Çudia në Kombinat: Pallati i dëmtuar pa shirit… godina pa krisje shpallet e pabanueshme

Çudia në Kombinat: Pallati i dëmtuar pa shirit… godina pa krisje shpallet e pabanueshme

21:08 26/12/2019

Ndalemi në Kombinat, në rrugën “Dionis Filozofi” ose Rruga e Qelqit. Pallatet e ndërtuara në vitet ’52-’53 dhe banesat private të pas 1990-s janë dëmtuar ndjeshëm, aq sa banorët kanë frikë të jetojnë në to.

“Nuk kishim ku të venim. Pas tërmetit na çuan në palestrën e shkollës 8 Nëntori. Aty ndenjëm 7 ditë dhe na thanë që të dilnim. I thashë ku do kthehemi? Flisja me ata të Urbanistikës dhe më thonin që gjej shtëpi vetë. As bonus qiraje, asgjë. Unë jam me dializë, nënën e kam me trombozë dhe paralizë, të operuar dhe nga këmba, ku të kërkoj unë”, tregon një banore.

Nuk keni frikë, nga momenti në moment mund t’ju bjerë tavani?

“Le të na zërë brenda, nuk kam ku të vete. Këtu kemi 50 vjet që banojmë. Banesa është me certifikatë pronësi”, shton ajo.  

“Po më bie tavani m kam punuar si qen i shpirt, nuk flihet fare këtu… Ke frikë të rrish, po çfarë të bëjmë. Unë nuk kam çuar as dokumente atje se nuk kam fuqi të shkoj. Banesën e kam me certifikatë pronësie. E kam bërë me punë vullnetare, kam punuar si qen”, tregon një tjetër banore e moshuar.

Pasi gazetarja e emisionit “Stop” kontaktoi me Zyrën Urbanistike të Njësisë Numër 6 në Kombinat, pallatit iu vu shiriti, që e konsideron të pabanueshëm.

Gazetarja: Isha te “Rruga e Qelqit”, “Dionis Filozofi”, ato pallatet…

Urbanistika: Ato pallatet ne i kemi bërë aktin e konstatimit dhe presim aktin e konstatimit nga Instituti i Ndërtimit.

Gazetarja: Sa mund të zgjasë kjo?

Urbanistika: E presim edhe sot, edhe sot mund të vijë.

Gazetarja: Janë për banim, apo s’janë për banim? Apo nuk e dini akoma? Po qëndrojnë aty, kanë shkuar në palestra dhe pastaj janë kthyer përsëri aty.

Urbanistika: Ato që kanë qenë me probleme, ne i kemi nxjerrë, disave iu kemi çuar dhe çadër.

Gazetarja: Po dy çadra ishin aty, pjesa tjetër ishin në hyrje.

Urbanistika: Kaq, kaq për momentin! Mund të flasësh me shefin. Rrugën e Qelqit e di unë. Kam qenë që ditën e parë, pupulitët janë goxha me probleme.

Urbanistika: S’i bëj dot unë ato bonus qiraje, po s’pata dhe akt-konstatimin nga Instituti i Ndërtimit. Nuk më quhet mua si institucion akt-konstatimi im. Për bonus qiraje duhet certifikata e pronësisë, certifikatë familjare dhe akt konstatimi nga IN.

Po në Kombinat, në rrugën “Henriko Telino” në godinën e ish-Kombinatit Tekstil të quajtur “Kadife”, banojnë rreth 60 familje.

Nga tërmeti i 26 Nëntorit kjo godinë është vlerësuar si e pabanueshme dhe i është vendosur shiriti, edhe pse ajo nuk ka as dëmtimin më të vogël.

Banorët shprehen se banojnë aty prej shumë vitesh dhe kanë edhe certifikata pronësie. Ata thonë se kanë shkuar në Njësinë Bashkiake, ku u kanë thënë se shiriti nuk është vendosur nga ata.

Tek Enti Kombëtar i Banesave u thuhet të mos dalin nga shtëpitë. Tek Instituti i Ndërtimit gjithashtu ngrenë supet.

“Unë jam Vebie Berisha, banoj në objektin e Kadifes. I kam bërë dokumentet, të gjitha, me certifikatë pronësie, iu kam paguar dhe e kam emrin në Hipotekë dhe tek Enti Kombëtar i Banesave. Këtu kam 20 vjet që jetoj, me mundime. Në kohën që më vdiq burri dhe më vranë djalin, më ka vendosur Këshilli i Ministrave. Më dha katin e parë. Kam qenë e sëmurë, se jam me probleme, kur marr vesh nga njerëzit e shtëpisë që kishin ardhur dhe më kishin vënë shiritin tek shtëpia. Nga tërmeti unë nuk kam asnjë gërvishtje, asnjë cënim në shtëpi. Shtëpinë e kam shumë të rregullt. Këtu jemi 60 familje. 4 familje kanë patur dëmtime, ata janë vajtur kanë marrë bonus dhe i kanë thënë që të dalin me qira. Kur erdhi policia këtu dhe vendosi shiritin, më dhanë urdhër të prerë: nesër në orën 10:00 do nxirrni rrobat jashtë. Unë i thashë policisë nuk dal jashtë, sepse jam me dokumente të rregullta, paguaj çdo muaj sipas rregullit. Unë këtë shtëpi e kam blerë me gjak. Edi Rama dhe Erion Veliaj të strehojnë ata njerëz që janë me çadra, jo ne që jemi të pa cënuar nga tërmeti “, tregon një prej banoreve.

Në këto kushte i jemi drejtuar Njësisë Bashkiake Numër 6 dhe administratori Adriatik Mero shprehet se i takon Institutit të Ndërtimit vlerësimi për godinën.

Gazetarja: Ju si njësi keni shkuar atje?

Administratori: Për çfarë?

Gazetarja: Për inspektim nga tërmeti.

Administratori: Po patjetër, që kemi shkuar.

Gazetarja: Si ka dalë godina?

Administratori: Po nuk shprehemi ne.

Gazetarja: Ju keni parë dëme aty?

Administratori: Kemi parë mo, si s’kemi parë?!

Urbanistika: Çfarë dëmesh kanë qenë? Në 60 personat e tjerë, përveç 4 familjeve?

Administratori: Të lutem! A po më pyet atje, ku kam qenë unë? Do të ta tregoj si është?

Gazetarja: A ke qenë në të gjithë godinën?

Administratori: Godinën shkon Instituti i Ndërtimit, për të vlerësuar qëndrueshmërinë, nuk vete unë.

Gazetarja: Ka ardhur Instituti i Ndërtimit dhe çfarë ju është lajmëruar ju nga Instituti i Ndërtimit?

Administratori: Po presim gazetarisht, besoj sot në orën 2 na vjen dhe me shkrim dhe merret Instituti i Ndërtimit dhe Emergjencat Civile me përgjigjen, që vjen.

Gazetarja: Si mund t’i vendoset shiriti pa dalë vlerësimi i godinës?

Administratori: Ore, vlerësimi i godinës ka dalë./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi