“Kalo reflekton një lloj kënaqësie që ka shërbyer familjen e diktatorit”

“Kalo reflekton një lloj kënaqësie që ka shërbyer familjen e diktatorit”

22:36 16/09/2019

Debati për “Bllokun”, librin e ish-mjekut personal të Enver Hoxhës, Isuf Kalo, ka bërë bashkë mbrëmjen e kësaj të hëne një panel të ftuarish në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Për Kryeredaktorin e Klan Plus, Mentor Kikia libri i doktorit nuk është libër historik. Sipas tij, Kalo ka shkruar një libër me kujtime, ku ndihet afeksioni që doktori kishte për familjen e ish-diktatorit.

“Duhet të kemi parasysh një gjë. Ky nuk është një libër historik dhe ne nuk mund t’i kërkojmë doktor Kalos të na shkruajnë historinë e komunizmit tani. Ai ka shkruar një libër me kujtime, ku pjesa më e madhe e librit janë perceptime personale, ku ai nuk i shpëton emocioneve, afeksionit që ka për familjen e diktatorit. Ne nuk mund ta fajësojmë atë sot, përse ti ke afeksion për Enver Hoxhën. Ajo që shfaqet në libër, është që doktori ende reflekton një lloj kënaqësie që ka shërbyer në familjen e diktatorit. Parë në këtë këndvështrim, doktori ka përgjegjësi që në momentin kur mori lapsin të shkruajë një libër, do të duhet t’i thotë disa të vërteta, përderisa është një person publik dhe po merr përsipër të shkruajë një libër që do të lexohet nga x njerëz”.

Më tej, Kikia tha se ajo që e bën shqetësues këtë libër është fakti që Kalo e zhvesh Enver Hoxhën nga përgjegjësitë e diktaturës.

“Përgjegjësia e tij është kur fillon që në emër të afeksionit që ka për familjen e diktatorit, fillon dhe zhvesh nga përgjegjësitë për të gjithë diktaturën Enver Hoxhën. Dhe këtu ose duhet të kesh prova shumë të mëdha dhe të hedhësh poshtë të tërë historinë që dimë ne ose të jesh i verbër”.

Në librin “Blloku”, Kalo sjell kujtimet e tij personale, ku rrëfen raportet me diktatorin Hoxha, bashkëshorten e tij Nexhmijen, Ramiz Alinë dhe shumë personazhe të tjerë të kohës./tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori