22 Prilli është dita botërore e Tokës, prandaj dhe intervista e mëngjesit të sotëm në “Aldo Morning Show” në Tv Klan i kushtohet ndërgjegjësimit për të mbajtur pastër mjedisin dhe planetin ku jetojmë.
I ftuar në studion lëvizëse, pedagogu i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Ferdi Brahushi ngriri kambanën e alarmit për problematikat kryesore mjedisore të vendit tonë. Më problematike renditi ndotjen e ajrit dhe më pas të atë të lumenjve apo mjedisit që vjen si pasojë e përdorimit në masë e pesticideve dhe kimikateve.
Brahushi tha se ai dhe shumë kolegë të tij kanë ngritur zërin jo pak herë për ndërgjegjësim për të mbajtur pastër mjedisin, por sipas tij zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër pasi reagimi është shumë i pakët.
Aldo: Duke iu quajtur si më të ndërgjegjshmit, ju që merreni pikërisht me mjedisin, sidomos mosha juaj që jeni nga profesorët më të vjetër, nëse do i bije kambanës përballë qeverisë shqiptare për çfarë do i bije?
Ferdi Brahushi: Në vendin tonë çështja bazë që lidhet, është ajo që ka të bëjë me ndotjen e ajrit. Sepse ka diçka dhe duhet që ta kuptojnë mirë që të gjithë, nëse mund të zgjedhim veshjet, shtëpinë, ose ushqimin, por ama ne nuk mund të zgjedhim ajrin që thithim. Ndotja e ajrit nuk shihet vetëm në aspektin e grimcave të ngurta, por shihet edhe në grimca që mbajnë substanca toksike. Çështja e dytë dhe më e rëndësishme është ndotja kimike e prodhimeve bujqësore apo dhe atyre blegtorale. Gjithashtu dhe ndotja e lumenjve është çështja e dytë pasi ndotja kimike, e mbetjeve të pesticideve apo të substancave të tjera kimike në produktet bujqësore, apo dhe ato blegtorale bën që shëndeti jonë të jetë i riskuar.
Aldo: Gjithçka ngelet tek ndërgjegjësimi apo jo?
Ferdi Brahushi: Njëra anë është ndërgjegjësimi, ana tjetër është që ne duhet të protestojmë, duhet të ngremë zërin përballë institucioneve të cilat duhet që të veprojnë. Kjo është ajo se çfarë ne kërkojmë dhe ngremë zërin gjithmonë. Megjithatë shikoj që pak reagim ka./tvklan.al