Gjatë konferencës që kryeministri Edi Rama pati këtë të martë me gazetarët u pyet në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili është kallëzuar në prokurori nga dy punonjës të patrullës pasi i ka penguar të ushtrojnë detyrën.

Rama tha se askush nuk ka të drejtë t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin nëse ofendon policinë. Sipas tij, policia ofendohet vazhdimisht kur ndaj saj hidhet faji për çdo gjë që ndodh.

“Kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mund t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin. Por policisë i bëhet edhe një ofendim tjetër, i vazhdueshëm, i përditshëm, kur i hidhet faji për çdo gjë që ndodh. Ky është një ofendim shumë më i madh se një ofendim individual i një personi ndaj 2 punonjësve. Ai individuali zgjidhjet, është aty, është në shkelje të ligjit etj., por ka proces. Unë do të shqetësohesha nëse policia nuk do të kishte ndjekur rrugën ligjore… Të gjithë mund të gabojmë dhe të gjithë duhet të përgjigjen për gabimin e tyre. Në këtë rast nuk kemi një tolerim të faktit që një zyrtar i lartë ofendon një patrullë apo një grup punonjësish policie”, tha Rama.

Më tej Rama shtoi se, “Rasti konkret është një rast për të cilin është bërë një denoncim dhe çështja mes palëve zgjidhet në rrugë ligjore. Ka bërë shumë gabim dhe duhet të përgjigjet për gabimin që ka bërë në rrugë ligjore”.

Çfarë ka ndodhur në Lezhë

Patrulla ka konstatuar një lokal që operonte mbas orës 23:00 dhe sipas aktit normativ i ka kërkuar që të ndalonte aktivitetin, por ka hasur në kundërshtim të pronarit të objektit.

Këtë të fundit kanë tentuar ta shoqërojnë, por që në mbrojtje të tij ka dalë kryebashkiaku Ndreu i cili ndodhej në ato ambiente dhe pretendonte se bëhej fjalë për një aktivitet bashkie./tvklan.al