“Nuk e deklaroi gjatë Vettingut”

Partia Demokratike denoncoi numrin dy të policisë, drejtorin e Sigurisë dhe Rendit, Gjovalin Loka, si ish –operativ të Sigurimit të Shtetit, për të cilin tha se po mbahet në detyrë në shkelje të ligjit, teksa u konfirmua në detyrë këtë javë nga organet e Vettingut.

“Me mbajtjen në krye të policisë të Gjovalin Lokës kundër ligjit të vetingut, Policia e Shtetit i është dorëzuar pa kushte organit që mbajti nën terror vendin për 45 vjet. Mënyra armiqësore në sjelljen me qytetarët, metodat që përdor për të shtypur, dhunuar, rrahur, e nëpëkëmbur qytetarët janë tregues i zaptimit të Policisë nga ish-sigurimsat. Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej nga Policia, së paku për arsyen se ligji i vetingut në polici, shkruan e bardha mbi të zezë, në nenin 38 pika “g” se qenia “anëtar i ish-sigurimit të shtetit” përbën kusht skualifikues. Një fakt i tillë është i dokumentuar zyrtarisht nga Autoriteti i Dosjeve”.

Ish –deputeti Enkelejd Alibeaj, tha se Loka duhet të largohej edhe për shkak se e ka fshehur këtë fakt nga formulari i vetëdeklarimit.

“Jo vetëm kaq! Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej edhe për faktin, se e fshehu një fakt të tillë në formularët e vetëdeklarimit. Neni 62 i ligjit të vetingut në polici përcakton, shprehimisht, se mospasqyrimi i të dhënave përbën në vetvete shkak për shkarkim nga detyra”.

Partia Demokratike akuzoi gjithashtu edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun, se për të mbrojtur anëtarin e Sigurimit të Shtetit, ka mashtruar publikisht duke shpërdoruar detyrën.

“Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit i ka kërkuar informacion Ardi Veliut për të dhënat mbi anëtarët e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët janë ende në radhët e Policisë së Shtetit. Ky është dokumenti, në të cilin Drejtori i Përgjithshem ka guxuar të mashtrojë dhe të mohojë me shkresë zyrtare ekzistencën e ish sigurimsave në Policinë e Shtetit, kur zëvendëzi i tij, Gjovalin Loka jo vetëm ka ka kryer Shkollën e Sigurimit, por edhe ka punuar operativ i Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste”.

Para komisionit te Vettingut, Loka tha se nuk e kishte deklaruar në formular këtë fakt, pasi përgjatë muajve si operativ ai nuk kishte kryer asnjë veprim në dëm të shtetasve, asnjë rekrutim, asnjë keqtrajtim, por vetëm kishte marrë në dorëzim dosjet nga ish-eprori i tij.

Partia Demokratike thotë se “ekspertët llogarisin se në këto 7 vjet e gjysëm, janë më shumë se 500 sigurimsa të tjerë që janë rifutur dhe punojnë në nivele të larta të strukturës së Policisë së Shtetit, çka përbën një tallje me ligjin, kompromentim kriminal të policisë”.

Tv Klan