Prej fillimit të vitit kalaja e gurtë e Gjirokastrës ka mirëpritur rreth 10 mijë turistë, të cilët kanë vizituar vlerat historike dhe arkitektonike të saj.

“Ky është një vend i bukur dhe i veçantë. Mirë se të vini në Shqipëri.”

Turistët vijnë individualisht, me familje ose në grupe.

“Ne e cilësojmë një vend të veçantë, me bukurinë e lumit Vjosa, me malet përreth. Qyteti i Gjirokastrës është shumë tërheqës, një arkitekturë e mrekullueshme, godina karakteristike, po na pëlqejnë shumë traditat e këtushme.”

“Ne vijmë nga Franca, është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë dhe këtë kështjellë të bukur, është shumë tërheqëse. Ne shëtitëm këtu për disa orë veçanërisht në qytet ku zbuluam monumente kulture origjinale për nga mënyra e ndërtimit.”

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar në vendin tonë për tu vizituar nga turistët.

Përgjatë vitit 2024 kështjella e Argjiros u vizitua nga rreth 232 mijë persona, ku rreth 60% e tyre ishin vizitorë nga shtete të ndryshme të botës.

Tv Klan