Gazetarja tregon kush paguan për seks

Prostitucioni në vendin tonë, ndonëse jo i ligjshëm, duket se ushtrohet gjerësisht, madje më hapur nga ç’mund të mendohet. Nga studio e “Opinion”, gazetarja Doriana Bezat solli rastin e një vajze 22-vjeçare, e cila ushtronte prostitucion në mes të Tiranës.

“Nga kurioziteti që kam pasur sesi funksionon jeta e një punonjëse seksi unë kam kërkuar që të ndjek një ditë të një vajze, e pagëzova me emrin Lorena për të ruajtur anonimatin e saj. Ishte një vajzë që punën e kishte kthyer në biznes, kishte bërë vetëm 4 vjet shkollë. Nuk kam asnjë aftësi tjetër përveçse të shes trupin, më tha. Ishte nënë e 3 fëmijëve, megjithëse ishte 22 vjeç. Të tre fëmijët i kishte çuar tek Shtëpia e Fëmijës, sepse nuk mundej që t’i rriste e vetme. Më tha qartë, që nëse do që të bisedosh me mua, duhet të blesh kohën time. Unë e kam paguar për të qëndruar me mua dhe për të më treguar jetën e saj. E ka nisur punën që në moshën 13-vjeçare. Jetonte fillimisht në Lushnje, prindërit i vdiqën për arsye të ndryshme, Kaloi në shtëpinë e tezes në Fier, aty u ndje e keqtrajtuar dhe iu drejtua rrugës, ku u vetëshfrytëzua. Fillimisht kishte një bashkëjetues i cili e shfrytëzonte, më pas u nda nga ai pasi pati edhe një fëmijë. Dy fëmijët e tjerë i bëri në rrugë me partnerë që nuk i dinte cilët ishin baballarët e fëmijëve, vetëm për faktin që nuk kishte njohje për ruajtje në marrëdhënie seksuale. Ajo vajzë më tregoi se prostitucioni nuk është aq i fshehtë sa ne e pandehim, apo aq i vështirë. Ajo ishte në mes të Tiranës, pas Muzeut. Mjafton të qëndroj këtu dhe unë arrij të shikoj njerëzit sesi ecin se kush është në gjendje të blejë seks, më thoshte”.

Bezat tregoi më tej se kjo vajzë, i kishte treguar se ata që paguajnë për seks janë njerëz të arsimuar, me profesione të ndryshme. Gazetarja zbuloi gjithashtu se trupin e shesin femra deri në moshën 60-vjeçare.

“Më tregoi se personazhet nuk ishin nga ata që blejnë me 5 mijë lekë. Ishin njerëz me profesione, të arsimuar, dhe përsëri blinin seks nga kjo vajzë. Shkonte në një hotel që ishte shumë pranë zonës së Muzeut ku ajo shkonte, edhe punonjësit e hotelit e dinin këtë aktivitet të paligjshëm, por e lejonin. Aty ishin edhe shumë vajza të tjera, nga mosha minorene, 16 vjeç, deri në 60 vjeç, që ofronin këtë shërbim. Deri në 60 vjeç kam takuar gra që ofronin këtë shërbim”./tvklan.al