Në “Aventurat e Alfios” në Tv Klan, pranë ujëvarës së Shën Gjergjit, Alfio Rrotani dhe Iva Tiço ngritën vendqendrimin e tyre për të pushuar dhe gatuar. Alfio na prezantoi me një metodë shumë interesante të përgatitjes së roleve me kripë, një proces në të cilin Iva e ndihmoi.

Hapi tjetër në gatim ishte përgatitja e salcës së borzilokut, sigurisht jo në mënyrën moderne siç e përgatisim në jetën e përditshme, por në mënyrën tradicionale, në havan. Shefi ynë tregoi edhe disa sekrete për ta bërë më lehtë dhe më të shijshme salcën. Ndërsa roletë piqeshin në zjarrin e ndezur, u ndez edhe zjarri i bisedës midis Alfios e Ivës.

Alfio Rrotani: Unë kam një jetë që merrem me gatimin dhe ndonjëherë them ç’desha që u mora me gatimin, them të merrem me diçka tjetër.

Iva Tiço: Vetëm mos u merr me gazetari.

Alfio Rrotani: Këtë doja të të pyesja, ke 20 vite që merresh me gazetari?

Iva Tiço: Unë kam bërë të kundërtën tënde, kam 25 vjet që merrem me gazetari dhe këto 2-3 vitet e fundit po njihem shumë me gatimin.

Alfio Rrotani: E ke lënë mënjanë gazetarinë apo vazhdon akoma?

Iva Tiço: E mira e kësaj është që mund të bëhen edhe të dyja bashkë, mund të bësh edhe gazetari gatimi. Ne të dy vijmë nga dy anë të kundërta: ti vjen nga gatimi dhe po bën gazetari gatimi, unë vij nga gazetaria dhe po bëj gatime. I kemi hyrë pak në pjesë njëri-tjetrit, po bëjmë shumë mirë.

Alfio Rrotani: Po ta shohësh, duke i ndërthurur gjërat nuk lë pas dore asnjë nga ato.

Iva Tiço: Sidomos me gatimin unë bëj atë që bëj më mirë dhe ajo që bëj më mirë nuk është gatimi, është e shkruara dhe mund të shkruaj për ushqimet, për gatimin. Më pëlqen që i kam gjetur vetes një punë të re këto kohët e fundit.

Alfio Rrotani: Si mendon, do të bësh ndonjë libër gatimi?

Iva Tiço: Kam qejf herë pas here, por ngaqë jam njeri që i kam shumë pasion librat, i di si janë librat, nuk bëj dot një libër për të kaluar radhën. Nëse do të bëj një libër, do të jetë i mirëmenduar. Mund të bëj edhe 10 pastaj nga qejfi, por që do të bëhen për mirë, me foto të mira, por që për fat të keq janë gjëra që kanë dhe kosto, nuk është i lirë./tvklan.al