiakut të Vorës, demokratët i kërkojnë organit të akuzës vënien në dispozicion të dokumentacionit të plotë rreth hetimit administrativ të nisur ndaj Agim Kajmakut.

Letra që mban datën 5 Shtator vjen pasi Prokuroria tha se Kajmakut nuk i janë marrë shenjat e gishtërinjve për shkak se postieri nuk i kishte gjetur adresën e saktë. Posta e përgënjeshtroi këtë variant, duke thënë se ia kishte dorëzuar kërkesën në Bashki.

Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator.

Pas kësaj datë, thonë demokratet, ai duhet ta kishte humbur mandatin.

Selia blu kërkon nga organi i akuzës përgjigje zyrtare të mbështetur në prova për këtë rast dhe arsyet se përse nuk është zbatuar sanksioni i parashikuar nga neni 8 i ligjit për dekriminalizimin, për ndërprerjen e mandatit.

Në letrën që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD e që i është dërguar njëherazi ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së thuhet se cdo shkelje ligjit nga ana e prokurorisë mbi këtë çështje do të evidentonte edhe më shumë faktin që organi i akuzës është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit.

Opozita ka publikuar disa dokumenta që sipas saj provojnë se Agim Kajmaku, nën emrin Jorgo Toto, ka qenë i arrestuar dhe është në kërkim nga drejtësia greke për veprën e trafikimit të parave të falsifikuara. Por kryebashkiaku i Vorës i ka mohuar deri tani akuzat.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT