Brukseli vlerëson pozitivisht angazhimin e Shqipërisë në realizimin e reformave integruese. Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, nga Sheshi Skënderbej në Tiranë, e pyetur nëse Shqipëria do të jetë pjesë e BE në vitin 2030, theksoi se për të arritur këtë objektiv vendi ynë duhet të vijojë me reformat për sundimin e ligjit.

“Po mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer kur vjen fjala për reformat, ato që janë të nevojshme dhe nga ana e Europës duhen bërë hapat e duhur. Ju duhet të bëni reformat, psh në sundimin e ligji. Ka një moment politik që të gjithë duan që procesi i zgjerimit të ndodhë, nuk ka qenë kështu me parë…Kjo nuk është e nevojshme vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Bashkimin Europian për fuqinë e vet ekonomike dhe gjeopolitike”, shprehet Kaja Kallas.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola ishte edhe më optimiste në qëndrimin e vet, teksa deklaroi se Shqipëria i ka bërë hapat e saj drejt Bashkimit Europian, dhe tani i takon këtij të fundit të mbështesë Shqipërinë në rrugën europiane.

“Jam shumë e kënaqur që jam këtu në Tiranë, edhe pse në një ditë me shi. Dua ta uroj Edi Ramën për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare. Mesazhi i qytetarëve shqiptarë ishte i qartë në mbështetje të integrimit të shpejtë europian. Tani na takon ne që të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë. Është e një rëndësie të veçantë që ne e zhvillojmë për herë të parë këtë Samit të Komunitetit Politik Evropian këtu në Tiranë për të demostruar se zgjerimi është një proces ëin-ëin me përfitime të njejta si për shtetet e Ballkanit ashtu edhe për shtetet anëtare të BE-së”, thekson Roberta Metsola.

Vetëm 5 ditë nga zgjedhjet parlamentare, në Tiranë kanë zbritur 47 liderë dhe 5 përfaqësues të lartë të institucioneve të BE për punimet e Samitit të Komunitetit politik Europian.

Tv Klan