Kryebashkiaku tregon si e përjetoi karantinimin

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kaloi koronavirusin, në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Tv Klan, foli për momentet më të vështira gjatë karantinimit.

“Fatmirësisht isha tek ajo kategori, unë dhe familja ime, që u ndoqëm në distancë nga mjekët dhe infermierët e spitali “Shefqet Ndroqi”. Kanë qenë dy javë sfiduese. Për kë mendon që kjo është një teori konspiracioni, ose që është një legjendë urbane, apo që e shkakton George Soros e Bill Gates, do të duhet të mendojë seriozisht përpara se të hajë kallup çdo gjë që lexon në internet. Kjo është diçka e vërtetë, nuk kursen as ata që janë në gjendje të mirë fizike, as ata që janë mosha të reja, as fëmijët, që vërtetë e kalojnë më lehtë, por që bëhen bartës, siç ishte në rastin tonë. E mora shumë-shumë seriozisht, edhe falë insistimit të mjekëve dhe nuk mu desh të largohesha as nga shtëpia, jo më nga Shqipëria”.

Veliaj shprehu falenderime dhe vlerësime për mjekët dhe kërkoi më shumë besim tek ata. Kryebashkiaku theksoi se kjo sëmundje nuk pyet çfarë pune bën dhe tha se asnjë kujdes nuk quhet i tepërt.

“Pas 2 javë e gjysmë jam rikthyer në punë, sigurisht vetë më i sensibilizuar edhe sot pjesë e atij kori që duhet të sensibilizojë edhe të tjerët. Askush nuk është imun, edhe nuk ka rëndësi fare çfarë pune bën, nëse jep lajmet në Klan apo je kryetar i Bashkisë. Kjo sëmundje nuk diskriminon askënd dhe asnjë kujdes nuk quhet i tepër”./tvklan.al