Një tjetër anëtarë i Gjykatës së Lartë është shkarkuar nga komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Pas Admir Thanzës dhe Tom Ndrecës edhe Artan Zeneli nuk ka kaluar filtrat e Vettingut duke e lënë shkallën e tretë të Gjyqësorit në vend me 6 gjyqtarë nga 19 që duhet të ketë.

Praktikisht Gjykata e Lartë është në prag kolapsi, pasi tani mund të formojë vetëm një kolegj për të gjitha mijëra dosje që pritet të shqyrtohen. Po këtë të mërkurë në KPK u zhvilluan seanca dëgjimore me prokurorin e Tiranës Arben Nela dhe gjyqtarin e apelit të kryeqytetit Ervin Metalla.

Nela sipas komisionit ka probleme me pasurinë pasi ka bërë deklarim të rremë dhe s’ka burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e tre shtëpive si dhe një shumë prej 12 500 euro. Por pretendimet e trupës janë kundërshtuar nga prokurori, i cili sqaroi se llogarite nuk janë bërë mirë dhe se çdo qindarkë e pasurisë së tij është justifikuar.

Edhe gjyqtari Metalla sipas KPK ka probleme me pasurinë pasi nuk justifikon blerjen e një apartamenti për të cilin ka marrë dhe kredi të butë. Më pas kredisë i është ndryshuar destinacioni pasi i ka kaluar të vëllait. Komisioni ka rikonfirmuar në detyre prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevadari, dhe gjyqtaren e Apelit te Krimeve të Rënda Nertina Kosova.

Tv Klan