Ish-polici i kërkon falje babait të Klodian Rashës në sallë të gjyqit

“Të kërkoj falje nuk doja që të ndodhte kështu,” me këto fjalë i’u drejtua ish-efektivi i forcave Shqiponja Nevaldo Hajdaraj në sallë të gjyqit Qazim Rashës, babait të 25 vjeçarit Klodian Rasha, që u ekzekutua mëngjesin e 8 Dhjetorit.

Gjatë zhvillimit të seancës paraprake Hajdaraj ka qëndruar me kokën ulur. Avokati, Adriatik Cama i kërkoi gjykatës që të bëhet rikualifikimi i veprës penale nga vrasje me dashje në “vrasje në kapërcim të kushteve të vetmbrojtjes.” Por, kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtari Bedri Qorri, i cili pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi që të kalonte dosjen për gjykim.

Gjyqtari ka administruar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga ish-efektivi i forcave Shqiponja. Kërkesë e cila do të shqyrtohet nga treshja gjykuese në seancën e parë të nisjes së gjyqit në themel. Qazim Rasha tha për mediat se kishte ardhur për të parë më sytë e tij drejtësinë.

“Kam kërkuar që ditën e parë drejtësi. Sot erdha të dëgjojë, të shikojë në sy ballë për ballë, çfarë do të thotë drejtësia. Asnjë zemër vajze dhe djali të mos vritet në mnyrë makabre si puna e djalit tim.”

25 vjeçari u vra në orët e para të mëngjesit të datës 8 Dhjetor nga Nevaldo Hajdaraj, pas disa munutash që e ndiqte. Prokuroria ka argumentuar se ish-efektivi ka qëlluar me qëllim për ta vrarë 25 vjeçarin pasi gjuajtja ishte në lartësinë 154 cm. Hajdaraj në deklarimin e tij e ka mohuar këte fakt, por grupi i hetimit nëpërmjet kamerave të sigurisë ka zbardhur gjithë ngjarjen.

Klan News