Kryeministri Edi Rama tregoi në Fier këtë të shtunë se pse e do edhe një mandat të tretë në krye të punëve të vendit. Ai tha se nuk i lë betejat në mes dhe ato duhen çuar në fund.

Kreu i qeverisë shtoi se nëse do të ishte i kënaqur me punën e bërë deri më tani do të largohej nga posti i kryeministrit për t’iu përkushtuar familjes. Por ai u shpreh se është më i pakënaquri në lidhje me çfarë është bërë pasi duhen çuar deri në fund reformat që janë nisur.

 “Nëse unë do të mbaja një fjalim për çfarë nuk shkon do të isha i gatshëm për sytë e shumëkujt që të merrja drejtimin e PD-së, realisht do të dukesha demokrati më vigjilent”, tha Rama.

“Unë nuk hyj tek ata që i le në mes betejat apo punët dhe këtu ka disa beteja shumë të rëndësishme për të fituar që nuk janë fituar ende. Unë nuk mendoj se të tjerët mund t’i fitojnë. Jam i bindur që të tjerët nuk i fitojnë dot. Që nga beteja për të futur në shtëpi ata që janë në pritje për të hyrë në shtëpi. Jam i bindur që historia e tyre do të kthehej në kalvar, ndërkohë që ne e kemi vënë në vijë dhe do ta çojmë në fund. Nuk është betejë mekanike se kush qeveris dhe shtëpitë do të ndërtohen. Shtëpitë do të ndërtohen, por si do të ndërtohen, kur do të ndërtohen? Është betejë e jashtëzakonshme për vaksinimin që është e lidhur me aftësitë e qeverisë dhe aftësinë e lidershipit të vendit për të garantuar vaksinat. Kush do ta garantojë këtë? Pastaj janë të gjitha projektet që kemi diskutuar dhe që duhen çuar në Fier. Rilindja urbane është projekt në vazhdim që nuk ka të bëjë thjesht me zbukurimin, por sjell ekonomi. Nuk është e rastit që fatkeqësisht u desh të kalonte çerek shekulli që Shqipëria të ripërtërinte zemrat e qyteteve. Qytetet ishin me zemër të ndalur, nuk iu punonte zemra. Sigurisht që kanë akoma gjymtyrë të prandaj duhet mandati i tretë sepse duhet çuar ripërtëritja në çdo gjymtyrë.

Nëse unë do të mbaja një fjalim për çfarë nuk shkon do të isha i gatshëm për sytë e shumëkujt që të merrja drejtimin e PD-së, realisht do të dukesha demokrati më vigjilent sepse jam i vetëdijshëm se çfarë nuk shkon. Nëse do të hyja në një garë për kupën e të pakënaqurit nga qeveria unë do ta fitoja kupën se nuk jam i kënaqur dhe po të isha i kënaqur me këtë punë do të thosha boll se kam hyrë shumë në borxh me familjen sidomos me atë të voglin. Këtu sfida është pse jemi të pakënaqur? Jemi të pakënaqur sepse nuk e kemi shtëpinë që kemi këtu siç e duam. Shtëpia këtu është njësoj si kantieret e rindërtimit. Duhet ta mbarojmë ne reformën e shëndetësisë, duhet ta përmbyllim çfarë kemi nisur, sepse është një fazë historike kjo çfarë kemi nisur, por duhet ta mbarojmë ne reformën e energjisë dhe janë të gjitha në proces. Të ndërpresësh këtu punën është të tradhtosh qëllimin dhe të tradhtosh njerëzit. Se po të ishte thjesht dëshirë egoiste, e verbër personale për t’i rënë shkurt për të qenë rehat, unë nuk jam dikush që nuk di të bëj punë të tjera, do merresha me art, do merresha me çunin e vogël, familje, me shokë, miq etj.”, u shpreh kryeministri./tvklan.al