“Kam fjetur me armikun”

“Kam fjetur me armikun”

13:12 11/09/2019

50-vjeçari tregon si inskenoi vdekjen e tij për të çuar në burg bashkëshorten

Një trajner boksi i cili inskenoi ekzekutimin e vetes pasi mësoi se bashkëshortja kishte pajtuar një vrasës me pagesë për ta vrarë, duke folur për gjithë çka kaloi thotë se iu desh të flinte me armikun që të sigurohej se ajo do të shkonte pas hekurave.

Ramon Sosa bashkëpunoi me detektivët në 2015-n, për të vërtetuar se Maria ‘Lulu’ Sosa kishte vënë në dispozicion një shumë prej 1500 paundësh për të vrarë bashkëshortin e saj, gjatë kohës që çifti ishte në proces divorci.

Në një rrëfim për të përditshmen britanike The Sun, 50-vjeçari nga Houston, SHBA, tha se kishte shtangur kur kishte dëgjuar se gruaja planifikonte që t’i merrte paratë. Por në vend se të shkonte dhe ta përballte, ai thuri një plan që do ta çonte Lulu-n pas hekurave për dy dekadat e ardhshme. Megjithatë kjo do të thoshte se atij do t’i duhej të jetonte nën të njëjtën çati me të.

“Ato momente kur dëgjova për herë të parë që Lulu donte të më vriste ishin të pabesueshme. Fjalët mbetën pezull për disa sekonda dhe kur nisa të procesoj mesazhin, ato u ngulitën mirë në tru. Nga ai moment, shumë mendime nisën të kalonin në mendjen time”.

“Kisha dyshime, sigurisht. Fillimisht nuk doja ta besoja. Pasi e pranova se ky ishte realiteti u mbusha me inatë, me trishtim dhe konfuzion, një miks emocionesh që luftonin njëri-tjetrin.”

“Më pas më ra ndërmend që do të duhej të jetoja nën një çati me njeriun që po planifikonte të më vriste”.

“Po, fjeta me armikun me një sy hapur, ndërkohë që përpiqesha të sillesha sikur gjithçka ishte normale, në mënyrë që Lulu të vazhdonte me planin e saj. Ajo ishte e vetmja mënyrë që kishim për ta kapur në aksion”, rrëfeu Sosa.

Për fatin e keq të Lulu-s, ajo kishte kontaktuar me një djalë të quajtur Gustavo, pa kuptuar se ai dhe Ramon ishin miq.

Pasi Gustavo u bë bashkë me Ramon, takimin tjetër që pati me Lulun, ai fshehu një mikrofon në rroba dhe e regjistroi bisedën, përpara se provën inkriminuese t’ia dërgonte policisë.

Por kjo nuk mjaftonte, ndaj policia sugjeroi që Ramon të shtirej si i vdekur për një fotografi, që do t’ia tregonin Lulut.

Me ndihmën e FBI, efektivët e lyen Ramon me bojë që dukej si gjak, në mënyrë që bashkëshortja të besonte se vrasësi që kishte punësuar e kishte çuar punën deri në fund.

Duke përshkruar fotografinë në fjalë, Ramon, i cili ka 3 fëmijë nga një martesë e mëparshme, tha: “Ishte e frikshme, e papërshkrueshme”.

“Ajo fotografi, edhe sot e kësaj dite reflekton një prej gjërave më të vështira që më është dashur të bëj në jetë. Mendimi i vetes së shtrirë në një varr të humbur me të brendshme dhe me një plumb në kokë është i tmerrshëm”.

Një “vrasës me pagesë”, që në fakt ishte një oficer policie i infiltruar u takua më vonë me Lulu-n në një parking dhe i tregoi asaj fotografitë e Ramon.

“Ajo po qeshte kur oficeri i tregoi fotot. Madje e pyeti nëse kisha vdekur vërtetë, apo do çohesha sërish”, rrëfen 50-vjeçari.

Lulu u arrestua pak kohë më pas dhe në Tetor të 2016-s u dënua me 20 vjet burg nga një gjykatë në Conroe të Teksasit.

Duke folur për marrëdhënien me bashkëshorten e tij, Ramon thotë se ndihet me fat që është gjallë.

Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, për asnjë moment të vetëm që Lulu më donte të vdekur. Divorci jonë ishte i vështirë dhe me shumë përplasje, por në asnjë moment nuk më shkoi ndërmend tek vrasja”.

“Mund t’ju them se ajo jo vetëm që më donte të vdekur, por kishte planifikuar të shkatërronte jetën që kisha punuar kaq shumë për të ndërtuar.”

“Pasi mora provat që autoritetet kishin mbledhur nga Lulu, mund të them me plot bindje se jam shumë me fat që jam gjallë”, shton 50-vjeçari.//tvklan.al

Të ngjashme