Dy javë pasi u sulmua verbalisht nga Kryeministri Edi Rama, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht kryebashkiakun demokrat të Kavajës, Isa Sakja.

IKMT njofton zyrtarisht se kryebashkiaku Sakja akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me kreun e Bashkisë Kavajë, IKMT ka kallëzuar edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qaton, si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.

Këta zyrtarë, thotë IKMT, me veprimet dhe mosveprimet e tyre për dhënien e lejeve të ndërtimit, kanë cënuar territorin publik të qytetit. Bëhet fjalë për 7 pallate disakatëshe të ndërtuar në territorin e Bashkisë së Kavajës.

IKMT nuk ka dhënë detaje konkrete në cilën zonë janë ndërtuar këto objekte, që sipas këtij institucioni, bien në kundërshti me ligjin.

Më 31 Mars në Kavajë ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi ambientet e rikonstruktuara të shkollës profesionale në Golem. Kryeministri u informua edhe për gjendjen e konvikteve që janë varësi të Bashkisë së Kavajës dhe që nuk kanë njohur asnjë investim, ndaj ai kërkon ndryshim të kësaj kompetence dhe merr përsipër ndërhyrjen.

Kryebashkiakun e Kavajës e quajti “pallatexhi” dhe një person që nuk ka vizion për zhvillimin e qytetit, përveç ndërtimit të pallateve.

“A

i është pallatexhi. Të bëhet një projekt për konviktet dhe bëjmë konviktin si pjesë e shkollës dhe t’ia lëmë shkollës, ose të gjejmë një formë administrimi se Bashkia këtu nuk ka ndërmend të bëjë as konvikte as shkolla. Bashkia këtu ndërton pallate në rërë, akoma sot e gjithë ditën dhe s’kanë faj përderisa sot akoma s’ka ardhur dora e prokurorisë. Ndërkohë bëni projektin ose në qoftë se e keni çuar në Bashki ta merrni mbrapsht. Ta bashkojmë shkollën me konviktin dhe të gjithë këtë ta bëjmë si kampus për nxënësit

“,

deklaroi Kryeministri Edi Rama më 31 Mars.

/tvklan.al