Elmir Tufa flet nga arratia: Si e njoh unë Albert Zajën

Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Roland Cara janë 4 personat e akuzuar dhe të shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më datë 1 Shkurt në Fier.

Policia thotë se për këtë vrasje janë përdorur të paktën 2 automjete. Njëra prej tyre, një Range Rover, u gjet i djegur pas vrasjes së Shkëlzen Kastratit. Kurse është sekuestruar edhe një automjet i dytë tip Audi që është përdorur nga autorët për t’u larguar pas vrasjes.

Elmir Tufa 29 vjeç, në një intervistë ekskluzive për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në Klan Plus, ka folur nga arratia duke mohuar përfshirjen në këtë atentat. I pyetur nga gazetari Koka nëse e njeh Albert Zajën, ai thotë se ka miqësi me të.

Sa i përket makinës Audi, Elmir Tufa shprehet se një makinë të tillë e kishte marrë Albert Zaja 2-3 muaj para vrasjes së Shkëlzen Kastratit. Në këtë automjet 29-vjeçari shprehet se ka hipur, por mohon që të ketë patur dijeni për organizimin e ndonjë atentati.

Spartak Koka: Çfarë ju lidh ju me Albert Zajën dhe në ç’rrethana e njihni Albert Zajën 37 vjeç?

Elmir Tufa: Albert Zajën e njoh se jemi në një fshat. Flasim, rrimë, kemi ngrënë bukë, kemi pirë kafe. Thjesht vetëm shok që e njoh në fshat.

Spartak Koka: E dini sot ku ndodhet Albert Zaja?

Elmir Tufa: Jo nuk kam dijeni fare!

Spartak Koka: E dini çfarë e lidh Albert Zajën me vrasjen e Shkëlzen Kastratit?

Elmir Tufa: Fare! Se çfarë ka bërë unë nuk kam lidhje fare me këtë ngjarje, nuk jam në dijeni për asgjë.

Spartak Koka: Albert Zaja kishte blerë së fundmi një Audi. Prej sa kohësh e kishte blerë këtë Audi?

Elmir Tufa: Nuk e di. Vetëm unë kam qëndruar me të.

Spartak Koka: A keni hipur ju në këtë automjet, i cili sipas policisë rezulton të jetë përdorur ditën e ngjarjes?

Elmir Tufa: Në këtë automjet unë kam hipur më përpara, që e takonim.

Spartak Koka: Sa ditë para ngjarjes keni hipur në makinë?

Elmir Tufa: 2-3 ditë para ngjarjes që kam hipur në atë makinë.

Spartak Koka: Po për çfarë arsye?

Elmir Tufa: Më erdhi se s’kishim makinë, e linim në lavazh, më merrte me shokë të tjerë shkonim pinim kafe së bashku, hanim bukë.

Spartak Koka: Po ju kishte folur Albert Zaja për ndonjë plan, ndonjë organizim për vrasjen e ndonjë personi?

Elmir Tufa: Jo, jo fare, s’më ka foluir fare.

Spartak Koka: Po kjo makinë ku është blerë, në dijeninë tënde? Kujt ia ka marrë?

Elmir Tufa: Nuk e di fare?

Spartak Koka: Me targa shqiptare? Me targa të huaja? Me çfarë targa ishte ky automjet?

Elmir Tufa: Me targa shqiptare e ka pasur automjetin.

Spartak Koka: Në emrin e vetë e kishte kaluar?

Elmir Tufa: Nuk e di!

Spartak Koka: Nuk ishe interesuar?

Elmir Tufa: S’më interesonin fare, thjesht e takonim. Me këto gjëra s’kam lidhje fare.

Spartak Koka: Kur ka ardhur në fshat? Kur e keni parë për herë të parë Audin?

Elmir Tufa: Audin e kam parë për herë të parë 2 muaj, 3 muaj më përpara.

Spartak Koka: Elson Xheçukën, një person tjetër që mendohet të jetë pjesë, e njihni?

Elmir Tufa: Jo fare!

Spartak Koka: Silvio Cara ose Roland Cara, e njihni?

Elmir Tufa: Jo, jo fare!

Spartak Koka: Nuk i ke takuar asnjëherë?

Elmir Tufa: Asnjëherë.

/tvklan.al