Firmos për klubin st. Gallen

Florian Kamberi refuzon një marrëveshje dyvjeçare me Rangers për të nënshkruar për St.Gallen të Zvicrës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare rikthehet me nënkampionët e Superligës së këtij vendi.

Sipas The Sun, trajneri i Rangers, Steven Gerrard, kishte ofruar rreth 1 milion euro klubit të Hibernian, që zotëron kartonin e Kamberit, por marrëveshja nuk është arritur.

Peshën kryesore e ka patur dëshira e futbollistit shqiptar, i cili ka refuzuar marrëveshjen me Rangers, për t’u bashkuar me St Gallen, një vend që e njeh mirë. Kamberi do ta nisë në Europa League, pasi skuadra zuri vendin e dytë në kampionatin helvet pas Young Boys.

Bisedimet kishin nisur që me 13 korrik. St.Gallen u tregua më e shpejtë se Rangers, duke bindur edhe lojtarin, që duket si rikthim në shtëpi. Hibernian e bleu Kamberin për 120 mijë euro nga Grasshoppers në vitin 2018, ndërsa në janarin e këtij viti e huazoi te Rangers.

Edhe pse shënoi vetëm 1 gol, Kamberi la u vlerësua nga trajneri Gerrard, por ky i fundit nuk këmbënguli shumë për ta mbajtur në skuadër, duke paguar për kartonin. Tashmë aventura e Kamberit do të vijojë në Zvicër dhe ndoshta në shtator e shohim për herë të parë në fushë me fanellën e Kombëtares, pasi nuk arriti të debutojë në grumbullimin e parë për shkak dokumentacioni.

Tv Klan