Abby Wu ishte vetëm 14 vjeçe kur kreu ndërhyrjen e parë plastike. Pasi mori terapi hormonale për një sëmundje, pesha e saj shkoi nga 42 në 62 kilogramë brenda 2 muajve.
Ky ndryshim rezultoi në kritika nga mësuesja e aktrimit dhe më pas, ndërhyrjen e së ëmës që e çoi të kryente shkrirje dhjami në pjesën e barkut dhe këmbëve. “Thjesht bëhu trime dhe hyr brenda. Do të bëhesh e bukur pasi të dalësh”, kujton ajo për BBC fjalët e saj teksa priste e veshur me një fustan spitali.

Ndërhyrja ishte trumatike. Abby i kishin bërë vetëm anestezi lokale dhe e pa gjithë pjesën tjetër. “Mund të shihja sa dhjamë po nxirrej nga trupi im dhe sa gjak po humbisja”.
Tani është 35 vjeçe dhe ka kryer mbi 100 ndërhyrje që kanë kushtuar gjysmë milioni dollarë. Ajo është bashkëpronare e një klinike bukurie në Pekin dhe një nga fytyrat më të njohura të Kinës për ndryshimet e kryera përmes kirurgjisë plastike.
Por të gjitha këto kanë një kosto.
E ulur përpara pasqyrës në apartamentin e saj, ajo vendos pak korrektor për të mbuluar të nxirat nga injeksioni i fundit për hollimin e fytyrës, një procedurë që e bën çdo muaj pas 3 ndërhyrjesh për reduktimin e nofullës nga e cila i kanë hequr më shumë kockë sesa duhej.
Abby thotë se nuk pendohet për ndërhyrjet dhe beson se e ëma mori vendimin e duhur.

Kirurgjia plastike ka arritur kulmin në Kinë falë aplikacioneve, ndryshimit të standardeve të bukurisë dhe rrjeteve sociale. Mbi 20 milion ndërhyrje kryhen çdo vit kryesisht nga vajzat e reja. Botoksi injektohet pas veshëve për t’i nxjerrë paksa përpara, qepallat ngrihen për të zmadhuar sytë dhe largësia mes buzës së sipërme dhe hundës zvogëlohet për të ulur vitet dhe dukur thuajse si fëmijë.

Aaplikacione si SoYoung pikasin ‘të metat’ dhe rekomandojnë si duhet rregulluar. “Thotë që kam qeska te sytë. Të ngre mjekrën? E kam bërë”, thotë Abby. “Hollim hunde? Duhet të bëj sërish hundën operacion?”
Por rritja e kërkesës ka sjellë pasoja të rënda. Klinika të reja hapen çdo ditë ku shumë prej tyre punojnë pa licencë dhe dhjetëra praktikantë të pakualifikuar kryejnë procedurat e rrezikshme. Viktimave u mbetet shpërfytyrimi, ndërlikimet shëndetësore dhe problemet financiare.

“Lëkura ime u bë sikur kishte çimento nën të”

28-vjeçarja Yue Yue bëri injeksione mbushjeje në klinikën pa licencë të një shoqeje. Mbushësi nën lëkurën e saj u forcua duke shkaktuar deformime që u përkeqësuan pas shumë përpjekjeve për ta riparuar. “Lëkura ime u bë sikur kishte çimento nën të”, thotë ajo. Tani asaj i kanë mbetur shenja, lëkurë e rënë dhe dëmtime të përhershme që i kanë ndikuar edhe në punë.
“Nëse do të mund të dukesha siç isha para ndërhyrjes, do të isha shumë e lumtur”.
Gao Liu, një aktore e njohur iu nënshtrua një ndërhyrjeje në hundë në një klinikë të licencuar dhe më pas maja e hundës iu bë e zezë dhe nuk funksiononte më. Asaj iu shkatërrua karriera dhe hunda s’i është kthyer më në gjendjen e mëparshme pas 2 operacionesh. “Pendohem vërtet. Pse e bëra?”, thotë ajo.

Nga intervista e punës në tavolinën e operacionit
Një trend tjetër janë mashtrimet për punë. Da Lan iu ofrua një punë si “këshilluese bukurie”, por më pas u vendos nën presion për të kryer ndërhyrje të kushtueshme estetike që ditën e parë përmes kredive me interes të lartë. Ajo përfundoi nga intervista e punës në tavolinën e operacionit brenda 24 orëve duke u paguar për 42 dollarë në javë.

Por kjo nuk do ta ndalojë Abby dhe mikeshat e saj që takohen për një kafe teksa përpiqen të pozojnë për një foto dhe më pas modifikojnë fytyrat duke zgjatur qerpikët dhe formësuar mollëzat.
Kur pyeten se çfarë pëlqejnë më shumë në tiparet e fytyrës, ato e kanë të vështirë të thonë njërin që nuk duan ta ndryshojnë.
Biseda kthehet te implantet në mjekër, shkurtimi i buzës së sipërme dhe rinoplastika. Abby do një tjetër ndërhyrje në hundë pasi të fundit e ka bërë 6 vite më parë, por kirurgët e kanë të vështirë.
“Lëkura ime nuk është më elastike pas kaq shumë ndërhyrjesh. Mjekët nuk kanë shumë material. S’mund t’u japësh mjaftueshëm copë sa për një jelek dhe të presësh një fustan nusërie”.
Metafora është e qartë dhe tregon se sa i madh është orteku. Abby s’ka ndërmend të ndalet. “Nuk mendoj se do ta ndal ndonjëherë rrugëtimin tim për t’u bërë më e bukur”, thotë ajo./tvklan.al