Irma Libohova është një këngëtare e rritur në skenë, me një karrierë 50-vjeçare. Ajo numëron një numër të pafund çmimesh dhe pjesëmarrjesh në festivale të ndryshme. gjithashtu ajo ka realizuar 8 albume të suksesshme duke u bërë kështu e para këngëtare shqiptare që ka publikuar albume të mirëfillta. 

Këngëtarja ka marrë pjesë që në edicionin e parë te “Kënga Magjike” e madje ka fituar dy herë çmimin e parë. Herën e fundit në “Këngën Magjike”, me kupën fituese në dorë të ardhur nga kënga “Prapë tek ti do vij”, Irma u shpreh se nuk do të marrë më pjesë në festivale të tilla, duke shënuar një fund kapitulli.

Por ajo vendosi të rikthehet pas 17 vitesh në “Këngën Magjike 2022”, për të dhënë një mesazh të fortë me këngën e saj “E jona”.

Ardit Gjebrea: Me kupën në dorë the unë nuk marr më pjesë në një festival. E mbylle me “Këngën Magjike” dhe përkohësisht sepse po rikthehesh në “magjinë” e këngës.

Irma Libohova: Mesa duket gjërat kanë ndryshuar.

Ardit Gjebrea: Tematika e këngës tënde në fakt është mjaft e fortë. Divorci dhe gjurmët që ky fenomen social  lë te fëmijët, si erdhi kjo këngë?

Irma Libohova: Arditi të jesh i sigurt se ka ardhur nga një skenë reale. Unë e kam par në distancë, por më ka bërë përshtypje dhe ka qenë një impakt shumë i fortë në shpirtin tim.

Irma Libohova: Pashë një skenë në një qoshe të kafes. Prindi, babai kishte vënë laptopin përpara dhe fëmija krejtësisht jashtë vëmendjes së babait me një celular në dorë. Një javë ishte kjo, javën tjetër ishte i njëjti fëmijë dhe ishte nëna. Kjo më la të  besoj se diçka në çift nuk funksiononte. Ne nuk e kemi abstraguar, kemi parë pikërisht këtë skenë që unë kam parë. Menduam bashkë me Erjonën që vendi më i mirë ku mund ta themi këtë mesazh, se unë prandaj kam ardhur të jap këtë mesazh,  ishte pikërisht skena e “Këngës Magjike”./tvklan.al