Ish-kreu i Agjencisë së Legalizimeve në Shkodër dhe 3 ish – përgjegjës të kësaj drejtorie janë kallëzuar penalisht në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për konsumimin e veprës penale shpërdorim detyre.

Në bazë të një auditi që KLSH ka ushtruar në këtë drejtori, rezulton se janë kryer legalizime të jashtëligjshme për objekte me sipërfaqe prej 15 mijë e 600 metër katrorë të cilat ndodhen në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, zona të mbrojtura ku nuk lejohet legalizimi. Po ashtu janë kualifikuar për të marrë leje 993 objekte të tjera që janë ndërtuar në zona historike dhe arkeologjike.

Kontrolli ka gjetur se për mbi 1900 raste janë kryer procedurat e dhënies së lejeve të legalizimit, por ato nuk kanë shkuar në dorën e qytetarit, por janë mbajtur në zyrat e drejtuesit të institucionit. Po ashtu është evidentuar se buxhetit të shteti i është shkaktuar dëm në masën e 1.8 milionë Dollarëve pasi nuk është përcaktuar çmimi i pagesave për lejet sipas termave të referencës të përcaktuara aktet ligjore.

KLSH i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t që të marrë masa disiplinore edhe për 13 punonjës të tjerë që akutalisht punojnë në strukturat e kësaj agjencie në Shkodër.

Tv Klan