Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, do të zhvillojë një tjetër tur ballkanik pas takimeve që realizoi në javën e dytë të Prillit në Tiranë, Podgoricë dhe Sarajevë.
Kallas do të jetë në Serbi të enjten, më pas në Kosovë dhe të premten Maqedoninë e Veriut. Kjo vizitë do të shërbejë për të gjetur rrugën për të ringjallur dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe për të ruajtur stabilitetin e rajonit.
Në Beograd, ajo do të takohet me Presidentin Vuçiç më pas me grupet parlamentare të opozitës, si dhe do të flasë me studentë dhe organizata të shoqërisë civile. Serbia ka disa muaj që është përfshirë në protesta antiqeveritare, por opozita nuk ka mundur të rrëzojë regjimin aktual.
Edhe në Kosovë, Kallas gjen një situatë të komplikuar politike pas disa dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Autoritetet e Kosovës kërkojnë që Brukseli të heqë masat ndëshkuese, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë përpara rifillimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kosova po vijon mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit. Në Prishtinë, Kallas do të vizitojë misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) dhe trupat e KFOR-it.
Në Shkup, Kallas do të hapë Dialogun e parë për Sigurinë dhe Mbrojtjen mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, një proces i ngjashëm me atë që ajo zhvilloi më 8 prill në kryeqytetin shqiptar. Kallas synon po ashtu që ti inkurajojë këto shtete ballkanike që të përshpejtojnë axhendën e reformave të integrimit evropian.
Klan News